Kënga e saj është një ndër më të bukurat e këtij edicioni të Top Fest. Por, kush fshihet pas këngës, ç’domethënie ka “Dhoma 609”, çfarë të rejash kemi nga Beatrixi? Këto dhe disa sekrete të tjera të vogla Beatrixi na i tregon gjatë bisedës sonë. E përhumbur mes pyetjesh që i pëlqejnë, biseda me të bëhet edhe më interesante…

 

Mia.B: – Beatrix, “Dhoma 609” me të cilën merr pjesë në Top Fest, është mjaft sensuale. E kujt ishte ideja?

Beatrix Ramosaj: – Si ide filloi nga një refren që kisha krijuar kohë më parë. E paraqita te  “TullProductions” dhe bashkë me çunat e studios, Brizi dhe Indriti, e zhvilluam si këngë.

– Ka ndonjë domethënie të veçantë titulli?

– Pashë në ëndërr një derë me numrin 609.

– Në Top Fest, kthehesh me bindjen se do të fitosh, apo thjesht për të paraqitur një projekt të mirë muzikor?

– Jam artiste dhe performimi më bën të lumtur; lumturinë time e shpërndaj me fansat. Nuk pres asgjë, përveçse të arrijë të pëlqehet nga publiku.

– Çfarë gjete te bashkëpunëtorët e kësaj kënge, që nuk e ke gjetur te bashkëpunëtorët e tjerë?

– Kam patur fatin e mirë të bashkëpunoj me individë artistë dhe të kuptueshëm. Kam patur mundësinë të shprehem dhe të bëj ç’të dua me çdo bashkëpunëtor.

– Sa herë që realizon diçka të bukur, ke nevojë edhe për ndonjë kritikë që të prishë syrin e keq apo nuk i mirëpret kritikat?

– Konsultohem me familjen për çdo gjë.

– Je gjithnjë shumë e kujdesshme për pamjen tënde. Cilat janë ditët kur nuk i kushton rëndësi pamjes?

– Kur nuk kam asnjë angazhim, e kam ditën totalisht të lirë dhe kam mundësinë të bëj ç’të dua… Tani që e mendoj, edhe në ato ditë kam qejf të zbukurohem. (Qesh)

– Më thuaj komplimentin më të çuditshëm që të kanë bërë së fundi…

– Nuk ka ndonjë kompliment të çuditshëm, por kam hasur në kompliment të guximshëm të tipit: “Dua të martohem me ty”.

– Fama të privon nga shumë gjëra. Nga çfarë të ka privuar ty?

– Nga asgjë. Unë e bëj jetën time si të dua. (Buzëqesh)

– E papritura e fundit që të ka ndodhur…

– Kam takuar njerëz të mirë. (Buzëqesh)

– Diçka prej së cilës ke hequr dorë?

– Kam hequr dorë nga ushqimet jo të shëndetshme. (Qesh)

– Talenti yt i fshehur…

– Besoj se di të bëj muzikë të mirë, ky është talenti im, për të cilin kam vite që punoj. Nëse do të kisha një talent të fshehur, nuk do ta lija të vdiste.

– Dita nis bukur për ty, atëherë kur…

– Kur më vjen një mesazh: “Good Morning Angel” (Mirëmëngjes engjëll).

– Ky mesazh më vërteton mendimin se, për vajzat e bukura, vështirë të besohet se janë singëll…

– (Qesh) E bukura është gjithmonë e vështirë për t’u besuar.

– Çfarë u mungon meshkujve shqiptarë, në përgjithësi?

– Toleranca.

– Çfarë mendon për shpirtin binjak?

– Të përmbushë mangësitë e mia.

– Do t’i përzieje punën me ndjenjat?

Ndjenja është gjithmonë më e madhe se puna; mundohem të mbaj një balancë mes tyre, por në fund, njëra është gjithmonë më e fortë.

– Cila është mosha jote e brendshme?

– Ajo kur femra ëndërron për princin e saj të kaltër.

– Nëse i dashuri do ta harronte ditëlindjen tënde, do ta lije?

– Nuk do ta lija, por do t’i mbaja inat.

– Një pjesë të mirë të ditës e kalon në fakultet. Po pjesën tjetër?

Me ata që më do zemra. (Buzëqesh)

– Cila ka qenë eksperienca që të ka vlejtur më shumë në jetë?

– Të performuarit në skenë, më ka rritur.

– Jeta të jep shumë kohë për të kuptuar shumëçka, por nuk jep kohë për të realizuar gjithçka. Sa nga ato që ke ëndërruar gjithnjë, i ke realizuar sot?

– Jam duke i realizuar…

– Mendon se ke lindur në epokën e duhur?

– Besoj se kam lindur dikur në epokën e duhur dhe besoj se kam rilindur në epokën e duhur, ku mund të përmirësohem.

– Si e imagjinon veten pas 10 vjetësh?

– Do të doja shumë ta dija edhe unë… (Buzëqesh)

– Çfarë do të jesh duke bërë nesër?

– Rutinën e përditshme. Shpresoj të surprizohem.

– Nëse do të merrje pjesë në një duel muzikor, kë do doje të kishe përballë?

– Një pretendent sfidues.

– Ka diçka që do të ma thuash pa të pyetur?

– E dua veten time!

 

 

Intimisht me Beatrixin

– Çfarë gjendet në dhomën tënde?

– Kujtime.

– Çfarë mbizotëron aty?

– Kujtime.

– Cilën pjesë të kohës kalon në dhomë?

– Pjesën ku reflektoj me veten.

– Është arreduar ajo sipas shijeve të tua?

– Ka stilin që më përshtatet.

– Në dhomën tënde të pëlqen të organizosh pizhama parti apo mbrëmje të qeta me nga një gotë verë?

– Të dyja.

– Çfarë bën në ditët kur mbyllesh në dhomë gjatë gjithë kohës?

– Reflektoj.

– Çfarë e bashkon dhomën e Beatrixit me “Dhoma 609”?

– Pasioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *