Me Gjergj Begaj ekspert topograf, president i Holding Studio “Bylis”

 Artan Kristo: – Çdo ditë e më shumë dëgjojmë për njerëz që vriten për prona. Për prona babai zihet me të birin, kushëriri për kushëririn e vëllai me vëllain. Për pronat thuhet se është vrarë madje edhe një gjyqtar, si Konomi në Vlorë… Pse ka kaq shumë vrasje për pronat në Shqipëri?

Gjergj Begaj: – Po, kjo që shtroni ju në pyetje është e vërtetë. Çështja e pronësisë këto vitet e fundit ka shënuar shumë viktima. Thuhet se janë rreth 8000 të vrarë për pronat. Madje edhe viktima brenda familjeve shqiptare, gjë që më parë, pothuajse, nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ka qenë në traditën shqiptare vrasja për prona. Ndofta edhe sepse më përpara çdo gjë ka qënë e rregullt, ose zgjidhej me rrugë paqësore, me kryepleqni. Por, me ardhjen e tranzicionit, mosfunksionimi i shtetit, apo siç thuhet, ekzistenca e një shteti rrumpallë, ka sjellë këtë gjendje kur, për një pronë, djali vret babain, kushëriri kushëeririn, vëllai – vëllain etj…

– Çfarë ka sjellë mosfunksionimi i shtetit?

– Kur nuk funksionon shteti, funksionon kaosi. Pushtetarët e të gjitha niveleve nuk e kanë patur mendjen se si të rregullojnë, sistemojnë dhe zgjidhin problemet e njerëzve për pronat, por sesi t’i ngatërrojnë më shumë gjërat, si t’i çorodisin njerëzit, që të vjedhin më shumë, prona private e shtetërore për interesa të tyre.

– Cilat janë shkaqet më të shpehta të konflikteve?

– Fallcifikimet. Ato janë burimet e shumicës së konflikteve e vrasjeve të ndodhura në Shqipëri këto vite të tranzicionit. Siç ka shkruar shtypi, edhe gjyqtarit Konomi, që përmendët edhe ju, e që u vra në mënyrë mizore, i kishin fallsifikuar firmën për një pronë. Dhe, për të përfituar në mënyrë të padrejtë pronën, nuk u kursye as jeta e një gjyqtari. Ndërsa për jetët e qytetarëve të thjeshtë, as që bëhet fjalë fare.

– Meqë përmendën gjyqtarin, po drejtësia pse nuk ka ndihmuar për shuarjen e këtyre konflikteve? Apo ajo ka qënë palë me kaosin?

– Drejtësia, në pjesën më të madhe, kur ka pasur probleme me pronat, ka dhënë vendime jo të sakta, jo në favor të atij që ka patur të drejtë, por të atij që ka paguar më shumë. Ajo ka qënë pjesë e një zinxhiri korrupsioni, që funksionon në mënyrë permanente e që përfshin pushtetin vendor, atë gjyqësor, prokurorinë, hipotekën etj. Drejtësia, jo vetëm që nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve, por, me anën e vendimeve të padrejta, të ndikuara nga paratë që kanë shkuar në xhepat e gjykatësve, i ka shtuar ato. Pra, ajo i ka shërbyer këtij kaosi në të cilin janë futur pronat në Shqipëri, duke ushqyer idenë, “Të vjedhim sa të mundemi…!

– Dhe kjo gjëndje vazhdon edhe sot që diskutohet për reformën në drejtësi?

– Po vazhdon edhe sot. Ka dhjetra e dhjetra vendime gjyqësore të pabazuar në asnjë ligj . Kështu, për shembull, këto ditë më ra në dorë një dokument për një nga zonat e Tiranës, të preferuar për ndërtim. Ky dokument i nxjerrë nga arkivat bënte fjalë vetëm për 27 m2 pronë, ndërsa duke marrë për bazë këtë dokument, gjykata jep vendim duke i shtuar kësaj edhe dy zero mbrapa, pra, e bën X pronar të plot 2700 metrave katrorë! Kjo është gjykata shqiptare!

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista” të kësaj jave. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *