Unë që po ju shkruaj jam një vajzë 17 vjeçare. Shpeshherë i kam lexuar historitë nga jeta që botohen në gazetën tuaj, por asnjëra prej tyre nuk ngjason me historinë time. Vendosa që unë të tregoj problemin tim, që ju miq të kësaj gazete të më ndihmoni duke më treguar mënyrën se si mund ta heq këtë ankth që më ka mbërthyer. Unë jam vajza e vogël e familjes dhe kam edhe tre motra të tjera, të cilat janë më të mëdha sesa unë. Dy janë të martuara, njëra është në shkollën e lartë dhe unë jam në vitin e dytë të gjimnazit. Pa folur më tej për detaje të tjera po ju tregoj se ku qëndron problemi im dhe pasojat që po përjetoj çdo ditë. Kur linda unë, babi im, vendosi të më vërë emrin e nënës së tij, pasi ajo e kish lënë atë jetim qëkur babi im kishte qenë 17 vjeç dhe gjyshi nuk ishte martuar më. Gjyshja, e cila nuk jeton më, e kishte emrin Merushe dhe të njëjtin emër babi ma vendosi edhe mua. Unë këtë gjë nuk e dija, deri në moshën 15 vjeçe, kur nëna ime më tregoi se emri im u regjistrua më shumë me dëshirën e gjyshit, pasi ai pretendonte se çdo ditë i dilte në ëndërr gruaja e vdekur, e cila i thoshte: “Unë do të vij përsëri në jetë dhe do jem në familjen tuaj”.
Këtë gjë unë e dëgjova nga goja e mamit dhe nga kureshtja e pyeta edhe gjyshin, i cili më konfirmoi fjalët që më kish thënë mami im. Që prej asaj dite, shpirti im nuk ka ndjerë më qetësi, më dukej sikur brenda meje nuk ishte shpirti im, por shpirti i gjyshes dhe, që prej asaj dite, unë nuk isha më vetvetja. Kisha filluar të rrija e menduar dhe të mos flisja ose flisja shumë pak. Në ëndërr më dilte gjithmonë një plakë, e cila pretendonte se ishte gjyshja ime dhe më thoshte: “Unë jam brenda teje, ti kurrë nuk do të shpëtosh prej meje”. Kjo situatë ishte vërtet e tmerrshme… Kisha frikë të flija gjumë, se mos më dilte ajo plakë në ëndërr dhe me tmerronte. Kishin kaluar gati dy muaj dhe unë vetë kisha filluar ta kuptoja se ky fakt kishte filluar të bëhej shumë problematik për mua. Në ditën e ditëlindjes sime, kur mbusha 16 vjeçe, erdhën hallat dhe më uruan. Po kështu, edhe xhaxhallarët. Ata, çdo vit, kishin ardhur dhe e kishin bërë këtë gjë, por ajo ditë nuk e di se pse më dukeshin ndryshe bisedat, në urimet dhe përkëdheljet e tyre. Shikoja se ato më donin më shumë se motrat e mia. Të gjithë këtë e kuptoja përse e bënin, sepse ato më donin ngaqë unë mbaja emrin e nënës së tyre. Unë isha vajza më e përkëdhelur si prej tyre, ashtu edhe prej babait tim, por kjo gjë më bezdiste shumë. Pikërisht atë ditë kur unë e dija edhe arsyen pse kishin atë dashuri ndaj meje, nuk mund t’i duroja dot. Në një moment bërtita me të madhe:
“Boll më, me këtë falsitet!”.
Nëna m’u afrua dhe po më pyeste se çfarë pata dhe unë përsëri vazhdova: “Ju nuk më doni mua, por emrin që unë mbaj”.
Të gjithë u habitën me sjelljen time, por unë fillova të qaja me të madhe duke iu drejtuar babit tim: “Pse ma vendose pikërisht mua këtë emër? Pse duhet ta gëzoj unë emrin e nënës tënde që dhe ajo vetë nuk e gëzoi?”.
Hallat filluan të më thonin se duhet ta kisha për nder që po mbaja emrin e nënës së tyre, se ajo ishte zonjë grua. Aty pastaj plasi sherri dhe mbaj mend nënën që më mori te dhoma e saj dhe e trembur më pyeste se çfarë kisha që sillesha ashtu. I thashë se doja ta ndërroja emrin tim, por ajo nuk më kuptonte e direkt ma kthehu:
“Kjo është e pamundur, do të ishte një ofendim i rëndë për babanë tënd nga ana jote”.
Pas asaj bisede me mamanë time, nuk e hapa më gojën, e kisha të kotë që të flisja, por u mbylla në veten time dhe nuk doja as të haja, as të pija, doja vetëm të rrija e mbyllur në dhomë dhe të flija; më dukej sikur nuk ngopesha me gjumë. Gjithë këtë situatë mamaja ime e diskutoi me babin dhe ai u mërzit shumë sepse e para gjë që mendoi ishte se unë nuk e doja emrin tim ngaqë ishte i vjetër. Kjo ishte njëra nga arsyet, por jo më kryesorja. Edhe pse emrin e kisha Merushe, shoqet më thërrisnin Meri dhe ky nuk përbënte ndonjë problem të madh. Babi im më tha:
“Jam dakord që ti ta ndërrosh emrin, kështu nuk ke për t’u ndjerë e ofenduar nga shoqëria”.
U mundova t’ua shpjegoja arsyen, se gjyshja më dilte çdo ditë në ëndërr, por ata nuk më besonin, babi u ndje shumë i ofenduar, pasi mendoi se kjo kërkesë e imja ishte një tekë e moshës. Babi im u interesua në gjendjen civile dhe me dëshirën time ai më vendosi emrin “Meri”, shkurtimin e emrit Merushe, por dita që kam ndërruar emrin ka qenë edhe dita më e keqe për mua. Gjyshja e vdekur më doli në ëndërr duke më thënë se bëra gabimin më të madh të jetës, se kudo nëpër botë trashëgohen emrat e familjarëve, “ndërsa ti je një vajzë e keqe, që do qash gjithë jetën për fatin tënd”, më tha. E tmerruar bërtita në ëndërr dhe të gjithë erdhën në dhomën time. Mezi e mblodha mendjen, zemra më rrihte me shpejtësi. Vetëm atë ditë prindërit e mi e kuptuan se unë nuk po tallesha për atë që isha duke përjetuar, të gjithë u bënë merak për mua dhe ditën tjetër më prenotuan takim te një psikologe. Kam gati dy javë që ndjek seancat me të, por nuk kam asnjë lloj përmirësimi. Psikologia më thotë se ka të bëjë me ndërgjegjen time dhe asgjë tjetër, është thjesht fakti që mua më rri në mendje ideja se mbaj emrin e një të vdekuri dhe kjo, është një lloj frike që kërkon edhe përkushtimin nga ana ime për ta harruar këtë dhe për të ecur në jetë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ajo përpiqet të më shpjegojë se të gjitha familjet ngjallin të dashurit e tyre të vdekur dhe kjo është një traditë që nuk e ka vendosur familja ime, por edhe shumë të tjera si brenda vendit, ashtu edhe jashtë.
Vendosa t’jua tregoja juve sikletin që kam, me mendimin se ndoshta ndonjë person është përballur me të njëjtin problem që po kaloj unë. Nëse po, ju lutem, më tregoni se si e keni kaluar ose më jepni ndonjë këshillë që ju duket e përshtatshme për rastin tim. Jam në moshën më të bukur të jetës sime dhe duhet të mendoja për gjëra më të bukura që kanë të bëjnë me jetën e të ardhmen time dhe jo të vuaj për një fenomen siç është trashëgimi i një emri prej familjarëve të mi. Ai për të cilën vuaj më shumë është dhe fakti se të gjithë njerëzit e mi nga fisi i babit, mendojnë se unë thjesht nuk pëlqej emrin, pasi jam në një moshë delikate dhe dua më të mirën për veten time. Ata s’kanë për të më kuptuar, as për të më besuar dhe për këtë gjë, më vjen vërtet shumë keq. Shpresoj që hallat e mia ta lexojnë historinë time në këtë gazetë, në mënyrë që ato të reflektojnë për atë që unë po kaloj sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *