– Përshëndetje Dr. Jashar Demiri! Desha të di mendimin tuaj për lidhjen dhe pershtatjen psikologjike dhe seksuale te çiftit në martesë. A kanë rëndësi marrëdhëniet psikologjike dhe seksuale në martesë? Si lidhen ato me dashurinë dhe jetën e përbashkët?

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar letërshkrues, për të pasur një jetë seksuale të lumtur e të shëndetshme në martesë nevojiten një sërë faktorësh biologjikë, psikologjikë, sociale etj. si dhe njohuri të mjaftueshme për to. Nuk është vetëm jeta seksuale “çelësi i artë” i martesës, por dhe bashkësia e interesave, botëkuptimi, dashuria dhe respekti reciprok etj. të cilat bëjnë të mundur forcimin e lidhjeve shpirtërore dhe emocionale midis bashkëshortëve. Me fjalë të tjera, sado e rëndësishme që është jeta seksuale, ajo nuk mund të sigurojë harmoninë bashkëshortore pa faktorin psikologjik. Prandaj një rol të rëndësishëm në këtë aspekt luajnë edhe kultura personale e bashkëshortëve dhe aftësia për të përpunuar te vetja frenuesit e fortë psikikë e moralë të cilat i ndihmojnë bashkëshortët për të forcuar martesën edhe në rastet kur jeta seksuale nuk u jep atyre kënaqësinë e nevojshme. Me fjalë të tjera, frenuesit e fortë psikikë nevojiten më shumë kur lidhjes së partnerëve diçka nuk u mjafton në sferën e jetës seksuale dhe mund të rrezikohet qëndrueshmëria e martesës. Por faktorët frenues mund ta ruajnë familjen nga rënia po qe se bashkëshortët do të dinë të orientohen mirë në çështjet e seksit duke njohur dhe shmangur në kohë shqetësimet që ndikojnë negativisht në jetën seksuale. Jeta tregon se pikërisht ana intime, marrdhëniet midis sekseve, nuk duhet të mbeten në errësirë. Që këndej rrjedhin pasojat dhe mossukseset në jetën familjare e personale.

Në biseda e intervista vërehet se rinia shfaq shumë interes për problemet e dashurisë, martesës, familjes, jetës seksuale. Interesimi i të rinjve e të rejave për këto çështje jetësore është plotësisht i natyrshëm dhe i justifikuar gjë që shtron para shkencëtarëve pedagogë, psikologë, fiziologë, mjekë etj. kërkesën e ndriçimit të shëndoshë të çështjeve që lidhen me seksin dhe jetën seksuale.

Njohuritë e dobishme psikologjike, fiziologjike, biologjike e higjienike do të bëjnë të mundur edukimin e pikëpamjeve të shëndosha për jetën seksuale. Nuk mjafton vetëm të mbështetesh në ndjenjat dhe traditat, por duhen besuar dhe zbatuar dijet shkencore. Prandaj është e dobishme që të trajtohen disa probleme që kanë lidhje me seksualitetin dhe seksin në tërësi duke u bazuar tek shkenca. Jeta ecën përpara, evoluon, domethënë pëson ndryshime. Kjo e vërteta dialektike i përket edhe jetës seksuale domethënë edhe ajo pëson ndryshime, fisnikërohet, kulturohet. Prandaj nevojiten dije shkencore, natyrisht, pa dhënë receta.

Pikësëpari, njeriut i duhet të njohë shokun apo shoqen me të cilën do të bëjë jetë seksuale. Kjo zgjedhje mbi bazën e njohjes dhe dashurisë reciproke bëhet më e saktë kur partnerët janë njerëz të ditur, me kulturë. Por mund të ndodhë që në jetën seksuale bashkëshortore të dalin edhe vështirësi të paparashikuara dhe që të shmanget e keqja përsëri duhet njohur ajo. Studimet e ndryshme klinike tregojnë se nuk mund të shmangen disa gjendje kaotike pa u njohur me ta vetë partnerët, pa u ndërgjegjësuar duke kërkuar ndihmen e psikologut seksolog. Pra, nuk është fjala për të shuar kuriozitete. Madje edhe ata që janë në rregull me problemet e jetës seksuale nga dijet nuk kanë dëm, veçse dobi. Njerëzit largpamës e kuptojnë edhe më mirë se zhvillimi dialektik i shoqërisë, ligjësitë e zhvillimit, kërkojnë njohje edhe në këtë fushë. Vetëm një njeri mendjelehtë dhe pa kulturë nuk dëshiron të dijë për problemet e edukatës dhe të jetës seksuale. Çdo njeri që e ka arritur dashurinë dhe lumturinë, dëshiron që ajo të jetojë sa më gjatë. Edhe për këtë duhen dije! Disa “sigurojnë” se martesa me dashuri u garanton bashkëshortëve lumturi dhe harmoni për gjithë jetën. Kjo është e gabuar. Jeta e përbashkët është fenomen mjaft i ndërlikuar. Dashuria dhe harmonia duhen ruajtur, në të kundërt bashkëshortët mund të ftohen e të largohen.

Sot ka shumë divorce ose shumë martesa të “vdekura” pasi shumica e martesave lidhen pa u “konsultuar” mirë me “ndjenjat” apo specialistët dhe duke shpresuar se ato gjëra që mungojnë tek bashkëshortët në të ardhmen do t’i sjellë vetë koha. Koha nuk ka se çfarë sjell nëse diçka mungon. Nëse çiftet para se të lidhnin martesë do të konsultoheshin me një psikolog me përvojë, atëherë martesa e tyre do t’i rezistojë kohës, pra edhe “konsumimit” të shpejtë. Për shembull unë nuk këshilloj që të martohen dy veta me disnivel të madh kulturor, apo seksual. Për një martesë të lumtur kanë rëndësi parësore ndjenjat e larta si mirënjohja, respekti, adhurimi, dashuria etj. pa të cilat jeta seksuale njerëzore nuk do të kishte kuptim. Ndaj ne psikologët u japim rëndësi ndjenjave të larta. Forca e komponentit psikik të pasionit seksual të njeriut varet nga vetë shkalla e zhvillimit të psikikës, domethënë sa më e zhvilluar të jetë psikika, aq më e fortë është ana emocionale e pasionit seksual. Prandaj te njerëzit me psikikë shumë të zhvilluar komponenti emocional i pasionit seksual është më i fortë sesa komponenti fizik, ndërsa të njerëzit me prapambetje mendore (pra me psikikë të pazhvilluar) komponenti fizik i pasionit seksual predominon mbi atë psikik. Natyrisht të dy komponentët janë të lidhur dhe ndikojnë te njeri-tjetri. Lidhur me këtë, psikologët kanë arritur në përfundimin se fuqia tërësore e pasionit seksual të njeriut rritet në proporcion me zhvillimin psikik, domethënë se zhvillimi i psikikës forcon pasionin seksual jo vetëm në planin individual por edhe nga brezi në brez.

Komponenti psikik i pasionit seksual bëhet më i fortë kur forcohet ndjenja e dashurisë e cila sikur e mbështet dhe e aktivizon atë. Në mënyrë të veçantë te femra pasioni seksual është më shumë i lidhur me psikikën në tërësi, prandaj reaksioni seksual i saj nuk mund të jetë aq i shpejtë sa ai i mashkullit. Nga kjo femra pothuajse nuk reagon ndaj ngacmuesve seksualë poqese mungon ndjenja e dashurisë (kur dhe reagimi është më i fortë) ose disa lidhje të tjera psikike emocionale si admirimi, respekti etj. Për këtë arsye femrës nuk i bën ndonjë përshtypje të veçantë pamja e zhveshur e një mashkulli të panjohur, ndonëse të bukur ndërsa mashkullin e eksiton pamja e zhveshur e një femre të bukur të panjohur. Nga ana tjetër, ndryshe nga mashkulli, kërkesa seksuale e femrës është më tërësore domethënë dëshira e saj lidhet me partnerin në tërësi dhe jo vetëm me organet seksuale siç ngjet shpesh me seksin mashkull. Prandaj përceptimi pamor i trupit të zhveshur të mashkullit nuk i shërben si si ngacmues i fortë për femrën sepse për eksitimin dhe aktivizimin e pasionit seksual të saj luajnë më shumë rol stimujt psikikë dhe ndjenjat e larta. Këshilla ime para se të merrni një vendim vendimtar për jetën siç është martesa, pijeni një kafe me psikologun i cili e bekon ose jo martesën tuaj…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *