Sot muzika shpesh ndalet në sipërfaqe por Albana Barçi vjen ndryshe. E ndjerë, e sinqertë dhe thellësisht emocionale, ajo nuk këndon thjesht, ajo rrëfen ndjesi. Me projektin e saj të parë të mirëfilltë në Albania Showbiz, këngën “Kë po gënjen”, Albana sjell një dimension të brendshëm të artit, ku fjala dhe ndjenja shkrihen në një. Në këtë intervistë, ajo na fton të hyjmë në botën e saj, aty ku muzika nuk është vetëm tingull, por përjetim.

-Albana, hera jote e parë si pjesë e Albania Showbiz. Në klipin tënd të parë të mirëfilltë, “Ke po gënjen”, a të ka ndodhur ndonjëherë që gjatë interpretimit të ndjesh sikur nuk je më duke kënduar, por duke rrëfyer një të vërtetë që s’e ke thënë kurrë me zë?

-Po, më ka ndodhur. Ka momente që nuk e kam ndjerë veten duke kënduar, por duke bërë një rrëfim të jetës sime. Përjetimi ka qenë real, sikur kam qenë në një botë tjetër, sikur vërtet më ka ndodhur mua. E ndjen gjithë trupi nga fjalët prekëse, metaforat dhe ato që të godasin aq mjeshtërisht, sa përhumbesh dhe harron se je duke kënduar. Jam futur thellë në ndjesi, sapo fillon muzika është shumë prekëse. Nuk është se e kam kënduar thjesht, ka qenë një interpretim pa zë, më shumë një përjetim.

-Si ishte për ty të “veshësh” me zë një tekst të shkruar nga Aurel Thellimi? A të sfidoi më shumë apo të frymëzoi më thellë?

-Ishte një privilegj dhe kënaqësi, një vlerësim për mua. Ata panë vlerat e mia. E solla me ndjenjë, sfidova veten dhe e kam shijuar shumë. E kam interpretuar me ndjenjë dhe e kam kënduar me shpirt.

-Bashkëpunimi me Mario Bregu në kompozim, a të çoi drejt një zone të re muzikore që nuk e kishe eksploruar më parë?

-Bashkëpunimi me Marion më çoi drejt një risie të re dhe u ndjeva shumë komode. Ishte një eksperiencë e veçantë dhe pse jo, do të doja edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

-Nëse “Ke po gënjen” do të ishte një poezi e recituar nga ti dhe jo një këngë, si do të ndryshonte emocioni që përcjell?

-Nëse do të ishte një poezi e recituar, emocioni do të ishte më i drejtpërdrejtë, ndoshta më i zhveshur. Ndërsa në këngë merr një dimension tjetër, më të qetë dhe më të thellë.

-Ti je edhe një interpretuese e veçantë e poezisë, kur je në studio, mendon si këngëtare apo si recituese?

-Mendoj diku në mes të dyjave. Nëse interpretoj poezi, e ndjej si poezi. Nëse këndoj, përsëri e ndjej si poezi dhe më pas e sjell si këngë me ndjenjë.

-Cili është momenti më i vështirë gjatë realizimit të një klipi profesional: përballja me kamerën apo përballja me emocionin që duhet të duket real?

-Momenti më i vështirë është përballja me emocionin. Me kamerën nuk kam problem, sepse jam mësuar nga daljet e shpeshta me poezi dhe këngë. Kamera është një mjet, ndërsa ndjenja duhet të jetë e vërtetë që të përcillet tek njerëzit. Duhet të prekë zemrat e tyre, ashtu siç më prek mua.

-Në këtë këngë, a i flet më shumë gruas si publik… apo vetes tënde në një moment të caktuar të jetës?

-Kjo këngë i flet publikut, por njëkohësisht është edhe një dialog me veten. I flet botës së brendshme. Mendoj se jo vetëm unë, por shumë njerëz e gjejnë veten tek kjo këngë.

-Në një botë ku gjithçka duket perfekte në ekran, sa e rëndësishme është për ty të tregosh edhe “thyerjet” dhe të vërtetat e brendshme përmes artit?

-Për mua është shumë e rëndësishme të jem e sinqertë përmes zërit tim. Dua të përcjell lot, gëzim dhe emocion tek njerëzit, që ata të më ndjejnë në zë dhe në interpretim.

-Nëse do të duhej ta përshkruaje këtë projekt me vetëm tre fjalë, cilat do të ishin dhe pse pikërisht ato?

-E sinqertë, e ndjerë dhe e heshtur, sepse në këtë këngë flasin më shumë ndjenjat sesa fjalët.

-Pas kësaj kënge dhe klipi, çfarë forme arti të tundon më shumë për të eksploruar më tej muzikën, poezinë apo një kombinim më të guximshëm mes tyre?

-Më tundon një gërshetim i poezisë me muzikën. Mendoj se krijohet diçka personale, unike, e fuqishme dhe e veçantë.

Burimi: Albania Showbiz

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here