– Përshëndetje! Kam qenë i lidhur me një vajzë 6 vjet, por kam një vit që nuk flas më me të, se e zura duke folur me një person në telefon. Problemi është se e dua akoma, pavarësisht se më ka bërë keq. Mund të më jepni një mendim se pse e dua akoma? Nuk e kuptoj pse vazhdoj ta mendoj…

Borana Marku, psikologe: – Së pari, më vjen keq për gjendjen shpirtërore në të cilën ndodheni. Së dyti, dalim te problemi juaj, nëse mund të quhet i tillë, sepse unë mendoj se problemi i vetëm që ju keni është koha që po humbisni nga jeta juaj, duke menduar për këtë vajzë. Ju nuk na thoni nëse personi me të cilin po fliste vajza në telefon kishte diçka me ish-të dashurën tuaj, apo ishte thjesht telefonatë nga një shok. A ishit i bindur se mes tyre kishte një lidhje? Mos ishte thjesht një flirt, apo një bisedë e zakonshme në telefon? A i keni kërkuar ndonjëherë ish-të dashurës sqarime se çfarë e shtyu në këtë veprim? Mos vallë ka qenë vetëm një tentativë e vajzës sa për t’ju bërë juve xheloz?! Këto janë disa pyetje, përgjigjet e të cilave duhet t’i gjeni vetë. E megjithatë, ju shpreheni se ju ka bërë keq, që të lë të nënkuptosh se ju ka “tradhtuar”. Gjykoj se thjesht një telefonatë nuk mund të quhet tradhti, por ngjarjen me imtësi e dini vetëm ju dhe po e marr si të mirëqenë këtë që ju nënkuptoni.

Ju thoni se e doni akoma! Mos vallë nuk është më dashuri, por një fiksim i juaji, ose një ndjenjë urrejtjeje e përzier me egoizëm sepse meshkujt e kanë të vështirë ta pranojnë faktin se partnerja e tyre mund t’i nxjerrë nga jeta e saj?! Ndonjëherë ndjenjat e egoizmit, urrejtja, apo mëritë ngatërrohen me ndjenjat e dashurisë. Jua bëra gjitha këto pyetje që të reflektoni më mirë me veten për të kuptuar nëse e doni vërtet apo kjo është thjesht një ego e sëmurë dhe urrejtje ndaj saj. Vërtet urrejtja nga dashuria ndahen nga një fije shumë e hollë, por dallimi duhet bërë nga vetë ju.

Përderisa siç shpreheni, ajo “ju ka bërë keq” dhe ju nuk doni të ribashkoheni me të, pse vazhdoni ta humbisni kohën duke u ndjerë keq për të?! E keni vetë në dorë të dilni nga kjo gjendje. Nuk duhet ta mendoni më dhe kaq. Mendoni se po humbisni kohën më të çmuar duke menduar për të, ndërkohë që ajo nuk është me ju. Jeta është shumë e shkurtër për të humbur çdo sekondë të saj duke e mbajtur kokën pas, ndërkohë që mund të njihni një vajzë tjetër që t’ju falë gjithë dashurinë dhe vëmendjen që ju ka munguar gjatë këtij viti. Mendoj se një vit është i mjaftueshëm për të kaluar një ndarje dashurie. Vetëm nëse ju mbani ende kontakte me të, atëherë do ta keni të vështirë ta harroni dhe dhimbja do t’ju vërë përfund çdo ditë e më shumë. Ndajini gjërat me veten tuaj! Vendosni një herë e mirë ose të ecni përpara dhe të ndërtoni diçka të re e të pastër, ose të ktheheni mbrapsht dhe të vuani gjithnjë për këtë femër. Çdonjëri prej nesh dashuron disa herë në jetë, besojeni këtë gjë. Mënyrë tjetër është ta falni atë vajzë dhe përsëri të ecni përpara jo me atë, por duke i hedhur sytë diku tjetër. Unë vetë kur dua të ndihem mirë pasi dikush më ka lënduar, e fal atë person. Vetëm kështu ndihem e çliruar dhe e lirë për të vazhduar jetën aty ku e kam lënë. Mendoni se mund të kishit qenë ju ai që mund ta kishte bërë këtë gabim. Askush nuk është perfekt në këtë jetë, të gjithë bëjmë gabime, por nëse ju nuk e kapërdinit dot gabimin e saj, përderisa jeni ndarë, pse të mos vazhdoni përpara pa e menduar më atë vajzë?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *