– Kam dëgjuar se kanë ndryshuar kushtet për të marrë patentën. A mund të më informoni, sepse nuk jetoj për momentin në Shqipëri, por do të vij këto ditë? Faleminderit.
– Po, është e vërtetë që janë bërë disa ndryshime të vogla dhe Ministria e Transportit këto ditë ka nxjerrë udhëzimin e ri. Ndryshimi qëndron se si do të jepet provimi i teorisë dhe praktikës për të marrë patentat. Ata kandidatë që do të testohen, do të kenë të njëjten numër pyetjesh, por 50 % e tyre do të jenë pohime të vërteta dhe pjesa tjetër do të jenë pohime të gabuara. Veç kësaj, ka ndryshuar edhe numri i gabimeve që do të lejohen në provimin e testit të teorisë. Ndërsa në provimin e praktikës vlerësimi do të fillojë që nga mënyra se si vendoset rripi i sigurimit e gjer te mënyra se si do të frenoni. Kini parasysh edhe diçka tjetër; ata që duan të regjistrohen për kryerjen e kursit të teorisë për marrjen e patentës duhet të plotësojnë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së lejedrejtimit. Duhet të mos keni vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisjeje të kandidatit me lejedrejtimi. Duhet të jeni i pajisur me kategorinë e duhur të lejedrejtimit që mundëson kalimin në kategorinë e lejedrejtimit.
– Gjithashtu, nuk duhet të jeni në proces përgatitjeje teorike për kategori tjetër. Të mos jeni në proces përgatitjeje praktike për asnjë kategori tjetër, përveç kategorisë A1, A2 dhe A. Të keni minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve, si dhe të mos ju jetë hequr një lejedrejtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *