Që kur u shpall fitues i “The Voice Albania” në edicionin e 5-të, Tiri ka sjellë këngë të cilat janë vlerësuar të një niveli shumë të lartë muzikor. Përzgjedhës në projekte, Tiri  në festivalin e 56-të të RTSH-së solli “Orë e ndaluar” e cila u prit mjaft mirë nga ndjekësit e tij. Tanimë, ai sapo ka publikuar projektin më të ri të me titull “Adrianë”, të cilën e ka shoqëruar me klip dhe protagonist i tij është aktori i mirënjohur Mehdi Malka. Kush është Adriana dhe si e solli Tiri këtë këngë në fazën e përfundimtare për ta sjellë për publikun, Tirin e sjellim në një intervistë pas shumë kohësh në gazetën tonë!

Fabjola Kuburi:- Përshëndetje Tiri! Pas shumë kohësh, vendose ta japësh këtë intervistë…Vjen me një këngë të re me klip të ri, me titull “Adrianë” kujt i dedikohet kjo këngë? Pse pikërisht “Adrianë”?

Tiri Gjoci:- Përshëndetje, u bë kohë, na mori malli! Atëherë, Adrianë është një poezi e të madhit Mitrush Kuteli, e cila titullohet “Bie shi”. Që në momentin e parë që e lexova mendova:- “Kjo është bërë për të qenë këngë” dhe ashtu ndodhi.

-Në klip protagonist është aktori i mirënjohur Mehdi Malka, si u bë ai pjesë e projektit tënd?

– Ideja për ta bërë pjesë të projektit artistin e mirënjohur Mehdi Malka ishte e Endrit Muhametaj, i cili është dhe regjisori i klipit. Ky nuk është bashkëpunimi im i parë me Endritin. Ai është shumë i talentuar dhe shumë i apasionuar në atë që bën dhe këtë e tregon në projektet e tij të vazhdueshme në Itali ku edhe jeton.

– Ka ndonjë gjë interesante që mund të na e tregosh gjatë realizimit të këngës, ndonjë ngjarje që ka ndodhur që do mbahet mend shumë gjatë?

-Xhiruam në mesnatë dhe bënte shumë ftohtë, nuk do e harroj kurrë. Gjithsesi me idenë që po realizonim diçka të bukur nuk u dorëzuam. Marr shkas këtu të falënderoj ata që ndihmuan dhe ishin “bashkëvuajtës” në realizimin e këtij klipi: Endrit Muhametaj, Enea Kaso, Alban Gjoci, Pranvera Metolli, Kledi Hoxha, Enkelejd Çaça, Argenta Heti etj.

– Pse vendos ti sjellësh këngët në periodicitet të largët, pothuajse një vit larg nga njëra-tjetra?

– Nuk vendos ti sjell larg njëra-tjetrës me qëllim, por për mua funksionon me periudha. Ka momente kur ke çfarë thua, ka momente kur nuk ke.

– Do marrësh pjesë në Festivalin e RTSH-së këtë edicion?

– Po, por jo si konkurrent këtë vit. Le ta lemë surprizë… 🙂

– Si i shikon festivalet në këtë pikë që jemi?

– Realisht, mendoj që kemi më shumë festivale se sa ç’duhet. Megjithatë, përsa kohë ka artistë që “kanë ç’të thonë”, jemi ok!

– Ke mall për “The Voice”?

– Po, kam shumë! Është një ndër eksperiencat më të bukura për mua dhe jo vetëm sepse e fitova atë, unë gjithnjë e kam thënë dhe e rithem që është një eksperiencë që kushdo e ndjen se ka talent duhet me patjetër ta provojë.

– Kur ishe i vogël, e ëndërroje një sukses të tillë?

– Kur isha i vogël ëndërroja të eksploroja universin, apo sic e quaja unë atëhere, qiellin. Mendoj se muzika është e lidhur ngushtë me universin. Përsa i përket suksesit që në moshën 6 vjeçare kam luajtur në kitarë, por duke qenë se vij nga një familje e thjeshtë nuk e mendoja se një ditë do mund të prekja skena të mëdha si “Festivali i Këngës RTSH”, “Kënga Magjike” apo “The Voice” ku dhe isha fitues. Punova shumë dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për mua për të arritur deri këtu ku jam sot dhe për këtë i jam shumë mirënjohës personave qe me kane ndihmuar ne këtë rrugëtim, veçanërisht vëllain tim që pavarsisht mundësive ekonomike më ka ndihmuar dhe më qëndruar gjithmonë pranë.

– Si i ke raportet me muzikën komerciale?

– Mendoj që kemi një perceptim të gabuar për termin. Në qoftëse me muzikë komerciale nënkuptojmë një “zhanër muzikor” i cili po ecën në botë dhe hajde ta bëjmë (kopjojmë) dhe ne, atëherë i kam raportet definitivisht jo mirë. Gjithsesi mendoj që artisti duhet të eksperimentojë gjithnjë!

– Cila është kënga që të pëlqen dhe e dëgjon më shumë aktualisht?

– Chris Stapleton, Coldplay, Merk & Kremont po dëgjoj këtë kohë në playlist-ën time.

– Bashkë me grupin, je i pranishëm në klube nate… Si e presin të rinjtë muzikën tuaj?

– Po, unë momentalisht po luaj me banden time #tiriandband klubeve të natës në Tiranë dhe jashtë saj. U bë vite që bëj  muzikë klubeve te ndryshme dhe personalisht mendoj që ka një impakt pozitiv tek të rinjtë ku çdo natë është një eksperiencë më vete.

– Nata ka muzikë, alkool dhe flirt… Si i ke ti raportet me të treja?

– Per fat të keq nuk i kam raportet mirë me dy të fundit.  Alkool nuk konsumoj gjatë kohës që këndoj pasi ndikon negativisht tek zëri. Përsa i përket flirtit, mundohem të jem sa më profesionist në atë që bej, gjithnjë në fund e shoh veten të futur në gjendjen e muzikës.

– Tjetër ç’simbolizon nata për ty?

– Nata më pëlqen shumë, sidomos netët e verës buzë detit me pamjen mahnitëse që rezervon rruga e qumështit, (galaksia jonë) dhe yjeve përqark saj duke qenë se astrofizika bën pjesë ndër pasionet e mia.

– Shumë vajza janë kurioze të dinë diçka më shumë rreth teje… Tiri është single apo çift?

– Unë jam i dashuruar me Adrianën.

– Ç’duhet të ketë një vajzë që të jetë e bukur për ty?

– Të jetë vegjetariane, minimalisht.(Buzëqesh)

– I njëjti do të mbetesh edhe pas sa kohësh?

– Artisti duhet të eksperimentojë gjatë gjithë kohës, por sigurisht që i njëjti duhet të mbesë.

– Edhe pas shumë kohësh do të këndosh prapë këtë zhanër që këndon tani?

– Pra, e rithem se pavarësisht eksperimenteve artisti duhet të mbetet aty ku gjen veten.

– Edhe pas shumë kohësh, do të mbash të njëjtin luk?

– Me pëlqen të ndryshoj herë pas here por në të njëjtën kohë me pëlqen të merrem me detajet më shumë se sa me tërësinë.

-Çfarë ka në vazhdim nga Tiri?

– Besoj se ka shumë. Kam nisur punën për realizimin e një materiali tjetër muzikor me klip, i cili do të dalë në muajt e parë të vitit të ardhshëm dhe po brenda 2019 kam në plan konkludimin e një albumi. Të gjitha këto dhe të tjera janë pjesë e një plani strategjik të mirëmenduar nga unë dhe menaxheri im.

– Si do e mbyllim këtë intervistë?

– Mendoj që për mua ka nisur një periudhë e re dhe këtë e mendoj vërtet. Gjithashtu kam shumë për të thënë dhe këtë do ta them mësëmiri nëpërmjet muzikës sime. Shpresoj që gjithçka të shkojë sipas planeve. Ajo që është më e rëndësishmja për mua: Falënderimi i të gjithë atyre që më ndjekin dhe duan muzikën time, i them që ky do të jetë më shumë se kurrë viti i Tirit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *