Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë hap pas hapi si mund të realizohet një grim i përkryer. Ju mund të evitoni një ose disa hapa të caktuar, nëse mendoni se nuk ju nevojiten. Gjithashtu, koha që do të shpenzoni për secilën etapë, do të jetë në varësi të faktit se cilën pjesë të fytyrës doni të theksoni më shumë. Ne ju këshillojmë ta merrni shtruar dhe të shijoni çdo minutë që kaloni para pasqyrës. Mos u nxitoni! Kur punoni ngadalë, mund të vlerësoni më mirë efektet e secilit hap dhe në fund, nuk do të mendoni se e keni tepruar me grimin…

1. Kremi-pudër
Filloni ta aplikoni kremin-pudër në lëkurën e hidratuar. Gjeni një krem hidratues për lëkurën, një zbutës për buzët dhe përdorini ata rregullisht. Shikoni fytyrën tuaj: Ka nevojë për më shumë korrektor apo krem-pudër? Kremi-pudër është aplikuar vetëm në një pjesë të fytyrës së modeles, pa u shtrirë. Shtrijeni pra të gjithë kremin-pudër në mënyrë uniforme, në të gjithë lëkurën e fytyrës, dekoltesë dhe qafës.

2. Korrektori
Pasi ta lyeni të gjithë fytyrën me krem-pudër (edhe qepallat e sipërme) përdorni pak korrektor në zonat problematike, si poshtë syve ose rrotull vrimave të hundës.

3. Pudra
Aplikoni pak pudër në të gjithë fytyrën, me një furçë të madhe, për të hequr shkëlqimin e tepërt.

4. Poshtë syve
Vendosni pak më tepër pudër poshtë syve, për të “kapur” çdo tepricë të grimit që mund të bjerë nga sytë.

5. Toni i syve
Te qepallat: Aplikoni një ton ngjyrë patëllxhani në gjithë qepallën, që nga baza e qerpikëve, deri pak më sipër kockës së syrit, ku ajo vjen duke u zbehur… Mund të punoni me një sasi minimale produkti në një furçë të madhe. Këshillë: Nëse jeni duke përdorur pudër, mund të aplikoni përsëri produkt, për të arritur intensitetin e ngjyrës që dëshironi.

6. Qerpikët
Përthyejini qerpikët me një vegël si në figurë, lart e poshtë dhe pastaj aplikoni rimelin që në rrënjë të tyre.

7. Vetullat
Në fillim, krihini vetullat me një furçë të vogël. Nëse ka ndonjë zonë më të hollë se të tjerat, mund ta mbushni me një laps vetullash (te modelja është përdorur ngjyrë hiri e errët), të cilin mund të përhapni me mollëzat e gishtërinjve. Në fund, aplikoni pak xhel për vetullat, që qimet të mos lëvizin. Tani që keni mbaruar punë me grimin e syve, mund të fshini pudrën që lamë poshtë syve (hapi 4).

8. I kuqi i faqeve
Do të përdorni apo jo të kuq faqesh? Mund ta mbani fytyrën tuaj me një ngjyrë dhe atëhere, gjithë vështrimi do të përqendrohet te sytë. Megjithatë, pak i kuq faqesh i jep më shumë formë dhe tjetër shkëlqim fytyrës. Kemi aplikuar pak të kuq faqesh ngjyrë rozë në mollëzat e modeles, pastaj e kemi shpërndarë me furçë, që të shpërndahet mirë.

9. Buzët
Deri tani, grimi është i lehtë në të gjithë fytyrën dhe, në funksion të kësaj, mund të zgjidhni një të kuq buzësh natyral, jo shumë të fortë. Gjithashtu, kemi evituar lapsin e buzëve për të mos i theksuar shumë ato. Modelja jonë duket bukur me një të kuq buzësh ngjyrë rozë-bezhë, të aplikuar me një penel. Rezultati: Një fytyrë me ngjyra, por natyrale. (Natyrale nuk do të thotë neutrale!). Para se të keni mbaruar me grimin, rishikojeni edhe njëherë fytyrën. Ka nevojë të shtrihet më shumë kremi-pudër ose toni i syve? Ka nevojë për më shumë ngjyrë? Kur të ndjeheni e kënaqur me veten, apikoni në të gjithë fytyrën pak pudër, për efekt mat, ose vetëm me furçë (pa produkt) për efektin e mëndafshit.

10. Për të ndryshuar…
Nganjëherë, edhe një ndryshim i vogël, mund të transformojë gjithë fytyrën. Kështu, një ngjyrë më e ndezur e të kuqit të buzëve krijon një efekt befasues. Përdorimi i lapsit të buzëve me një ngjyrë më të fortë mbi buzët e lyera tashmë (hapi 9), që konturi i buzëve të jetë përcaktuar më mirë. Buzët konturohen e pastaj lyhen me laps. Pastaj, shpërndahet i kuqi me një penel, që ngjyra të përhapet në mënyrë të njëtrajtshme. Përsipër mund të përdorni një buzëkuq me të njëjtin tonalitet, i cili do t’i mbajë buzët e hidratuara. Ky hap i lehtë bën ndryshimin e grimit të ditës nga ai i natës, nga e veshura sportive, në atë për raste…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *