Ajo do të çuditet kur ta shohë të botuar këtë shkrim, sepse as nuk ma kërkoi për ta bërë dhe as unë nuk i thashë se do të shkruaja diçka për të.
Ideja për të shkruar për të më lindi pasi ndoqa veprimtarinë që ajo organizoi disa ditë më parë në një sallë të stërmadhe në Athinë, me shoqatën Bashkimi I Fierakëve në Greqi-APOLLONIA. Salla ishte mbushur plot e përplot. Rreth 500 fierakë kishin ardhur për të ndjekur këngëtaren Era Rusi, e cila ishte ftuar së bashku me grupin e këngës popullore dhe atë të valleve fierake.
Në fakt, pas përfundimit të aktivitetit, mendova se aty njerëzit nuk kishin ardhur as për Erën, as për grupin e artistëve fierakë. Ata kishin ardhur për të qenë bashkë me njëri-tjetrin, për t’u parë, për të folur e për t’u njohur me njëri-tjetrin. Kishin ardhur sepse i kishte bërë thirrje shoqata, sepse i kishte thirrur ajo grua që unë e quaj “të veçantë”, madje të çuditshme.
Të çuditshme, sepse kurrë nuk i kam shpjeguar disa veprime të saj, edhe pse e njoh prej kohësh; të çuditshme, sepse nuk e shpjegoj dot se ku e gjen ajo gjithë atë kohë, gjithë atë forcë për të përballuar gjithë atë ngarkesë. Dhe nuk është fjala vetëm për ngarkesën e një eventi të tillë si ai i së dielës, ku, po të flasim me gjuhën e spektaklit, ajo ishte edhe organizatore, edhe producente, edhe skenariste, edhe drejtuese.
Madje, si për të më çuditur akoma më shumë, ajo merrte edhe mikrofonin për të kënduar bashkë me këngëtarët, shumë këngë njëra pas tjetrës, madje, mes këngëve, kapte në majë të gishtave shaminë dhe udhëhiqte edhe vallet.





Ku e gjen fuqinë ajo grua? Ku e gjen kohën që të merret edhe me punët e biznesit të saj, edhe me dy vajzat binjake, edhe me punët e shtëpisë, por edhe me hallet e shoqatës?
Dhe shoqata e saj nuk është si ato dhjetëra, qindra apo mijëra shoqata që gjëlojnë në Shqipëri apo jashtë saj, që regjistrohen në gjykatë, zgjedhin një kryetar që kapardiset nëpër podiume, jep ndonjë intervistë e ngroh xhepat me fonde. Shoqata që drejton ajo punon vërtet. Ajo ka arritur të bëhet një pikë referimi për të gjithë fierakët në Athinë e mbarë Greqinë.
Një thirrje të bëjë shoqata dhe fierakët i ke gati, jo vetëm për qejf, këngë e valle (ato i bëjnë me shumicë), por edhe për punë reale, për sakrifica.
Ata nuk bëjnë shumë bujë, ndaj pak e dinë se ndihmat më të mëdha nga Greqia, kur ra tërmeti në Shqipëri, i sollën pikërisht ata, fierakët e shoqatës Bashkimi I Fierakëve në Greqi-APOLLONIA”. Pak njerëz e dinë që, sapo ndonjë fierak, i shoqatës apo jo, ka ndonjë hall, pëson ndonjë aksident apo ndodhet i sëmurë në spital, nga të parët që shkojnë ta vizitojnë janë ata, apolloniasit, dhe ajo gruaja e çuditshme që gjen kohë për të gjitha.
Dhe meqë përmenda ndihmat, nuk mund të rri pa përmendur edhe diçka tjetër: paratë, financat e shoqatës. Më thoni, kush nuk ka dëgjuar të paktën një shoqatë që bën aktivitete, mbledh ndihma dhe paratë përfundojnë në xhepat e kryetarit apo të bordit, që shpesh përbëhet nga anëtarë të familjes së tij?
Ndaj sot shohim dhjetëra kryetarë shoqatash e fondacionesh bamirëse me vila e biznese marramendëse. Me shoqatën Bashkimi i Fierakëve në Greqi-APOLLONIA” nuk është kështu. Kryetarja nuk merret fare me paratë. Për këtë ka një financier, që numëron të ardhurat nga aktivitetet apo kuotat dhe i përdor ato për çdo nevojë e shpenzim. Dhe ky financier kontrollohet nga bordi, i cili nuk zgjidhet nga kryetarja, por nga të gjithë anëtarët e shoqatës.
Pra, a nuk është e çuditshme një kryetare e tillë, që harxhon kohën e saj pa përfituar asgjë? A nuk janë të çuditshëm edhe ata anëtarë që paguajnë rregullisht kuotat, në një kohë që në Shqipëri as anëtarët e partive nuk paguajnë më?
Ndoshta kanë të drejtë, sepse e shohin se paratë shpesh ndahen mes kryetarëve dhe servilëve të tyre, ndërsa të tjerëve u mbeten vetëm duartrokitjet nëpër mbledhje. Ndaj shoqata shoqata Bashkimi i Fierakëve në Greqi-APOLLONIA” dhe kryetarja e saj janë të çuditshme…
Shumë herë e kam pyetur veten pse harxhon kohën ajo me diçka që nuk i jep para. Madje, disa herë e kam pyetur edhe vetë atë. Përgjigjet kanë qenë të ndryshme. Ajo që më ka mbetur në mend është se paraja nuk është gjithçka, se ajo nuk i jep kënaqësinë që i jep qenia mes njerëzve, kënaqësia që ndjen kur ata i thonë “faleminderit” pasi janë kënaqur në një aktivitet apo pasi kanë ndihmuar dikë në nevojë.
Ndoshta kjo ka ardhur edhe nga malli për skenën, për komunikimin me publikun, pasi ajo u largua nga skena profesioniste e estradës së famshme të Fierit drejt emigrimit. Ndaj ajo krijoi shoqatën, me shpresën se do t’i kompensonte mungesën e publikut dhe të duartrokitjeve, jehona e të cilave të shoqëron për orë e ditë të tëra pas shfaqjes.
Por ndoshta dëshira për të ndihmuar njerëzit ka edhe diçka personale, diçka që buron nga brenda shpirtit të saj. Të gjithë të njohurit e përbashkët më thonë se shpesh (më shpesh se ç’është normale) ajo i pyet nëse kanë nevojë për ndonjë gjë dhe nëse mund të bëjë diçka për ta. Kështu më ka pyetur dhe më pyet edhe mua.
Ndaj them se është e çuditshme ajo grua… Është vërtet e çuditshme.
Dhe që të mos bëhem edhe unë i çuditshëm, po jua them edhe emrin e saj: Elida Sopoti quhet.






