Për mua, liria më e madhe e një regjisori është të mos bëhet peng i suksesit të vet…
Regjisori dhe producenti shqiptar Valmir Tertini vijon të shënojë arritje në rrugëtimin e tij artistik, duke e çuar krijimtarinë shqiptare përtej kufijve. Vlerësimi me “Luanin e Argjendtë” të MostraLidos në Venecia dhe çmimi për dokumentarin më të mirë për Pinocchio’s Harvard përbëjnë momente të rëndësishme në karrierën e tij, por edhe dëshmi të një qasjeje artistike që vendos në qendër njeriun, historitë e tij dhe detajet që shpesh kalojnë pa u vënë re.
Për INTERVISTA.al, Valmir Tertini rrëfen emocionet e një vlerësimi të papritur, rrugëtimin e dokumentarit Pinocchio’s Harvard dhe ndikimin që kinematografia vëzhguese ka pasur në mënyrën se si ai e sheh realitetin. Ai flet gjithashtu për lirinë krijuese, përgjegjësinë që sjell suksesi dhe projektet e ardhshme, të cilat, siç shprehet vetë, synojnë gjithmonë të jenë më të mëdha dhe më sfiduese se ato të mëparshmet.
-Valmir, “Luani i Argjendtë” në Venecia është një vlerësim që vjen pas shumë përpjekjesh, historish dhe sfidash. Kur e more këtë çmim në duar, cili ishte mendimi i parë që të kaloi në mendje, për një njeri, një sakrificë apo për një ëndërr që më në fund mori formë?
-Nuk e prisja. Madje, kur producenti më tha se do të më propozonte për Luanin e Argjendtë të MostraLidos, i thashë të mos e bënte, sepse m’u duk vetja pak i ri për këtë çmim. Zakonisht ai jepet më vonë në karrierë, por ai e kishte bërë propozimin dhe juria me 7 anëtarë vendosi që unë të nderohesha për kontributin dhe bashkëpunimin me Italinë, i cili nisi që nga viti 2018 me filmin Vule. Ishte një nder i madh për mua. Pikërisht në ditën e ndarjes së çmimeve kryesore, më 12 shtator, së bashku me presidentin e La Biennale Pietrangelo Buttafuoco, pranova Luanin e Argjendtë të MostraLidos ne Venecia. Arti që krijon vlerësohet, dhe kjo është arsye për ta bere, së pari për veten dhe pastaj për të tjerët. Për mua, “Luani i Argjendtë” nuk është pikë mbërritjeje. Është një kujtesë e bukur e asaj se nga kam ardhur dhe një arsye më shumë për të vazhduar.
-Në kinematografi, regjisori shpesh duhet të shohë atë që të tjerët nuk e vënë re. A ka ndodhur që një histori të të ndryshojë ty si njeri, përpara se ti të arrije t’i jepje formë si krijues? Cila ka qenë ajo përvojë?
-Një përvojë e rëndësishme ka qenë puna ime me dokumentarin vëzhgues. Kur qëndron për një kohë të gjatë pranë njerëzve, pa ndërhyrë dhe pa u përpjekur ta drejtosh realitetin, fillon të kuptosh gjëra që në jetën e përditshme shpesh i kalojmë pa i vënë re.
Më ka ndryshuar veçanërisht mënyra se si e kuptoj heshtjen. Dikur mendoja se një histori e mirë duhej të kishte ngjarje të forta, dialogë apo momente dramatike. Sot besoj se ndonjëherë një heshtje, një gjest i vogël apo një vështrim mund të tregojë shumë më tepër. Kjo përvojë ka ndikuar edhe në kërkimin tim shkencor mbi efektin e filmit te njeriu, ku përpiqem të kuptoj marrëdhënien mes imazhit, perceptimit, emocioneve dhe shoqërisë. Sa më shumë studioj kinemanë, aq më shumë kuptoj se ajo nuk është thjesht një mjet për të treguar histori. Është edhe një mënyrë për të kuptuar njeriun. Në fund, një film i mirë nuk duhet domosdoshmërisht të na japë përgjigje. Ndonjëherë mjafton të na bëjë të shtrojmë pyetje që më parë nuk ia kishim bërë vetes.




-Pinocchio’s Harvard të solli vlerësimin për dokumentarin më të mirë të edicionit. Çfarë kishte kjo histori që nuk të la të qetë derisa vendose ta ktheje në film? Dhe çfarë do të doje të kuptonte publiku përtej asaj që sheh në ekran?
–Ajo që më tërhoqi te Pinocchio’s eshte se si një piceri e vogël është bërë pjesë e kujtesës së atij komuniteti. Aty kanë kaluar njerëz të zakonshëm, studentë, profesorë, por edhe personalitete që më vonë kanë ndikuar në botë. Megjithatë, për mua nuk ishin emrat e famshëm arsyeja për ta realizuar filmin. Ishte fakti që një hapësirë kaq e zakonshme mund të mbajë brenda saj kaq shumë histori njerëzore. Për këtë arsye vendosa ta realizoj përmes kinemasë vëzhguese, pa intervista dhe pa narracion. Nuk doja t’i tregoja publikut çfarë duhej të mendonte. Doja t’i jepja mundësinë të vëzhgonte, të ndiente dhe të nxirrte vetë përfundimet. Filmi u realizua me shumë durim, gjatë një periudhe afro dyvjeçare, me një besim të madh te historia. Historia eshte ku njerëzit hyjnë dhe dalin çdo ditë pa menduar se po bëhen pjesë e saj. Dokumentarit nuk është gjithmonë per te zbuluar diçka të panjohur, por nganjëherë të na mësojë ta shohim ndryshe atë që e kemi përpara syve. Kështu ne morëm katër çmime nga Corti Vittorio Veneto, pjesë e edicionit të 83-të të Venecia Film Festival.
-Të vlerësohesh në Venecia është një moment i rëndësishëm, por edhe një pikë nga e cila gjithçka vazhdon. A ndien se ky çmim të jep më shumë liri për të guxuar me projektet e ardhshme, apo të vendos përballë një përgjegjësie edhe më të madhe?
Një vlerësim ndërkombëtar të jep më shumë besim për të vazhduar rrugën tënde artistike. Unë kam qenë gjithmonë i interesuar për filmin si kërkim artistik dhe njerëzor, jo vetëm si produkt që duhet të pëlqehet apo të shitet. Në këtë kuptim, një çmim nuk duhet të më ndryshojë mënyrën se si krijoj, por të më japë më shumë mundësi për ta zhvilluar atë. Nga ana tjetër, përgjegjësia rritet, jo vetëm ndaj publikut, por edhe ndaj vetes. Kam projekte që kërkojnë kohë, durim dhe guxim artistik, padyshim janë të mëdha, gjithmonë projekti im i radhës është më i madh sesa i kaluari. I dua temat e guximshme, ato që dikush duhet të mendojë 2-3 herë a ta bëj apo jo, pra gjithmone zgjedh atë që është vështirë për t’u realizuar. Për mua, liria më e madhe e një regjisori është të mos bëhet peng i suksesit të vet. Nëse një çmim ka kuptim, atëherë duhet të të japë kurajë të rrezikosh më shumë artistikisht.
-Nëse një ditë dikush do të realizonte një dokumentar për jetën tënde, cilën pjesë të historisë së Valmir Tertinit do të doje të mos e anashkalonte? Dhe a do të kishe guximin ta lije kamerën të tregonte edhe ato anë të tuat që publiku nuk i njeh?
-Unë për vete nuk do ta bëja, madje as s’më ka shkuar mendja ndonjëherë. Nëse dikush dikur do ta bënte, nuk do t’i ndërhyja, ashtu siç nuk lejoj unë të ndërhyjë në krijimtarinë time artistike. Çdo vepër i përket atij që e krijon. Por që do t’i dilte shumë punë me xhirime e ka të sigurt, duhet të bëjë dy kontinentet bashkë. Anën time që publiku nuk e njeh do ta lë në një libër, nëse dikujt ndonjëherë do t’i duhej. Dhe nëse ai dokumentar do të kishte një mesazh, do të doja të ishte ky: mos e matni jetën e një njeriu vetëm me atë që ka arritur, por edhe me atë që ka qenë i gatshëm të sakrifikojë pa e ditur nëse do t’ia dalë.






