Një herë e një kohë do të shkatërrohesha tërësisht nëse vetëm e mendoja divorcin, ndërsa tani po ndahem nga burri im dhe të them të drejtën, mezi po e pres një gjë të tillë.

Unë jam 49 vjeçe dhe kam dy vajza. Jeta ime si nënë ka qenë e mrekullueshme, por si bashkëshorte ndjej se kam dështuar.

Kur u njoha me Luanin isha vetëm njëzet vjeçe. Familjet tona isha shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Prindërit tanë vinin nga shkollat e larta, kishin punë të mira, ndaj dhe u pëlqente që të shoqëroheshin me njëri-tjetrin. Kishim hyrje-dalje të shpeshta, por ne fëmijët, nuk na përzienin shumë. Pastaj, unë kisha shumë inat të shkoja nëpër drekat apo darkat e tyre, ku bëheshin vetëm biseda të mërzitshme. E pra, Luanin e njoha në një nga këto darka. Prindërit e mi i kishin ftuar ata në shtëpinë tonë, së bashku me fëmijët. Unë nuk doja të qëndroja, por mamaja më detyroi. Ata kishin ardhur me vajzën e tyre pesëmbëdhjetë vjeçare dhe djalin njëzet e dy vjeç, që sapo kishte mbaruar universitetin për Ekonomik.

Falë tij, mbrëmja për mua nuk qe aq e mërzitshme sa ç’mendoja unë. Ai djalë me sy bojë qielli më hyri në zemër. Ndryshe ishte për të. Luani ishte një njeri më i kontrolluar dhe i qetë. Ai tek unë nuk pa ato gjëra që mund të të pëlqejnë te një femër. U josh nga fakti se unë isha familje e mirë, se po vazhdoja një shkollë të lartë dhe kisha mundësi të isha dikushi. Atij i pëlqente shumë pozita. Kishte shumë synime në jetë dhe për t’i arritur ato, i duhej një familje e kompletuar dhe perfekte. Në atë kohë, ai mendoi se edhe nusen perfekte e kishte gjetur.

Ndërsa unë i flisja për gjëra romantike, ai ishte i zënë duke programuar të ardhmen tonë. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, këtë nuk e di, por unë e doja, e doja shumë. Mendoja se jeta ime me të do të ishte ashtu siç unë ëndërroja dhe në fillim, ashtu qe. Luani ishte korrekt, i sjellshëm dhe shumë i përkushtuar ndaj familjes, por ambicien nuk e kishte lënë kurrsesi pas krahëve. Përveçse e kishin emëruar pedagog, ai synonte për më lart.

Vitin e parë të martesës, na lindi një vajzë. Pas pesë vjetësh lindi vajza e dytë. Ato ishin gëzimi i jetës sime.

Gjatë kohës që ato u rritën, Luani nuk ishte pothuajse fare në shtëpi. Ai ishte shumë i zënë me punën. Ne ishim transferuar në një shtëpi akoma më të madhe, ishim shumë mirë financiarisht, por unë nuk isha plotësisht e lumtur me tim shoq që pothuajse nuk ishte në jetën time.

Por mendoja se kjo do të rregullohej kur vajzat të rriteshin. Kur e madhja po mbaronte universitetin, e vogla po bëhej gati për të konkuruar. Gjërat ndryshuan shumë pas viteve ’90, por falë zotësisë së Luanit, familja jonë mbeti thuajse e paprekur. Ne vazhdonim të ishim mirë ekonomikisht. Luani po zgjeronte akoma më shumë ndikimin e tij dhe vazhdonte të dëshironte më shumë. Pasi kishte nisur një biznes të tijin, ai qëndronte më shumë në zyrë.

Çdo ditë vrisja mendjen se si ta bëja sërish më njerëzor, kështu që kur mbushëm njëzet e pesë vjetorin e martesës, e binda që të organizonim një darkë të vogël dhe intime për të festuar. Pranoi pas shumë lutjesh. Nisa përgatitjet dhe përpiqesha që ta përfshija në to, por ishte pothuajse e pamundur. Në fillim mendoja se pengesë ishte vetëm puna, por nisa të bëhesha dyshuese ndaj fillova të hetoja.

Kështu, gjeta mesazhe në telefon dhe prezervativë në xhepin e tij, ndërsa ne të dy kishim shekuj që nuk kishim marrëdhënie.

Ai kishte më shumë mundësi se unë për të tradhtuar. Ishte gjithë kohës i ikur nga shtëpia. Në botën ku ai punon, ka gjithnjë asistente apo sekretare të reja që janë gati t’i binden shefit për çdo gjë. Në atë botë, justifikimet për të qëndruar deri vonë mund t’i gjesh po aq lehtë sa edhe lidhjet jashtë martese.

Martesa ime u shkatërrua kur mora vesh se im shoq më tradhtonte me kolegen e tij. Kur e takova këtë të fundit, ajo ishte e tmerruar. As që e dinte se ai kishte grua dhe fëmijë. Kishte ardhur nga rrethet, Luani e kishte futur në punë dhe ai për të ishte Zoti. U bëra shumë keq, por pasi ai m’u lut shumë, vendosa ta falja. Ishte koha kur do të festonim njëzet e pesë vjetorin e martesës. Ai më bindi të vazhdoja duke përgatitur festën, por ndërkohë, ishte njohur me një femër tjetër. Sekretarja e tij, me sa duket, ishte e dashura e tij e hershme, madje më e hershme se kolegia. Kjo e fundit kishte qenë thjesht një kalim kohe. Me sekretaren e tij ai kishte vite që ishte i lidhur. Ajo e dinte se ai ishte i martuar, por ai i kishte thënë se kishim probleme dhe se një ditë do të ndaheshim.

Në të vërtetë, Luani asnjëherë nuk kishte ndërmend të ndahej nga unë. Atij i leverdiste që të shtirej si baba dhe bashkëshort shembullor, por prapa krahëve të mi i kishte dhënë vetes të drejtën të shkonte me kë të donte. Kjo më nxehu shumë dhe tashmë, lutjet e Luanit për mua nuk kishin asnjë vlerë. Vajzat ishin të mëdha, ndaj dhe u tregova gjithçka. Ato më mbështetën në vendimin tim për t’u divorcuar.

Kështu, nisa praktikat për divorc. Kur e pa që unë nuk lëvizja nga vendimi im, Luani mendoi të mbronte veten. U largua nga shtëpia, duke thënë se donte të më linte prej kohësh, por i kishte ardhur keq për mua. Iku dhe mori një shtëpi të re, ku vazhdon të jetojë me sekretaren e tij. Ai është mashkull, mund ta ndërtojë jetën e tij kurdoherë, kurse unë e di që në moshën time do ta kem shumë të vështirë. Të paktën ai ka dikë për të ndarë ditët, ndërsa unë jam vetëm. Vajzat janë rritur, po krijojnë familjet e tyre. Ndonjëherë, mendoj se si do të ishte jeta ime nëse nuk do të isha ndarë prej tij, por thellë brenda vetes e di që nuk do të jetoja dot me të, për hir të opinionit. Më mirë vetëm dhe me nder, sesa për sy e faqe dhe e zhytur në dhimbje deri në fyt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *