Ekografia dhe dopleri përdoren në mjekësi për të parë pjesë të trupit të njeriut, për të studiuar indet e organeve dhe për të kërkuar anomali të tyre. Në lidhje me funksionimin e ekografisë dhe doplerit kemi marrë në pyetje një mjek imazherist dhe ja, cilat ishin përgjigjet e tij:
– Si funksionon një ekografi?
– Ekografia përdor valët me frekuencë të lartë, që quhen ultratinguj. Ato përdoren, për shembull, për të matur thellësinë e oqeaneve. Valët e dërguara nga një sondë, përshkojnë ujin dhe kthehen mbrapsht kur gjejnë një sipërfaqe të ngurtë, pra, fundin e oqeanit. Ekoja e tyre analizohet nga aparati dhe jep madhësinë e kërkuar. Ky parim, i aplikuar në një organizëm të gjallë, jep të dhëna të ndryshme sipas konsistencës së indit (për shembull, të lëngshëm, të ngurtë) që krijon ekon. Valët konvertohen dhe përkthehen në imazhe numerike, të afishuara në ekranin e një kompjuteri e pastaj regjistrohen. Imazhet mund edhe të printohen. Sot, aparatet japin imazhe shumë cilësore, bile disa japin mundësi për t’i parë organet në hapësirë, me 3D.
– Si bëhet një ekografi?
– Teknika konsiston në kalimin e një sonde mbi lëkurë. Kjo dërgon ultratinguj që “përplasen” dhe kthehen mbrapsht nga indet e ndryshme që ata takojnë. Imazhet transmetohen në ekranin e kompjuterit. Sondat janë të ndryshme, në varësi të organit që studiohet. Ato lyhen me një xhel ujor për të lehtësuar kontaktin me lëkurën, apo mukozat. Ekografia praktikohet në përgjithësi te një pacient i shtrirë me kurriz. Mund t’i kërkohet të shtrihet me bark, të kthehet anash, të kthejë kokën anash. Në rastin e enëve të gjakut të gjymtyrëve të poshtme, ekoja mund të bëhet në këmbë. Kjo analizë nuk shkakton dhimbje dhe nuk ka asnjë kundërindikacion të njohur deri në ditët e sotme.
– Si zhvillohen ekografitë te gratë shtatzëna dhe në gjinekologji?
– Gjatë shtatzanisë kërkohet të bëhen disa ekografi dhe bebja “fotografohet” gjatë kohës së zhvillimit të tij në mitër, gjë që lumturon prindërit. Ekografia obstetrikale bëhet për të studiuar fetusin, zhvillimin e tij, aktivitetin e zemrës, për të kërkuar keqformimet e ndryshme. Duhet pirë shumë ujë para se të bëhet analiza, që fshikëza të jetë plot, në mënyrë që të transmetojë sa më mirë ultratingujt. Në gjinekologji, ekografitë bëhen shpesh për të parë organet gjenitale, për shembull, vezoret, në kërkim të një kisti, për të parë mitrën, në kërkim të ndonjë fibrome… Sonda mund të vihet mbi bark ose të futet në vaginë, për të parë më mirë, për shembull, vezoret dhe tubat.
– Si përdoret ekografia për të parë arteriet, venat dhe zemrën?
– Në kardiologji, ekografia shoqërohet me Dopplerin. Ndërkohë që ekografia bën të mundur të shihen strukturat anatomike statike, dopleri studion imazhet dinamike, si shpejtësia dhe sensi i qarkullimit të gjakut, dritën në enët e gjakut dhe kavitetet e zemrës. Kështu, mund të dallohen zgjerimet, tkurrjet, pengesat në rrugën e gjakut. Shpejtësia e gjakut mund të dallohet me doplerin e vazhdueshëm që do të japë një tingull, apo me doplerin me pulsim, që tregon një kurbë. Dopleri me ngjyrë, i shoqëruar me ekografinë bën të mundur marrjen e imazheve të enëve të gjakut me ngjyrë të kuqe, blu apo të verdhë. Për shembull, kjo analizë është interesante për të studiuar venat e gjymtyrëve të poshtme dhe për të parë një insufiçencë vene, ose një tromboflebit, para se të bëhet ndërhyrja kirugjikale. Ekografia bën të mundur të shihen paretet e venave, gjendjen e valvulave, të shihet prania e një koagulimi në gjak, vendndodhja, madhësia e tij… Eko-dopleri bën të mundur diagnostikimin e një insufiçence të funksionit të valvulës ose një zgjerim të venës.
Ekografia është e nevojshme edhe për të studiuar arteriet e trupit. Ashtu si për venat, është e mundur të shihen paretet dhe pjesa e brendshme e arteries, të vihet re trashja e pareteve të tyre, prania e ndonjë pllakëze, të analizohet madhësia dhe forma e një aneurizmi (zgjerimi)… Studiohen kështu arteriet e gjymtyrëve, aorta, karotidja, disa arterie të trurit, etj. Ekografia e zemrës bën të mundur të shihen kavitetet dhe muskuli i zemrës, ndonjë insufiçencë valvulash, ose një ngushtim i tyre. Eko-dopleri mund të dallojë, për shembull, një anomali në funksionimin e valvulave të zemrës, kavitetet e zemrës që furnizohen pak me gjak, një muskul të atrofizuar, etj.
– Ku përdoret tjetër ekografia?
– Ajo përdoret për të studiuar organe të tjera të trupit, si për shembull, veshkat, fshikëzën e urinës, mëlçinë, tiroiden, ganglionet… por edhe aparatin lëvizës së trupit: Muskujt, kyçet, tendinat, ligamentet. Edhe te burrat mund të shihet aparati gjenital, si për shembull prostata, enët e penisit. Ekzistojnë edhe disa analiza ekografie që bëhen duke përdorur një produkt kontrasti. Injektohet një substancë në një venë disa minuta para analizës. Kjo përdoret sidomos për të ekzaminuar mëlçinë, por edhe zemrën, arteriet e trurit… Injeksioni i kësaj substance mund të krijojë një efekt të padëshirueshëm (ndodh shumë rrallë).
Si përfundim, mund të themi se ekografia është një metodë diagnostikimi që përdoret gjerësisht në mjekësi, sepse nuk njihen efekte të dëmshme për organizmin. Ajo bën të mundur të shihet një organ, një enë gjaku, fetusi në barkun e nënës, të kërkohen dëmtime, tumore, keqformime. Praktikisht, të gjitha organet mund të studiohen me ekografi.