-Adel, na trego pak më shumë, ku e pati fillesën ideja e një sipërmarrjeje si kjo e jotja, punime dore me grep?

-Fillesa ka nisur që në fëmijëri, kur gjyshet tona na merrnin pranë dhe na mësonin grepin, pasi teknologjia nuk na kishte përfshirë ende. Më pas, idea e një sipërmarrjeje erdhi si nxitje nga një mike e imja stiliste, ku realizova për të disa veshje që ishin më “in”. Ajo më sugjeroi më pas reklamimin në rrjete sociale, dhe pastaj nisa të punoj me porosi.

-Pse ke zgjedhur pikërisht të bashkosh dy kohë të tilla si të shkuarën dhe traditën me të tashmen?

-Ndërthurja midis tradicionales e modernes u jep vlerë veshjeve, i bën më të veçanta e më të bukura, por edhe duke mos humbur traditën e artizanatit.

-Çfarë të frymëzon për të krijuar art me grep?

-Frymëzimi vjen nga puna e përditshme, nga synimi për realizimin përfundimtar, karakteret e njerëzve…

-Më shumë pasion apo profesion?

-Nisi si pasion por tashmë është profesion.

-Si krijohet një punim i ri nga ty, cilat janë hapat që ndiqen?

-Një krijim i ri nis me zbërthimin e modelit, numërimin e thurjeve me gajtanin (zinxhirin) dhe mbushjen.

-Sa kohë të merr një punim, le të themi një veshje plazhi?

-Punimet e veshjeve të plazhit marrin dy-tre ditë pune, por gjithmonë varet nga ndërthurja e modelit.

-Si funksionojnë krijimet, dizenjon e zgjedh klienti apo këtij të fundit i serviren opsione të ndryshme zgjedhjeje?

-Zakonisht funksionon duke i sugjeruar mundësi klientit sipas përmasave të trupit, por dhe duke biseduar mbi pëlqimet e tyre. Pra, modelet kanë ndërthurje.

-Sa e vështirë është të kesh sukses me një sipërmarrje handmade në Shqipëri? A vlerësohet ajo sa duhet?

-Në Shqipëri, si çdo biznes tjetër, ka vështirësitë e veta. Me punimet ‘handmade’ duhet më shumë përkrahje nga shteti, si për tregjet e reja, ekspozimin e prodhimeve, apo fondet në fillesa. Punimet me dorë kanë nisur të vlerësohen këto vitet e fundit dhe po rikthehen në modë.

Si e mendon të ardhmen e punës tënde?

-Të ardhmen e Adel e mendoj një atelier të prodhimeve ‘handmade’ ku çdo ditë të realizohen punimet e thurura me dashuri e përkushtim.

Instagrami

https://instagram.com/adel.art.handmade?igshid=YmM0MjE2YWMzOA==

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *