Unë jam Turi. Po ju shkruaj për të dashurën time dhe historinë që pata me të. Mendoja se ajo ishte njeri i mirë dhe se më donte. Unë e doja shumë dhe bëja gjithçka për të, por mësova se ajo ishte njeriu më mashtrues dhe më banal që mund të ekzistojë në rruzullin tokësor. Tani më vjen pështirë prej saj.
U takuam për herë të parë nëpërmjet disa miqve të përbashkët. Unë isha në një lokal me disa shokë, kur ajo u bashkua me ne. Ishte e dashura e njërit prej tyre. Sapo e pashë, më pëlqeu. Ishte e gjatë, brune, shumë elegante, jashtë mase e bukur. Edhe ajo, më shihte në mënyrë shumë provokuese. Ndërsa të tjerët flisnin, ne vetëm shiheshim dhe qeshnim. Nëse do të ishte e lirë, do të kisha ngulmuar për t’u lidhur me të, por ka një rregull në shoqëri: Nuk u merren të dashurat shokëve. Unë nuk do ta kisha bërë kurrë, ndonëse ajo po më pëlqente jashtë mase dhe atë natë, vetëm atë mendoja.
Të nesërmen u nisa për në punë, si zakonisht. Në atë kohë, menaxhoja një lokal. Nga dreka, një nga kamarierët më tha se më kërkonte një vajzë. Duke qenë se nuk kisha të dashur, u bëra shumë kurioz të dija se kush ishte, por kur pashë Entelën të ulur në një nga tavolinat e lokalit, mbeta pa fjalë. Vetëm tek ajo nuk më shkonte mendja. Lëre pastaj të kisha imagjinuar se për çfarë më donte. Ishte jashtë çdo lloj fantazie të shfrenuar. Ajo ishte një vajzë shumë e guximshme!
U ula në tavolinë dhe më kërkoi një cigare. Po e pinte, ndërsa më shihte, qeshte, por nuk thoshte asgjë. E pyeta çfarë donte nga unë. Ajo më hodhi një shikim provokues dhe më tha: “Atë që do edhe ti nga unë”. I shpjegova se ajo më pëlqente shumë, se më kishte mahnitur atë ditë, por duke qenë se ishte e dashura e shokut tim të ngushtë, nuk mund të bëja dot asgjë. Më tha se atëherë unë nuk isha mahnitur prej saj, sepse nëse do të ishte kështu, atëherë do të bëja gjithçka për ta bërë të dashurën time. Nuk i bënte syri tërr. Vetëm zbrazte nga goja ato që mendonte. Ishte tmerrësisht tërheqëse dhe seksi. Nëse do dëgjoja zemrën, do ta përqafoja me forcë dhe do ta shtrija aty ku ishte, por m’u kujtua Dritani, shoku im dhe i kërkova me edukatë që të më kuptonte dhe të largohej. Më tha se nuk e priste që unë të isha i tillë, që mendonte se mes nesh kishte diçka dhe se besonte që një ditë do të ishim bashkë. Ndërsa ajo largohej, unë mendoja se kjo ishte gjëja më e pamundur në botë.
Por Entela nuk u dorëzua. Ajo nisi të rrinte më shpesh rrotull nesh. Duke qenë se miqtë e mi rrinin më shumë në lokalin tim ku bisedonim apo luanim me letra, ajo nisi të vinte gjithnjë e më shpesh dhe më ndihmonte, përpiqej të më afrohej sa më shumë… Në fakt, sa më shumë përpiqej ajo, aq më shumë largohesha unë. E ndjeja që më tërhiqte shumë, ma bënte trurin dhallë. Me ato këmbët e saj të gjata, sytë seksi si të një maceje, më kishte bërë si budalla.
Mendova se duhet të veproja patjetër, që të mos zhytesha më shumë në këtë hendek. Kështu, nisa të lidhesha me femra vetëm për të harruar atë, por ishte e pamundur. Sado që i merrja në lokal që Entela ta kuptonte se isha i lidhur, ajo vazhdonte të më provokonte, ashtu siç unë e kisha mendjen vetëm tek ajo. Gjërat po vinin duke u përkeqësuar.
Në situatën në të cilën ndodheshim ne, ishte e pamundur të evitoje atë që ndodhi. Ajo erdhi dhe një herë tek unë në darkë. Isha duke bërë inventarin e ditës. Nuk kishte asnjeri, përveç kamarierëve që po ndërroheshin për të ikur. Se nga doli ajo, nuk e di, por u afrua dhe më tha se ende nuk më kishte harruar. E dija që po bëja gabim, por nuk e përmbaja dot veten. Aty, në zyrën time, fikëm dritën dhe e bëmë për herë të parë. Nëse më parë isha shumë i dhënë pas saj, që nga ai moment u bëra i fiksuar, si idiot. Vendosëm t’i tregonim Dritanit gjithçka, duke i thënë se ishim të dashuruar dhe nuk bënim dot asgjë, por e thëna ishte miliona herë më e lehtë se e bëra. Ajo vazhdoi të vinte edhe disa ditë me Dritanin aty, sepse nuk ia thoshte dot, derisa një ditë pashë Dritanin të futej në lokal shumë i nervozuar. E kuptova që ia kishte thënë. Ai u fut, nuk më tha asgjë, vetëm më goditi disa herë me grusht në fytyrë. “Nuk ia vlente të prisheshe me mua për një kurvë!”, më tha. “Ke për ta parë kush është Entela”.
Më erdhi keq për atë që tha, por fjalëve as që ua vura veshin. Mendova se ishte një gjë normale për dikë që ishte i inatosur. Nuk fola më me të dhe ai nuk erdhi asnjëherë. Miqtë tanë u ndanë në grupe. Më së shumti, mbështesnin Dritanin. Edhe i kuptoja, sepse ata nuk e ndjenin dot atë që ndjeja unë për Entelën. Vazhduam për muaj bashkë. Ajo ishte e dashur dhe lozonjare, si gjithnjë. E doja përditë e më shumë. Për të, mund edhe të vrisja, aq shumë e doja, por zbulova që kjo ishte vetëm sipërfaqja. Një ditë, harroi telefonin në lokalin tim. Duke qenë se e kisha shoqëruar në shtëpi me makinë, po përtoja të kthehesha prapë, kështu që mendova t’ia ktheja të nesërmen. Asnjëherë nuk e kam pasur zakon të fus duart në gjërat e të tjerëve. Nuk ia kisha prekur asnjëherë telefonin, por nuk e di se pse atë ditë, një zë i brendshëm më shtyu ta bëja. Kur e hapa, u shokova. Pashë mesazhe me foto të panumërta që ajo ia kishte dërguar Dritanit. Pashë datat dhe ato përkonin me ditët e fundit. Gjatë gjithë kohës që kishim qenë të lidhur, ajo nuk i kishte prerë marrëdhëniet me të. Për më tepër, fotot ishin provokuese dhe lakuriqe. I hipa makinës dhe i shkova në shtëpi. Ia përplasa celularin tutje, e godita me sa më hante dora dhe i kërkova të mos më dilte më përpara. Për mua ajo ishte një femër banale dhe më e keqe se një prostitutë. Tani jo vetëm që nuk e dua, por edhe e urrej, sepse më bëri të humbas një nga miqtë më të mirë që kam pasur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *