Të gjitha gratë, brune apo bionde qofshin, duken bukur me buzëkuq, mjafton që të zgjedhin ngjyrën e duhur. Buzëkuqi është një “simbol kozmetike” që u shkon të gjitha grave, të të gjitha moshave dhe ngjyrave. Ai bën të bukur çdo fytyrë, mjafton të zgjidhet në bazë të ngjyrës suaj të lëkurës. Gjithashtu, në zgjedhjen e ngjyrës luan rol edhe stina dhe tekstura e tij, së bashku me madhësinë e buzëve.

 

Grave që kanë lëkurë ngjyrë gruri dhe zakonisht, janë brune, por që kanë një bazë ngjyre lëkure të verdhë, u shkon më shumë buzëkuqi që anon nga portokallija. Në thelb, u shkojnë ato ngjyra buzëkuqesh që kanë edhe pak të verdhë brenda.

Grave me ngjyrë lëkure të bardhë, që kanë si bazë ngjyrën rozë, u shkojnë të gjitha buzëkuqet me një paletë ngjyrash që shkon nga roza në vjollcë. Kujdes, ngjyrat e forta si ngjyrat alle dhe çiklamini, duhen përdorur vetëm në darkë.

 

Stina

Këtu gjërat janë të thjeshta. Pasi kemi zgjedhur ngjyrën që na shkon, sa më shumë hapet koha, aq më shumë hapet edhe ngjyra. Tonalitetet e errëta nuk janë të përshtatshme në verë. Kujdes, tonalitetet shumë të errëta të së kuqes kanë tendencë të na i tregojnë dhëmbët të verdhë. Provojini mbi lëkurë para se t’i blini.

 

Madhësia e buzëve dhe tekstura e buzëkuqit

Edhe këtu zgjidhja është e lehtë; sa më të mëdha të jenë buzët, aq më mat duhet të jetë tekstura e buzëkuqit dhe sa më të vogla, aq më me shkëlqim duhet të jetë ai, që t’i vërë në dukje dhe t’i zmadhojë. Kujdes, buzët e trasha me buzëkuqë me shkëlqim nuk duken fare të bukura. Nëse doni t’i theksoni pak për një grim mbrëmjeje, atëherë vini pak shkëlqyes të tejdukshëm përmbi buzëkuqin mat, vetëm në qendër të buzës, në atë pjesë që është në formë zemre.

 

Konturi

Kur të bëni konturin e buzëve, zgjidheni lapsin me ngjyrë sa më të afërt me buzëkuqin tuaj, as më i errët, as më i hapur. Kujdes, buzëkuqi duhet aplikuar tamam në formën e buzëve tuaja, jo jashtë konturit të tyre, sepse në këtë rast, do të dukeni sikur ju ka shkarë dora dhe jeni përlyer. Atë trukun, duke i lyer pak jashtë konturit normal të buzëve, që ato të duken më të mëdha, bëjeni vetëm me ngjyrat natyrale dhe të hapura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *