Pas vlerësimit si “Vokalistja më e mirë e jugut” nga Art Center Blue Sky, këngëtarja Elona Cenaj vjen në këtë intervistë me një rrëfim të ndjerë për emocionet, rrugëtimin artistik dhe dashurinë që ka për muzikën e jugut. Me një zë që përcjell ndjenjë dhe një qasje të sinqertë ndaj artit, ajo flet për skenën, publikun dhe ëndrrat që synon të realizojë në vitet e ardhshme.
-Elona, si e përjetove momentin kur u shpalle “Vokalistja më e mirë e jugut” nga Hitet Verore të Art Center Blue Sky?
-Ka qenë një emocion shumë i madh për mua. Kur dëgjova emrin tim si fituese e çmimit ‘Vokalistja më e Mirë e Jugut’, ndjeva krenari, lumturi dhe shumë mirënjohje për publikun që më ka mbështetur. Ky vlerësim është një motivim edhe më i madh për të punuar fort dhe për të sjellë projekte akoma më të bukura në muzikë.
Falënderoj familjen, bashkëpunëtorët dhe çdo person që beson tek unë dhe arti im.
-Çfarë do të thotë ky çmim për ty në këtë fazë të karrierës?
-Ky çmim është një nga momentet më të veçanta në rrugëtimin tim artistik. Përveç emocionit, ai më bën të kuptoj se puna, përkushtimi dhe dashuria për muzikën shpërblehen. Për mua është një shtysë shumë e madhe për të ecur përpara me më shumë përgjegjësi dhe ambicie.
Ndihem e lumtur që publiku dhe arti im po vlerësohen, dhe kjo më motivon të sjell projekte edhe më të forta në vazhdim të karrierës.
-Kur e ke ndjerë për herë të parë që muzika ishte rruga jote?
-E kam ndjerë shumë herët që muzika ishte pjesë e shpirtit tim. Mbaj mend që kur isha e vogël këndoja pa pushim dhe humbisja në botën time sa herë dëgjoja muzikë. Ishte mënyra ime për të shprehur emocionet, gëzimet dhe edhe dhimbjet. Në një moment e kuptova që nuk mund ta shihja jetën time larg skenës dhe këngës. Muzika u bë vendi ku ndihesha më e vërtetë me veten time, dhe aty lindi ëndrra ime më e madhe.
-Çfarë e bën zërin tënd të veçantë sipas teje?
-Besoj se ajo që e bën zërin tim të veçantë është emocioni që përpiqem të përcjell sa herë këndoj. Për mua, zëri nuk është vetëm teknikë apo interpretim, është shpirt.
Mundohem që çdo këngë ta jetoj dhe ta ndjej, që publiku të mos dëgjojë vetëm një melodi, por të ndjejë një histori dhe një emocion të vërtetë.
Ndoshta pikërisht kjo sinqeritet dhe dashuri për muzikën e bën zërin tim unik.




-Sa ndikim ka muzika e jugut në stilin tënd artistik?
-Unë mendoj që kënga e jugut ka lënë gjurmë shumë të forta në shpirtin dhe stilin tim artistik. Është një muzikë që mbart shumë ndjenjë, elegancë dhe dhimbje të bukur brenda saj. Duke u rritur me ato këngë, kam mësuar të interpretoj me emocion dhe jo vetëm me zë. Edhe sot, në çdo performance timen, mundohëm të përcjell atë ngrohtësi dhe autenticitet që e karakterizon muzikën e jugut. Është një pjesë e identitetit tim artistik dhe nuk do të largohet kurrë nga unë.
-A ke një këngë që e ndjen më shumë se të tjerat kur e këndon live?
–Po, ka gjithmonë këngë që të prekin pak më thellë se të tjerat. Nuk është domosdoshmërisht vetëm një, por disa prej tyre i ndjej më afër zemrës sepse lidhen me emocione personale ose me histori që më kanë prekur. Kur i këndoj, nuk i shoh thjesht si këngë, por si momente që i jetoj përsëri. Pikërisht kjo e bën muzikën time të sinqertë, sepse çdo interpretim vjen nga ndjenja e vërtetë.
-Si përgatitesh zakonisht për një performancë në skenë?
-Para një performance në skenë, përgatitem duke bërë ngrohjen e zërit dhe duke përsëritur këngët që do interpretoj. Mundohëm të jem e qetë dhe e fokusuar, duke marrë frymëmarrje të thella para se të dal në skenë. Kujdesem edhe për hidratimin dhe energjinë. Për mua, më e rëndësishmja është të lidhem me publikun dhe të përcjell emocion në çdo performance.
-Cili ka qenë momenti më emocionues që ke përjetuar me publikun?
-Një nga momentet më emocionale ka qenë kur publiku ka kënduar bashkë me mua një këngë nga fillimi deri në fund, pa ndalur. Në atë çast ndjeva një lidhje shumë të fortë me ta, sikur skena dhe publiku u bënë një. Ishte një emocion i veçantë që nuk harrohet lehtë dhe më ka motivuar edhe më shumë në rrugën time artistike.
-Çfarë synimesh ke pas këtij çmimi, ku e sheh veten në vitet e ardhshme?
-Pas këtij çmimi, e shoh veten si një artiste që sapo ka hedhur një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj. Për mua është një emocion i veçantë, sepse më jep ndjesinë se puna dhe përkushtimi nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Në vitet që vijmë, synimi im është të rritem edhe më shumë artistikisht, të sjell këngë që prekin njerëzit dhe të ngjitem në skena gjithnjë e më të mëdha, duke ruajtur gjithmonë emocionin dhe dashurinë për muzikën që më ka sjellë deri këtu.
-Çfarë mesazhi do t’u jepje te rejave e të rinjve që duan ti futen botës së muzikës?
-Mesazhi im për të rinjtë që po hyjnë në botën e artit është të jenë të vërtetë me veten dhe të mos humbasin pas ëndrrave të shpejta. Arti nuk është rrugë e lehtë, por është një rrugë që të shpërblen kur e bën me zemër dhe me punë të palodhur.
Besoni te talenti juaj, por punoni çdo ditë për ta përmirësuar atë. Mos u frikësoni nga kritikat apo vështirësitë, sepse ato ju bëjnë më të fortë dhe më të veçantë si artistë.






