Nuk kemi asgjë materiale, por kemi diçka të mrekullueshme në duar, që nuk është vetëm e Qerimajve, por i përket edhe kulturës shqiptare.
Ka emra që nuk lidhen vetëm me një artist, por me një histori të tërë familjare, me një pasuri që përcillet brez pas brezi dhe me një trashëgimi që merr jetë përmes tingujve. Familja Qerimaj është një prej atyre dinastive artistike ku muzika nuk është thjesht profesion, por pjesë e identitetit, kujtesës dhe shpirtit familjar.
Kloudennas Qerimaj, e njohur për publikun si Klodi, u rrit mes tingujve të violinës, duke e përjetuar artin fillimisht si pjesë të përditshmërisë dhe më pas si një rrugëtim të sajin. E intervistuar nga ne që në moshën trevjeçare, ajo rikthehet sot për të ndarë kujtime, sfida dhe emocione nga një jetë e ndërtuar mes muzikës, studimit dhe skenës.
Në këtë bisedë, Klodi rrëfen se çfarë do të thotë të mbash mbi supe mbiemrin Qerimaj, sakrificat që fshihen pas një performance të bukur, momentet kur violina është bërë pjesë e pandashme e identitetit të saj dhe dëshirën për ta përcjellë këtë trashëgimi edhe te vajza e saj.
Një rrëfim për talentin, përkushtimin dhe një pasuri artistike që nuk matet me vlerë materiale, por me atë që lë pas në kulturën shqiptare.
-Kloudennas ose Klodi, siç të njohin të gjithë, ne të kemi intervistuar kur ishe vetëm 3 vjeçe. A e dinë të gjithë emrin tënd të plotë? Për analogji, kush ia vuri këtë emër kaq të bukur një vajze të sapolindur shumë vite më parë? Nëse sot do të mund të uleshe përballë asaj vajze të vogël, çfarë do t’i tregoje për jetën që do të kishte përpara?
-Gazeta Intervista, dikur Radio Intervista, më rikthyet në mendje kujtime shumë të bukura, të cilat i kam dëgjuar në regjistrimet e familjes. Kënaqësi të gjendem sërish pranë jush.
Jo të gjithë e dinë emrin tim të plotë. Që prej daljes sime të parë në skenë, më njohin si Klodi dhe ashtu vazhdon ende. Madje, vetëm babi më drejtohet shpesh me emrin Kloudennas.
Ai ma ka vendosur emrin. Duke qenë artist, ka dashur të ndërthurë edhe pak art brenda emrit tim. Nëse do ta kisha Klodin e vogël përballë, do t’i tregoja që e pret një jetë shumë intensive, me shumë orë studimi, koncerte, udhëtime, ditë e net të bukura, por edhe të lodhshme. Do t’i thoja të tregonte pak më shumë kujdes me pjesën emocionale dhe t’i merrte gjërat më lehtë, të mos e tejkalonte lodhjen dhe, ndoshta, ndoshta, të bënte pak më shumë pushime gjatë viteve të vegjëlisë me familjen.
Do ta këshilloja që, edhe nëse ndonjëherë në jetë gjërat do t’i dukeshin të pamundura, të mos ndalonte së dhëni maksimumin e mundshëm, sepse, mbase pak me vonesë, por ato realizohen në një mënyrë edhe më të bukur sesa mund ta kishe menduar…

-Ti nuk e ke zgjedhur muzikën në një moment të caktuar të jetës; ti je rritur brenda saj. A e ke ndier ndonjëherë artin si një trashëgimi që duhet ta vazhdoje, apo si një liri që duhej ta bëje tënden?
–Në vitet e para, për mua ka qenë diçka që duhet ta bëja. Më pëlqente, kisha vullnetin dhe pasionin për të studiuar fort. Koncertet e shkollës, saxhot, programi violinistik ishin diçka që më përkiste mua dhe duhej ta realizoja sa më mirë.
Por, në momentin që fillova të punoja mbrëmjeve me babain dhe gjysh Et’hemin, kur isha rreth moshës 12 vjeç e gjysmë, kuptova se kjo që po bëja nuk më përkiste vetëm mua. Ishte diçka edhe më e thellë, kishte nisur përpara dy brezash dhe po vazhdonte edhe tek unë.
Pra, aty kuptova që kjo ishte trashëgimia ime. Tashmë nuk kisha vetëm repertorin tim violinistik, por edhe një repertor tjetër të rëndësishëm që m’u ndërthur në mendje dhe në gishta dhe po bëhej pjesë e imja. Aty kuptova që trashëgimia po fillonte të më përkiste edhe mua.
-Të jesh pjesë e familjes Qerimaj do të thotë të mbartësh një mbiemër që publiku e lidh me artin. A ka qenë ndonjëherë ky mbiemër një peshë mbi supe, apo gjithmonë një palë krahë?
-Kjo ka qenë gjithmonë e ndërthurur në mënyrë organike dhe ka pasur raste që i kam ndier të dyja këto ndjesi njëkohësisht. Por, në shumicën e rasteve, për mua ka qenë edhe një peshë e rëndësishme.
Të gjithë, kur dëgjojnë “Qerimaj”, presin një cilësi të lartë artistike dhe ti nuk mundesh dot ta ulësh atë pritshmëri.
Jam munduar të punoj fort gjatë viteve të shkollës dhe universitetit. Me rezultatet e arritura, që ia kam sjellë familjes në shtëpi, sidomos me masterin e përfunduar në Itali me rezultatin më të lartë që shteti italian jep për studentët, 110 Lode, dhe titullin e nderit, për mua ishte sikur t’i dorëzoja një trofe familjes, për t’i falënderuar për gjithçka që më kanë dhuruar.
Nuk kam dashur ta shoh mbiemrin si një krah për të shtruar rrugën time, pavarësisht privilegjit që ndiej dhe sa falënderuese ndaj Zotit jam që jam pjesë e “Qerimajve”. Përkundrazi, e kam parë gjithmonë si një shkallë që duhet të vazhdojë të ngrihet.
-Kur një violiniste del në skenë, publiku dëgjon tingullin e violinës, por nuk dëgjon gjithmonë betejën që qëndron pas tij. Cila është ajo pjesë e rrugëtimit tënd që publiku nuk e ka parë?
–Po, kjo është një pyetje që nuk ma kanë bërë asnjëherë, në fakt. Ndoshta, në lidhje me pyetjen e mëparshme, njerëzit e shohin mbiemrin si një derë që më ka dhënë mundësi që të gjitha gjërat t’i kisha të gatshme.
E vërteta është që nuk ka qenë kështu. Për të arritur performanca të denja përballë publikut, duhen shumë orë studimi cilësor. Do të thotë të heqësh dorë nga shumë kënaqësi të moshës që në vogëli, të vendosësh violinën si prioritet, pavarësisht çdo gjëje që mund të jetë duke ndodhur me jetën tënde.
Ka një fragment që nuk e kam treguar asnjëherë publikisht: për vite me radhë kam jetuar në Itali dhe sakrificat e një studenti janë gjithmonë beteja që askush nuk i sheh, sepse përballja me jetën vetëm të ndryshon konceptet e jetës dhe je vetëm ti përballë gjithçkaje.
Një nga gjërat që do të më mbetet në kujtesë është se, gjatë kohës që studioja në Itali, punoja edhe në një shkollë muzike, e cila gjendej në majë të një kodre. Më duhej ta ngjisja thuajse çdo ditë pjesën e vështirë të saj në këmbë, në shi, në erë, në diell, me violinën në krah, për të përfituar shumë pak financiarisht. Por më duhej për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për të bërë audicionet në orkestrat e mëdha.
Ka qenë një periudhë shumë e bukur, por e vështirë.
Kishte momente kur, pas asaj dite, kisha edhe koncertin dhe njerëzit duhej të dëgjonin vetëm tingullin e violinës dhe asgjë tjetër.







-A ka ardhur ndonjëherë një moment kur ke kuptuar se nuk po luaje më violinë sepse “duhej”, por sepse pa të nuk do të ishe më e njëjta Klodi?
-Po, në fakt, violina ka qenë gjithmonë pjesë e imja, edhe për faktin që ka qenë pjesë e jetës sime që në vogëli dhe e pandashme nga puna me familjen. Nuk e kam ndier asnjëherë boshllëkun e saj, përveç një momenti shumë të rëndësishëm.
E kam kuptuar më fort se kurrë që violina ishte pjesë e Klodit kur, pasi linda vogëlushen, nuk munda të studioja për rreth 40 ditë, sepse vëmendja dhe përkushtimi im ishin maksimalë ndaj saj dhe vetes.
Dy ditë më vonë, më duhej të performoja në natën e ndërrimit të viteve dhe 42 ditë pa luajtur në violinë ishte periudha më e gjatë e jetës sime pa e prekur atë.
15 minutat e para ishin sfidë më vete, sepse gishtat nuk ishin në formën e tyre absolute. Aty kuptova që më mungonte Klodi e vërtetë dhe se violina ishte vërtet pjesë e imja, pjesa që më bën të ndihem Klodi.
Çfarë ka ndryshuar më shumë te ti që nga ajo vajza 3-vjeçare: mënyra si e mban violinën, mënyra si e dëgjon muzikën apo mënyra si e dëgjon veten?
–Patjetër që shumë gjëra kanë ndryshuar. Mbajtja e violinës bëhet e natyrshme, sepse në fillim të duket e vështirë, por pastaj, sa vjen dhe gjen mënyrën tënde të të impostuarit, vendosesh ashtu dhe ajo bëhet e jotja.
Përjetimet e muzikës janë të ndryshme në periudha të ndryshme të jetës, por veprat që më kanë pëlqyer që fëmijë i shijoj po njësoj edhe sot, si, për shembull, Koncerti për violinë i Tchaikovsky-t, “Sheherazade” e Rimsky-Korsakov-it, Koncerti për violinë i Brahms-it e shumë vepra të tjera, të cilat më kthejnë pikërisht në të njëjtat ndjesi të bukura.
Tek vetja gjithmonë kam qenë kërkuese dhe, sa vjen e më shumë, bëhem e tillë. Sa më shumë rritesh, kërkon maksimalen nga vetja. Është e natyrshme që të shtohet edhe ndjesia e përgjegjësisë për performancat.
Tani kam mësuar jo vetëm të jem kritike ndaj vetes, por edhe t’i shijoj më shumë performancat e mia.
–Në një familje artistësh, suksesi i dikujt mund të bëhet edhe pikë reference për tjetrin. Si e ke ndërtuar standardin tënd, pa u krahasuar vazhdimisht me njerëzit që ke pranë?
-Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin e mundshëm nga vetja, pa u ndikuar nga pjesëtarët e tjerë të familjes. I kam parë si shembuj të mrekullueshëm, por nuk kam dashur të krahasohem. Kjo për arsye të moshës, kohës, koncepteve, repertoreve dhe instrumentit.
Pavarësisht se jemi lidhur në shumë pika për shkak të punës, jam munduar të bëhem pjesë dhe të kontribuoj edhe unë, sado pak.
I kemi lënë hapësirë njëri-tjetrit për të qenë secili në rrugën dhe në bukurinë e vet.
-Cili është një emocion që nuk arrin ta thuash me fjalë, por që arrin ta thuash vetëm me violinë? Dhe a ka një pjesë muzikore që për ty është si një rrëfim autobiografik?
-Shpeshherë e kam gjetur veten duke studiuar sa herë që nuk jam ndier e kuptuar në situata të ndryshme të jetës. Tani që po e mendoj më thellë, mendoj se kur dua të shpreh brendësinë e Klodit, thjesht marr violinën dhe studioj.
Koha e parë e koncertit për violinë të Tchaikovsky-t ka qenë gjithmonë si një rrëfim jete për mua. Ndoshta jo autobiografik, por më është dukur si një përrallë. Sa herë e luaj, e mendoj dhe mundohem t’u jap frazave të saj nga një kuptim, ashtu si zhvillohet një përrallë.
-Nëse një ditë vajza jote do të të thoshte: “Mami, dua të bëhem violiniste”, do ta inkurajoje të ndiqte të njëjtën rrugë apo do t’i thoshe të provonte fillimisht të gjente rrugën e saj?
-Do të kisha shumë dëshirë që Asra të vazhdonte rrugën violinistike. Kjo jo vetëm për trashëgiminë. Vërtet ajo nuk mban mbiemrin Qerimaj, por në venat e saj ka gjak nga Qerimajt dhe shpresoj që edhe ajo ta ndiejë shijen e privilegjit dhe të peshës së mbiemrit.
Por edhe sepse instrumenti i violinës është një mundësi e mrekullueshme për zhvillimin neurologjik dhe fizik, e studiuar kjo edhe shkencërisht.
E dëshiroj violinën për të, sepse kam dëshirë ta trashëgoj sërish kabanë, përveç repertorit tjetër, njësoj si edhe unë që e kam studiuar. Dua t’ia trashëgoj edhe asaj. Është pasuria e familjes Qerimaj.
Nuk kemi asgjë materiale, por kemi diçka të mrekullueshme në duar, që nuk është vetëm e Qerimajve, por i përket edhe kulturës shqiptare.
–Po ta imagjinojmë këtë intervistë edhe 20 vite më vonë, çfarë do të doje të kishte ndryshuar tek Klodi dhe çfarë do të doje të kishte mbetur saktësisht si sot?
-Pas 20 vitesh, dëshiroj të ketë ndryshuar gjendja aktuale e punës tek Klodi, pra të jem rritur edhe më tepër artistikisht dhe të kem një pozicion të duhur pune, të reflektuar nga arritjet dhe kualifikimet që kam marrë.
Ajo që nuk dua të ndryshojë është brendësia e bukur brenda Klodit. Dua të jem po e njëjta, të shoh botën pozitivisht, të mendoj të bukurën dhe të mirën.
Vërtet, kohën nuk e ndalim dot dhe jetën nuk e shkruajmë ne, por dëshiroj që ndodhitë e jetës të mos e zbehin asnjëherë brendësinë e mirë të Klodit.






