Pas tre ditësh, V.J, më shkroi përsëri.

-Mirëmbrëma! Të vazhdoj më tej historinë? 

-Patjetër…Përsëri pa ngrohje je?

-Sigurisht. Ku ta gjej? S’kam asgjë përveç krevatit dhe dy batanije për mbulesë. 

-Më vjen keq. Shkruaj sa të jetë e mundur, por kujdes shëndetin.

Termometri në aplikacionin e telefonit tim, jashtë tregonte numërin dy njësha negative, ndërsa brenda, trefishin e kësaj shifre lart zeros. Natyrisht nën efektin e zjarrit të sobës së drurit. Ndjeja keqardhje, por nuk kisha asnjë mundësi ta ndihmoja. Ndoshta…

-Si iku F.J, u përballa me gjyqin familjar. Ua shpjegova se ndihesha e mërzitur, vjehrra më burgosi, burri pranoi vendimin e saj në heshtje, ndihesha gati e braktisur. Nuk e tradhëtova burrin, edhe pse pranoj që u tregova naive, për adresën që komunikova. Ku ta dija unë se ai po luante me mua. Nëse ju e quani tradhëti kur unë nuk pata kontakt fizik me asnjë person tjeter, kjo është puna juaj, por nuk kam tradhëtuar askënd. Ama kësaj here dëshira e tyre ishte më e zellshmja për burgosje tjetër. Im vëlla më mori telefonin, kurse xhaxhai më dha ca shpulla të forta në fytyrë. E kuqja e faqeve qëndroi tre ditë. Kisha rënë nga shiu në breshër. Dhe kësaj here nuk ishte im shoq, as nëna e tij, por familja ime, dashuria e përjetshme që po më dhunonte. Kur kthehet dashuria në urrejtje, është vështirë ta rifitosh atë, për herë të dytë. Shpresoja se motrat e martuara, të cilat e ndienin më mirë gjendjen kur vete në derën e burrit e nuk gjen atmosferën e duhur, sa e vetmuar dukesh, do mund të ndërhynin për të rregulluar disi gjëndjen. Nuk është se doja të fitoja dashurinë e tyre menjëherë, por së paku lirinë e duhur, ndërsa ato për fat të keq timin, u rreshtuan në anën e tyre. Qaja. Më shumë kur nuk kishte njeri afër. Nuk doja t’u jepja kënaqsinë atyre. Nuk doja mëshirë, por drejtësi.

Vëllai më dha një shpresë të vogël. Nëse sillesha mirë për një muaj, do ta rifitoja telefonin. Pas atyre ditëve të zymta, për herë të parë pashë diellin në imagjinatë. U ngroha. Ishte thjesht një rreze e holle nga ku mund të dilja në dritë. Deri atëherë duhet të prisja. Të mos gaboja. Të duroja. 

Mendja më rrinte tek F.J, përse ma bëri këtë. Si ka mundësi që më hoqi qafe kaq shpejt. Përse lojti me mua. Ai që më kishte premtuar dashuri të përjetëshme, më la për një komunikm distance, për tradhëti të pakryer. Edhe nëse e quanin në tentativë, “krimi” nuk ishte kryer. Nuk mori parasysh as faktin se isha unë ajo që mbylla komunikimin e para, duke kuptuar gabimin. 

Isha e turullosur. Herë herë e çorientuar. 

I vetmi territor i lirë për mua ishte shtëpia, dhe me pak zemërgjerësi nga vëllai edhe oborri. Unë nuk e di se kishin vënë roje, por di që në rast thyerje të vijës së përcaktuar, do përballesha me ndëshkim e më të rëndë. Isha e lidhur me zinxhirë hekruri të trashë edhe pse nuk ekzistonin relaisht në trupin tim. Ky kufizim i rreptë ishin prangat dhe zinxhiri ashtu si qeni që ruan teritorin e përcaktuar nga i zoti.

Një njeri i kthyer në qen. 

Ditë më vonë, tek rrija në oborr për të vrarë kohën, pashë në rrugicën përtej Adën, shoqen e shkollës. Më tundoi telefoni që mbante në dorë. I thirra. Më përshëndeti. I kërkova të vinte. Ndërkohë që ajo afrohej drejt meje, dhe unë shkoja drejt saj. Kisha këputur zinxhirin e ndalesës pa dashje. Nuk nguroi të më ndihmonte. Hapa adresën e fejsbukut dhe i shkrova F.J. ” Kerkoj falje. Nëse më do akoma eja të enjten, në ora 10 tek vendi. Të pres me padurim. E jotja V.J.” E falenderova shoqen dhe u ndamë. Nuk doja të rrezikohesha për dënime të tjera. Kësaj here dhuna nuk do ishte thjesht shuplakë, por ndonjë send tjeter që dhimbja të ishte më e madhe dhe më e padurueshme. 

Doja të tatoja pulsin e tij. Nëse ai vinte. Do të thotë se më kishte falur. Pastaj do kaloja në planin B. Do i kërkoja të jetonim më vete, larg shtëpisë së tij, për të ndërtuar të ardhmen tonë. Dhe nëse do ishte dakord, atëherë e kisha rifituar dashurinë e tij…

Si më parë, mesazhet i lexoja dy herë para se ti ktheja përgjigje.

-Qënke për subjekt filmi… Besoj se F.J, erdhi në ditën dhe orën e caktuar? I bëra pyetjen për të shtyrë më tej tregimin, megjithëse tashmë ajo kish vendosur të rrefehej vetë. Unë nuk isha prifti, dhe ajo e dinte këtë, por donte të fliste me dikë. Të çlirohej. Ndoshta pse jo kërkonte rrugëzgjidhje, ndoshta thjesht mendim. Të korigjohej nëse kish gabuar.

Nuk vonoi dhe erdhi mesazhi tjetër.

– Prisja me padurim orën. Druaja se nuk do mund ta takoja. Ku i dihet. Ndoshta ndonjëri nga të familjes mund të mos shkonte në punë. Do më prishej plani. Do humbisja shansin e paraqitur. 

Ora po shkonte nëntë dhe vëllai ende flinte. Kish ardhur vonë në mbrëmje. Mos vallë e kishte pushim e flinte shpenguar, siç bënte zakonisht në ditë pushimi. O Zot më ndihmo! Padurimi më çoi tek dera e dhomës sē tij. Trokita lehtë. Trokita përsëri. I thirra me zërin që më dridhej nga emocionet dhe frika. Trokita përsëri, kësaj here më fort.

 -Turi, ngrihu se te vajti vonë. Nuk ia ngjita togfjalëshin “shpirt i motrës”, siç bëja më parë. Nuk ma tha zemra. 

-Kush është? Dëgjova zërin e tij, si të vinte nga thellësia e ndonjë tuneli.

-Nuk do vesh në punë. Ora vajti 9…

Dëgjova zhurmë. Rrëmujë. Duhet të ishte ngritur rrembimthi. Për pak sekonda ishte tek dera, gjysmë i veshur. Më hodhi një vështrim të rreptë, si të xhahxait. Nuk di nëse i kish ngjarë atij, apo donte ta kopjonte. 

“Shushkë, pse s’më ngrite më shpejt”, tha nëpër dhëmbë. Përplasi portën, për të më kujtuar burgosjen. Gjithsesi isha vetëm dhe e lirë. Bëra gati disa tesha në një çantë plasmasi dhe fiks në orën 10:00 u nisa. Takimi mbrapa xhamisë së qytetit ishte pak a shumë vend i fshehtë, pasi në atë rrugicë kalonin pak njerës. Ishim takuar aty dy herë të tjera, kur ende nuk qemë fejuar ligjërisht. Takim klandestin.  Së largu pashë makinën e tij. Më ndriti fytyra. Ndoshta qesha me vete. Këmbët më shtynin drejt tij. Ndoshta më shtynte dashuria. Ndoshta…

-Ke kohë që pret, i thashë tek sa e përqafova. Në fakt e putha me mall e dashuri. 

Ai hapi derën. 

-Eja, më tha. 

-Ku, i thashë, dhe e shikova në sy, pêr të lexuar mendjen e tij.

-Në shtëpi pra. 

-Jo. 

-Si jo! Pse më solle deri këtu atëherë? 

-Ti e di që nuk jam e mirëpritur. Nëna jote pas kësaj do më luftojë dhe më shumë. 

-I kam marrë masat. Nuk do kesh probleme.

-Si, u bëra kurioze më shumë se ç’duhej. 

-Do jetojmë në qytet, të pavarur, pa shqetësime, pa fjalë. 

Nuk e di si më kishte lexuar mëndjen kaq larg. E vetmja gjë që kërkoja. Çfarë telepatie e çuditshme.

-Ikim.

 Nuk kurseva puthjet. Isha e lumturuar. Si raki e zier dyherë, që e pëlqejnë aq shumë burrat. 

Rrugës, kur kishim kaluar zonën e rrezikut, i shkrova vëllait. “Mos më kërkoni. Jam me F.J. Rifitova dashurinë.” Nuk vonoi dhe erdhi përgjigja e tij. “Ke fituar atë na ke humbur ne. Ti nuk ekziston. Je e vdekur. Zoti të ndihmoftë. Lantumirë. “

U shkreha në vaj. Mos kisha gabuar përsëri… Një frikë e madhe, si i ftohtë janari, në mes të malit me dëborë më hyri për palce. Po shkoja drejt rrugëve të panjohura…

Edhe mua po më dukej se F.J, e kishte mashtruar përseri. Ndoshta kësaj here mund të hakmerrej. Jeta e saj po komplikohej.Tek mendohesha për të gjetur fjalët e duhura mbërriti mesazhi tjetër.

-Nuk u ngjitëm në fshat. Siç duket dhomën e kish gjetur më parë, pasi çelsat i kishte me vete. Mendoja se ishte një hyrje e kompletuar me komoditetin e nevojshëm, ashtu sic i takon një martese normale, por asgjë përveç një krevati tek, komodinë të vjetër dhe tavolinë të thjeshtë, që lëvizte kur i rëndoje. Dukej si shtrat spitali, për të mos thënë burgu. Ishte zhgënjimi i radhës, në këtë rikthim dyshues. Po dridhesha e tëra. Nuk ishte i ftohti i dhomës, por shpirti i tij kallkan. Nuk dija se ç’plane po kurdiste. Me dashje i kisha hyrë detit më këmbë, pa e ditur se kish qënë afër e unë nuk e pata parë. 

Hoqi njërin çelës nga dera, e futi në xhep. 

-Tani do rrish këtu. 

-Po ti?

-Do ngjitem lart. Fjala ishte në shtëpinë e tij. 

-Nuk rri këtu. Kam frikë. Do vij me ty. 

-Nuk të qas njeri atje. Nesër do vij përsëri.

-Po unë…

-Ah, po…na merre. Më zgjati një nga telefonat e tij.

-Kujdes me numrin, mos e shpërnda, dhe komunikimin në fejsbuk.  E di ti!

Kyça derën sapo doli, dhe u plasa mbi krevat si plënds. Qaja me ngashërime. Qante shpirti. Zemra e coptuar rrihte si zog i ndarë nga e ëma ende pa mësuar fluturimin. Ç’të rroja. Pse nuk vdisja në moment të shpëtoja. Gjumi më kish zënë ashtu zbuluar. Kur u zgjova nuk lëvizja dot. Të isha paralizuar. As duar as këmbë nuk funksiononin. Mos kam vdekur!? Jo, jo por i vdekuri nuk flet. Në fakt nuk flisja, por bisedonte mëndja. Mos jam në ëndërr. Tentova të lëvis pak dorën. Ndjeva dhimbje. Lëviza tjetrën por dhimbja qe në shpatull. M’u desh disa minuta të marr veten. Në fakt aq sa hyra brenda batanijeve. U bëra kruspull. Ndjeva ngrohtësinë e rrobave që kisha ngrohur më parë. Më zuri gjumi. Si nëpër ëndërr dëgjoj të hapet dera. U hodha përpjetë kur pash hije njeriu. Ishte ai. Nga dritarja pashë diellin dhe bardhësinë e dëborës. Doja të dilja. Të ikja, të zhdukesha. Ku të shkoja!

-Eja të dalim. M’u duk se fjalët m’i tha me ëmbëlsi. Mos e kisha paragjykuar gabim. Kritikova veten në heshtje. Ikëm në periferi të qytetit. Sikur ta dinte që zorret më bënin demonstratë, hymë në mëngjezore. Haja si e babëzitur. Ai më shikonte e qeshte nën buzë. Isha ngrohur në trup e në zemër. U kthyem përsëri  në dhomë. Inaguruam dashurinë e rifituar. Iu dhashë pa kushte. Dita kaloi shpejt. Në mbrëmje mbeta përsëri vetëm. Kështu vazhduam disa ditë. Ndonjëherë edhe nuk vinte fare. Stomaku hante veten e tij. Tashmë dhe e uritur, përveç se e burgosur. Dukej qartë se ai nuk më donte, por nuk po kuptoja ç’lojë djallëzore po luante me mua. Përse ky fat? Ç’të bëja! Ku të shkoja? Kujt ti qaja hallin? Si mund të shpëtoja?

Një ditë më tha:

-Do e nxjerrësh vetw bukën, unë nuk të ndihmoj. 

-Si, me çfarë pune? Mos ai po më propozonte punë nga ato që bëjnë vajzat e rrugës!

-Do shkojmë në Greqi. Do gjejmë atje punë. Ndoshta shërbim ndonjë të moshuari, ndoshta në ndonje fabrikë, a…

Ishte gjysma e së keqes. Të paktën do shpëtoja nga burgu. Pasi mora pasaportën, u nisëm. Në vendin ku shkuam, njihte disa njerës. Siç duket kish qënë dhe herë të tjera. Ai gjeti punë menjëherë në ndërtim. Pas disa ditësh dhe unë, në një fabrikë vaji. Puna ishte e rëndë, por nuk ankohesha. S’doja të bëhesha e bezdisur. Shpresoja se koha e provës do merrte fund një ditë, për të çimentuar dashurinë. U kthyem në Shqipëri pas tre mualsh. Unë në të njëjtën dhomë e ai të njëjtën sjellje. I kërkova të ndryshonte. Të jenonim bashkë si një çift i martuar, me të drejta të barabarta, dhe jo klandestin. Prej asaj dite, mbylli telefonin, dhe u largua. Mori dhe lekët që kisha punuar. Dhe ja tani jam vetëm dhe pa përkrahje në mes të qytetit…Dukej se ai donte vetëm ta shfrytëzonte. Përveç ekonomikisht, dhe dashnore klandestine. Nuk gjeja dot fjalët e duhura për ta ngushëlluar, mënyrën për ta ndihmuar, të paktën një mendim për rrugë shpëtimi. Nuk e di në isha unë i pari që hapi portën brengave të grumbulluara, për t’mi zbrazur përpara, apo dhe kish bërë të njëjtë gjë e me të tjerë, por e kishin lënë në baltë. Gjithësei i shkrova fjalë inkurajuese, se nuk ishte ajo e para që kish dështuar në dashuri, e zhgënjyer kaq rëndë, ndaj duhej të bënte durim. Së pari i shkrova që duhej të bënte çmos të rilidhej me familjen, gjë që ishte më kryesorja. I thashë se do i shkruaja një shoqate për ta ndihmuar. Dhe vërtet shoqata u tregua e gatëshme. Ia dëgova përgjigjen dhe adresën menjëherë. U çudit për ndihmën time të shpejtë. Më komplimentoi. Nuk më bënin përstypje fjalët e mëdha vlerësuese, por tashmë ndihesha i qetë që kisha gjetur një zgjidhje. Mendoja se shoqata do e ndihmonte për ta rilidhur me familjen e saj, por mbeta pak sa i zhgënjyer kur më thanë se do e ndihmonin për vend pune. Gjithësesi dhe kaq, të paktën kishte një derë të hapur për të gjetur shpresë. 
Siç duket gjatë kohës së pritjes, për vendin e punës, të tjerë njerëz më të shkathët, më interesaxhinj, apo me qëllime të tjera, kishin arritur ta kapnin zogun e vetmuar, për ta përdorur për qëllimet e tyre. Ndoshta nuk ishte aspak kështu, dhe unë gaboja në gjykimin tim, por, ngurimi për vendin e punës që i kish sugjeruar shoqata, ma shtoi dyshimin. Por nuk kisha asnjë të drejtë të interesohesha më shumë. Kur nuk e bëri shoqata, përse tëvazhdoja unë hulumtimin. Me çfarë statusi. Për më tepër që kish mbyllur dhe llogarinë në fejsbuk. 
Arsyen që shkrova është, se tashmë nuk është as në atë lokal. Madje as në qytetin tim. Mbase ka rifituar familjen, mbase ndonjë të dashur tjetër për jetë të re, mbase…Nuk di ç’të them. Mbase e lexon historinë e saj, dhe nëse është në vështirësi të gjejë rrugë e mundësi për t’ja dalë. Mbase ka krijuar jetë të re familjare… Atë që s’mund ta bëjë askush mund ta bëjë familja. Shpresoj ta ketë reabilituar dhe ajo të jetë buzëgaz. 

Shpresoj dhe dëshiroj!

                           Nga SINOT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *