Një sondazh i zhvilluar nga Ernst & Young mbi luftën dhe korporatat multinacionale në Izrael, tregon se ka pasur ndikim të theksuar në 10% prej tyre, të mesëm në 30% të tyre, dhe të paktë në 60% prej tyre. Pas sulmeve të 7 tetorit, shumë prej këtyre korporatave shprehën përkrahje për Izraelin, nëpërmjet shkëmbimeve të biznesit, dhurimeve në forma të ndryshme (financiare/materiale), dhe mbështetjes për punonjësit.

Në foto, Isaac Herzog, President i Izraelit. Foto nga Gilad Artzi.

Raporti ku bën pjesë dhe ky sondazh, botuar nga organizata Industritë e Teknologjisë së Përparuar të Izraelit, tregon se rreth 430 korporata multinacionale veprojnë në Izrael. Kompani si Intel Corp, Nvidia, Google, Microsoft, Hewlett-Packard, IBM, Philips, Apple, kanë punësuar staf me paga të larta e të qëndrueshme. Me një numër prej 86 mijë të punësuarish, kjo shifër përbën 18% të forcës së punës në industrinë e teknologjisë së lartë në Izrael. Kompanitë janë kryesisht nga SHBA (81%), ndjekur nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, dhe Kina.

Raporti thekson se këto korporata janë “shkolla” më e mirë e teknologjisë së lartë në Izrael. Sipërmarrësit më të suksesshëm të viteve të fundit në vend, nisën karrierën si punonjës në to, ku mësuan parimet e suksesit. Ndër të tjera, 47% e tyre kanë krijuar bashkëpunime apo kanë blerë asete në Izrael, e 41% e tyre kanë investuar në kompani vendase të teknologjisë së lartë.

Gjetjet e sondazhit u shpalosën në një takim midis drejtorëve ekzekutivë të korporatave multinacionale që veprojnë në Izrael. I pranishëm në këtë takim ishte dhe Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ku bëri thirrje për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve që janë evakuuar, apo që janë në frontin e luftës.

Në foto, godina e Intel në Kiryat Gat, Izrael. Foto nga Globes

Në fjalën e tij, Presidenti Herzog u shpreh: “Kemi punonjës të angazhuar si rezervistë. Kur të kthehen nga misioni i tyre, do t’u duhet kohë për t’u përshtatur. Nuk do të jetë e lehtë, duke marrë parasysh kujtimet dhe traumat nga shërbimi në Gaza. Ndaj, bëj thirrje për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Izraelitët kanë aftësinë që shpresat e ëndrrat t’i kthejnë në vepra, sidomos në një realitet sfidues. Ky është sekreti ynë.”

Herzog u shpreh se përsëri, shoqëria izraelite ka arritur të mahnisë udhëheqësit botërorë. Ai tha: “Kjo është arma jonë e fshehtë, që na sjell fitore në luftë, dhe me përkrahjen e Zotit, edhe në paqe. Jemi të qëndrueshëm dhe inovativë. Kjo është ADN jonë. Falë aftësisë për ringritje e qëndrueshmëri, burimeve të pashtershme, vendosmërisë dhe vitalitetit të pafund, kemi gjithë këto korporata multinacionale që kanë çelur qendra kërkimi e zhvillimi, fabrika e degë, në Izrael. Të njëjtat cilësi kanë lulëzuar nga toka jonë e vogël dhe e bukur, një sërë produktesh inovative që kanë ndikuar dhe ndikojnë në gjithë botën. Këto cilësi përshkruajnë shpirtin izraelit, që kthen të pamundurën në të mundur. Javët e fundit kanë qenë shumë të vështira për industrinë e teknologjisë së lartë, në planin vetjak dhe organizativ. Kjo, në sajë të rekrutimit të gjerë të rezervistëve, si dhe faktit që punonjësve u është dashur të largohen nga puna herë pas here për t’u strehuar në hapësirë të sigurt. Kjo tregon kurajo dhe dinjitet nga punonjësit e kompanive ndërkombëtare”.
Av. Karin Majer Rubinshtein, Drejtore Ekzekutive dhe Presidente e organizatës Industritë e Teknologjisë së Përparuar të Izraelit, u shpreh se korporatat multinacionale kanë rol të rëndësishëm në ekosistemin e Izraelit. Këto korporata punësojnë staf me paga të qëndrueshme e të larta, dhe i ekspozojnë në teknologjitë më inovative, si dhe u mundësojnë trajnime të nivelit të lartë. Këto korporata trajnojnë dhjetëra-mijëra të rinj çdo vit dhe u japin njohuritë themelore në industrinë e teknologjisë së lartë. Veprimtaria e tyre është shumë domethënëse për Izraelin. Gjatë luftës, këto korporata u angazhuan për qëndrueshmërinë e ekonomisë vendase. Edhe degët e tyre qëndrore, jashtë shtetit, shprehën përkrahje për Izraelin. Këto veprime kanë peshë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe dhënien e një mesazhi pozitiv drejt botës, që inkurajon vijimin e veprimtarisë ekonomike në Izrael.

Burimi: People & Computers, 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *