DISPERATAMENTE XHULIA

Frymëzuar nga filmi italian me të njëjtin emër i viteve ’90

Nga një fillim në pikën zero, te rrugëtimi drejt suksesit në fushën imobiliar!

Real Estate Consultant – Future Home Orange

Një gjobë e papritur, 50 euro dhe vetëm 200 lekë në xhep. Një telefonatë e bërë në një moment dëshpërimi dhe një vendim që do të ndryshonte drejtimin e jetës së saj.

Kështu nisi rrugëtimi i Xhulia Troshkut në botën e pasurive të paluajtshme.

Ajo nuk e kishte planifikuar një karrierë në Real Estate. Në fakt, gjithçka nisi nga nevoja për një punë të dytë, në një periudhë të vështirë ekonomike dhe profesionale.

Por ajo që filloi si një zgjidhje e përkohshme, u kthye në një pasion dhe më pas në një ambicie të madhe.

Sot, pjesë e Future Home Orange, Xhulia rrëfen pa filtra fillimet e saj, sfidat, njerëzit që i zgjatën dorën në momentin e duhur dhe ëndrrën për t’u bërë një nga konsulentet më të mira imobiliare në Shqipëri.

Me sinqeritet, humor dhe atë që ajo vetë e quan «elementi Xhulia», kjo është historia e një vajze që nisi nga zero, por që nuk ka ndër mend të ndalet.

KUR NJË GJOBË BËHET FILLIMI I NJË HISTORIE

-Si nisi rrugëtimi yt në fushën e pasurive të paluajtshme? Çfarë të shtyu të zgjidhje këtë profesion?

-Rrugëtimi im në Real Estate nisi nga nevoja, në një moment kritik për mua, si ekonomikisht, ashtu edhe në biznes.

Është interesante, sepse e mbaj mend shumë mirë ditën kur vendosa të kërkoja një punë part-time.

Ishte 13 janar 2025. Më ndalon një polic dhe kuptoj që nuk kisha paguar siguracionin e makinës. Do të merrja një gjobë, ndërkohë që kisha vetëm 50 euro dhe 200 lekë në xhep.

U ktheva në dyqanin tim shumë e mërzitur dhe mora në telefon një shoqen time.

I thashë: «Ej, ke ndonjë kontakt në ndonjë agjenci Real Estate? Se kam vendosur të bëj dy punë!»

Ajo më orientoi te një mikeshë e saj, Regina Salaj, e cila në atë kohë ishte co-broker.

Për hir të së vërtetës, Regina ka qenë një nga arsyet më të forta që unë nisa këtë rrugëtim. Ishte një dorë e zgjatur që erdhi në jetën time pikërisht atëherë kur Zoti e dinte se kisha më shumë nevojë.

Dhe kështu nisi gjithçka. Nga nevoja, nga një moment dëshpërimi, por edhe nga dëshira për të mos u dorëzuar.

DURIMI, NJË MËSIM QË VAZHDON

-Gjatë kësaj periudhe si agjente imobiliare, cili ka qenë mësimi më i rëndësishëm që ke marrë?

-Pa diskutim, durimi! Megjithëse, të jem e sinqertë, kam ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Unë them gjithmonë që akoma nuk kam mësuar të numëroj deri në dhjetë! (Qesh.)

Deri në pesë kam arritur dhe, më besoni, për mua është një avantazh goxha i madh!

Kjo punë më ka mësuar që jo çdo gjë ndodh në momentin që ti dëshiron. Duhet të dish të presësh, të këmbëngulësh dhe, mbi të gjitha, të mos dorëzohesh.

BESIMI FILLO NË RADHË TË PARË NGA VETJA

-Të punosh me prona do të thotë të punosh mbi të gjitha me njerëz dhe vendime të rëndësishme. Si arrin të fitosh besimin e klientëve?

-Mendoj se gjithçka nis nga vetëbesimi që kam për t’i arritur gjërat.

Kur unë besoj te ajo që bëj, këtë siguri arrij t’ia transmetoj edhe klientit.

Pastaj është këmbëngulja ime, një element që tek unë është shumë i dukshëm.

Nuk dorëzohem lehtë. Kur marr përsipër diçka, bëj maksimumin për ta çuar deri në fund.

Për mua, besimi ndërtohet përmes përkushtimit dhe mënyrës se si e trajton çdo klient.

KONKURRENCËN MË TË MADHE E KAM ME VETEN

-Cila ka qenë sfida më e madhe me të cilën je përballur deri tani dhe si ke arritur ta kapërcesh?

-Sfida më e madhe në Real Estate? Hmmm…

Unë jam një njeri që e dua shumë konkurrencën, por konkurrencën më të madhe e kam gjithmonë me veten.

Kur vendosa t’i përkushtohesha 100% këtij profesioni, i vendosa vetes disa objektiva shumë të qarta.

Për gati një vit e kam bërë këtë punë part-time, ndaj kalimi në angazhim të plotë ishte një vendim i rëndësishëm. Por sfida ime më e madhe është ende në vazhdim.

Dua të jem një nga konsulentet më të mira imobiliare në të gjithë Shqipërinë.

Nuk e kam arritur ende këtë objektiv, por jam duke punuar çdo ditë për të.

PROFESIONALIZËM, POR ME ELEMENTIN «XHULIA»

-Në një treg imobiliar gjithnjë e më konkurrues, çfarë mendon se e bën një agjent të dallohet nga të tjerët?

-Origjinaliteti dhe profesionalizmi.

Mendoj se duhet të jesh gjithmonë profesionist në atë që bën, por pa humbur identitetin tënd.

Në rastin tim, profesionalizëm, por gjithmonë me elementin «Xhulia»! (Qesh.)

Sepse besoj që njerëzit nuk mbajnë mend vetëm shërbimin që u ofron, por edhe mënyrën se si i bën të ndihen.

TË LEXOSH KLIENTIN, PËRPARA SE T’I PREZANTOSH PRONËN

-Sa e rëndësishme është të kuptosh nevojat reale të klientit përpara se t’i prezantosh një pronë?

-Shumë e rëndësishme! Ndonjëherë njeriu nuk e di as vetë saktësisht se çfarë kërkon. Pikërisht këtu fillon puna jonë. Duhet t’i kushtosh kohë klientit, ta dëgjosh, ta kuptosh dhe të bësh një lloj filtrimi të nevojave të tij. Sigurisht, kjo është diçka që ta mëson eksperienca.

Me kalimin e kohës bëhet më e lehtë ta lexosh klientin, të kuptosh prioritetet e tij dhe t’i prezantosh pronën që i përshtatet realisht.

NË REAL ESTATE, PO NDALOVE, DOLE NGA LOJA

-A ka një moment apo një histori nga puna jote që të ka bërë të kuptosh se ke zgjedhur profesionin e duhur?

-Kam bërë shumë punë gjatë jetës sime, kryesisht në sektorin e shërbimeve. Por sa më shumë kohë kalon, aq më shumë bindem se kjo është ajo që dua të bëj. Unë jam një njeri që nuk e pëlqej monotoninë dhe Real Estate është gjithçka tjetër përveçse monoton.

Këtu çdo ditë është ndryshe, çdo klient është ndryshe dhe çdo situatë të mëson diçka të re.

Kjo punë ka një ritëm të jashtëzakonshëm.

Po e ndeze motorin, duhet t’i japësh vetëm gaz! Sepse, po e fike, dole nga tregu! (Qesh.)

Tregu nuk pret për ty. Duhet të jesh gjithmonë në lëvizje.

TIRANA, NJË TREG QË NUK NDALON

1Si e sheh tregun imobiliar në Tiranë sot? Cilat janë tendencat apo ndryshimet që ke vënë re nga afër gjatë punës tënde?

-Unë mendoj se për sa kohë ka kërkesë, do të ketë gjithmonë edhe ofertë.

Nga ajo që kam vënë re gjatë punës sime, kërkesat për blerje janë rritur ndjeshëm, pavarësisht kushteve dhe rrethanave të tregut.

Njerëzit vazhdojnë të interesohen për prona dhe tregu mbetet dinamik.

Sigurisht, çdo klient ka nevojat, mundësitë dhe pritshmëritë e veta, ndaj roli ynë është t’i orientojmë drejt zgjedhjeve sa më të përshtatshme.

FUTURE HOME ORANGE, ATY KU GJITHÇKA MORI NJË TJETËR KUPTIM

-Sa ndikojnë puna në grup, trajnimi dhe mbështetja profesionale në zhvillimin e një agjenti imobiliar? Çfarë roli ka luajtur Future Home Orange në rrugëtimin tënd?

-Mua më pëlqen shumë bashkëpunimi.

Kam pasur fatin që gjatë këtij rrugëtimi të kem pranë njerëz që kanë kontribuar në zhvillimin tim, si personal, ashtu edhe profesional. Por dua të jem shumë e sinqertë me veten dhe me të gjithë:

Unë Real Estate të mirëfilltë kam filluar të bëj që kur erdha në këtë zyrë. Future Home Orange ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim. Jam shumë mirënjohëse ndaj Future Home Orange, Elvis Turtullit dhe Gjergji Stefës, të cilët patën besim tek unë. Për mua, besimi që dikush të jep është një përgjegjësi e madhe, por edhe një motivim i jashtëzakonshëm për të ecur përpara.

Sot e shoh këtë profesion me një tjetër perspektivë, me objektiva më të qarta dhe me një dëshirë akoma më të madhe për t’u zhvilluar.

SHTËPIA IDEALE? PËR ÇMIMIN NEGOCIOJ UNË!

-Nëse do t’i drejtoheshe dikujt që po mendon të blejë pronën e tij të parë, cila do të ishte këshilla jote më e rëndësishme?

-Secili prej nesh ka në mendje disa kritere që duhet t’i plotësojë një pronë për ta quajtur «shtëpia ideale». Por duhet të kuptojmë se jo gjithmonë mund t’i kemi të gjitha.

Prandaj është shumë e rëndësishme të bëjmë një renditje të prioriteteve dhe të kuptojmë se te cili element mund të bëjmë kompromis. Nëse për ty kanë shumë rëndësi kati, sipërfaqja, vendndodhja dhe mobilimi, por çmimi është pak më i lartë nga sa kishe menduar…

Thuaj PO! Sepse për çmimin negocioj unë! (Qesh.) 🫶🏻

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here