Në një realitet ku gjithçka matet dhe analizohet me saktësi, ekzistojnë njerëz që arrijnë të ruajnë një botë të brendshme të pasur me ndjenja dhe reflektime. Brikena Kapedani është një prej tyre. E ndarë mes disiplinës së shifrave dhe lirisë së vargut, ajo ka ndërtuar një identitet unik ku logjika dhe arti bashkëjetojnë pa u përplasur. Në këtë intervistë për Intervista.al, Brikena vjen me një rrëfim të sinqertë për jetën, pasionin dhe librin e saj të parë që pritet së shpejti.
-Brikena, si do të prezantoje veten me lexuesin në këtë intervistë të parë për Intervista.al?
–Jam Brikena Kapedani. Vij nga një botë ku gjithçka matet me saktësi, por jetoj edhe në një botë tjetër ku gjithçka ndjehet thellë. Formimi im është në Financë & Kontabilitet, Administrim Publik dhe Master Shkencor në Menaxhim Biznesi. Për mua, të mësuarit nuk përfundon me fakultetin është një proces i vazhdueshëm zhvillimi, i ndërtuar mbi përvojë, trajnim dhe kërkim të vazhdueshëm profesional. Prej më shumë se 20 vitesh jam e angazhuar në fushën e financës dhe kontabilitetit. Kjo eksperiencë u kthye në bazën mbi të cilën ndërtova rrugëtimin tim sipërmarrës, fillimisht me B Plus Group, dhe më pas me MUNDUS GROUP, një strukturë e zgjeruar shërbimesh dhe zhvillimi. Në këtë rrugëtim, një rol i rëndësishëm ka qenë edhe mëmësia, e përjetuar që në një moshë shumë të re, e cila më ka formësuar thellësisht në mënyrën si e shoh jetën, përgjegjësinë dhe ekuilibrin. Paralelisht, shkrimi ka qenë gjithmonë një hapësirë e imja e brendshme nga reflektimi mbi realitetin, deri tek vargjet dhe rrëfimi. Sot jam në prag të botimit të librit tim të parë, një novelë me bazë personale dhe emocione universale, që shumë shpejt do të pasohet nga një përmbledhje poetike. Në thelb, ndërtoj me mendje dhe shprehem me ndjenjë.
-Një kontabiliste që shkruan, çfarë të frymëzon më shumë kur shkruan poezi, njerëzit, natyra apo ndonjë ndjenjë që të kap papritur?
-Më frymëzojnë ndjenjat që vijnë papritur ato që nuk kërkojnë leje dhe nuk paralajmërohen. Shpesh nis nga një detaj i vogël, një mendim, një situatë apo një reflektim mbi njerëzit dhe mënyrën si jetojmë, dhe gradualisht kthehet në fjalë e më pas në vargje. Poezia për mua lind kur një ndjenjë bëhet shumë e fortë për të qëndruar brenda.
-Përveç poezisë dhe kontabilitetit, çfarë tjetër të bën të ndihesh e gjallë dhe e plotësuar?
-Më bën të ndihem e gjallë çdo gjë e thjeshtë, ato momente që shpesh kalojnë pa u vënë re. Një shëtitje e qetë, një ndalesë e vogël në mes të një dite të lodhshme, një kafe pranë liqenit ku mendimet ngadalësohen dhe thellohen, janë ato çaste që më rikthejnë tek vetja. Krijimi, në çdo formë, është pjesë e rëndësishme e jetës sime në biznes, ku ndërtoj ide dhe struktura, dhe në art, ku i jap vetes hapësirë të shprehem pa kufij. Udhëtimi është një tjetër dimension që më mbush. Edhe kur rikthehem në të njëjtin vend, e përjetoj me të njëjtin emocion, si herën e parë një gëzim i pastër, pothuajse fëmijëror.






-Nëse do t’i tregoje lexuesit një “sekret” të vogël për Brikenën, çfarë do të ishte?
-Jam më emocionale sesa dukem. Pas anës së fortë dhe të strukturuar që shfaqet në sipërfaqe, ekziston një botë e brendshme që i përjeton gjërat shumë thellë. Dhe pikërisht aty lind gjithçka që shkruaj.
-Nëse kontabiliteti mat shifrat, ndërsa poezia ndjenjat, ku ndihesh më “e saktë” tek numrat apo tek vargjet?
-Tek shifrat jam e saktë dhe e fokusuar; çdo detaj ka rëndësi dhe çdo vendim kërkon precizion. Është një hapësirë ku gjithçka duhet të jetë e qartë dhe e kontrolluar.Tek vargjet ndjehem e vërtetë dhe e lirë. Poezia nuk kërkon saktësi në kuptimin teknik, por kërkon sinqeritet dhe thellësi, aty çdo fjalë ka peshë dhe çdo ndjenjë gjen vendin e saj. Në njërën botë jam e saktë, në tjetrën jam e vërtetë. Dhe bashkë, ato më përbëjnë.
-A ka ndonjë moment në ditën tënde të punës kur papritur lind një varg poezie? Si bashkëjetojnë këto dy botë brenda teje?
-Jo. Kur jam mes shifrave, jam plotësisht aty. Janë dy botë që kërkojnë përqendrim të plotë dhe që nuk përzihen me njëra-tjetrën. Ndoshta pikërisht kjo ndarje i bën të dyja më të forta dhe më të qarta.
-Në një botë që kërkon logjikë dhe rregull, poezia shpesh është kaos i bukur, a është poezia për ty një arratisje apo një përballje me realitetin?
-Është përballje. Poezia më vendos përballë realitetit pa filtra, ashtu siç është. Është momenti kur jam 100% me veten pa role, pa pritshmëri, vetëm e vërteta ime.
-Nëse do të duhej të përkufizoje jetën tënde me një formulë kontabiliteti dhe një varg poezie, si do të tingëllonin?
-Jetë = Përpjekje + Besim – Frikë. “Pas shtrëngatës së shiut një rreze dielli, pasqyron të gjitha ngjyrat e një ylberi.”
-Di që libri yt i parë po vjen. A është më shumë një rrëfim personal apo një pasqyrë e shpirtit të kohës që jetojmë?
-Është një ndërthurje e të dyjave. Libri im i parë është një novelë me bazë personale, por që prek emocione universale. Ngjarjet mund të ndryshojnë, por ndjenjat janë të përbashkëta për shumë njerëz. Ky është vetëm fillimi, sepse shumë shpejt do të vijë edhe një përmbledhje poetike.
-A mendon se njerëzit që punojnë me shifra kanë një thellësi emocionale që shpesh nuk duket në sipërfaqe?
-Po, shpesh ndodh kështu. Pas disiplinës dhe strukturës fshihet një botë e brendshme shumë më e thellë nga sa duket në sipërfaqe.
-Nëse do t’i jepje një këshillë Brikenës së vogël, do të ishte më shumë praktike si një kontabiliste apo ëndërrimtare si një poete?
-Do t’i jepja një këshillë që bashkon të dyja: të ruajë zemrën e pastër dhe sinqeritetin, por të mësojë të jetë racionale përballë botës. Sepse ndjenja e mban të vërtetë, ndërsa arsyeja e mbron.
-Në një kohë ku gjithçka llogaritet dhe matet, a mendon se arti dhe sidomos poezia, është forma më e pastër e “pasurisë” që nuk mund të kontabilizohet?
-Po, pa dyshim. Ka gjëra që nuk maten me shifra, dhe pikërisht ato kanë vlerën më të madhe. Poezia është një prej tyre , një pasuri që nuk kontabilizohet, por ndihet.
-Në një bilanc jete, cilat janë “fitimet” dhe “humbjet” që të kanë formësuar më shumë si artiste?
-Fitimet më kanë dhënë forcë dhe qartësi, ndërsa humbjet më kanë dhënë thellësi. Të dyja kanë qenë të domosdoshme për të më formësuar si njeri dhe si krijuese.
-Pse disa ndjenja mbeten vetëm për autorin?
-Sepse disa ndjenja janë shumë të thella për t’u ndarë me të tjerët. Nëse do t’i ndanim të gjitha, do të ishim plotësisht të zbuluar përballë botës, dhe do të dukej sikur nuk na mbetet më asgjë vetëm për veten. Prandaj, disa prej tyre zgjedhim t’i ruajmë si një hapësirë personale, që na përket vetëm neve.






