Ajo quhet Fatmira Rushani dhe është nënë e pesë fëmijëve. Fatmira jeton në skamje dhe dita-ditës përballet me mbijetesën. Tre nga fëmijët e saj janë bërë me astëm nga kushtet e vështira të jetesës dhe dy të tjerët, vuajnë nga sëmundja e tokës, siç quhet ndryshe epilepsia. Më i vogli ka nevoja emergjente për kurim të specializuar pasi vuan nga një sëmundje gjaku… Fatmira në këtë intervistë lutet që dikush ta vërë dorën në zemër për të, pasi ajo vetë nuk mundet më… Ka kaluar depresion disa herë, por kësaj radhe laku e ka shtrënguar aq shumë, sa trembet se mos i lë fëmijët e saj në mëshirë të fatit…

Arlis Alikaj: – Fatmira, cili është armiku juaj më i madh sot?
Fatmira Rushani: – Përpara se të filloj me dramën e jetës sime, dua ta nis nga ajo që na kërcënon dhe t’ju them se pse dua një jetesë më të mirë për fëmijët e mi. Këtu ku jetoj momentalisht, kam shumë frikë… Siç e patë, unë jetoj buzë lumit dhe lumi po ha tokën e shtëpisë ku unë jetoj. Bie të fle me ankth dhe çohem me shpresë. Janë mbytur shumë fëmijë në këtë vend, bile para gjashtë ditësh, u mbyt një 35 vjeçar. Nuk dal dot as të punoj, pasi sapo largohem, më rri mendja te fëmijët.
– Shohim që frigoriferi juaj është bosh. Keni ngrënë sot?
– Jo, për atë Zot! Ja, për këta fëmijë të betohem. Rri shumë herë pa bukë, ndaj edhe një fëmijë më është bërë anemik e me sëmundje gjaku nga kequshqyerja. Para ca javësh, kur ishin shirat e mëdha, u përmbytëm.
– Janë interesuar organet e shtetit për gjendjen tuaj?
– Po, vijnë, më shohin e thonë: “Fatmira, do jesh e para në listë për t’u rregulluar”, por asgjë nuk kanë bërë deri tani.
– Keni marrë kompensim për përmbytjen?
– Asnjë lloj ndihme, as kompensim, asgjë!
– Po shoqatat e shoqërisë civile janë bërë të gjalla për t’ju dhënë një ndihmë?
– Shoqata jo e jo, e vetmja ndihmë deri tani, kanë qenë supet e mia.
– A mban mend ndonjë ditë kur ke ngrënë mirë?
– E vetmja ditë kur kam ngrënë mirë, ka qenë kur kam çuar djemtë me temperaturë në spital, nga i ftohti. Një vakt spitali, mbaj mend ta kem shijuar.
– Pra, ju nuk keni fare të ardhura në shtëpi. Si ia bëni që jetoni? Me “frymën e shenjtë”?
– Marr një ndihmë sociale për fëmijët, por është shumë pak, një shumë e papërfillshme, që as për ilaçe nuk më del. Vetë, po mundohem shumë të dal në kemp, por nuk po ia arrij dot.
– Meqë jemi te fëmijët… më tregoni për fëmijët tuaj…
– Kam pesë fëmijë, të gjithë të prekur nga një sëmundje, për shkak të jetës së vështirë që bëjmë. Djali i madh është 18 vjeç, i papunë, vajza 17 vjeçe dhe astmatike, goca tjetër është 12 vjeçe e bashkë me djalin 6 vjeç, ndajnë të njëjtat probleme, sëmundje toke dhe astëm, kurse djali 8 vjeç vuan nga anemia e rëndë.
– Po djali 18 vjeç, nuk bën asnjë punë?
– Djali ka bërë një kurs profesional, por askush nuk e merr në punë se ne jemi romë. Pse, ne nuk kemi jetë, kështu? Ai u detyrua ta linte shkollën për shkakun tim, me turp mbledhim bidona dhe i shesim. Nuk ia dalim dot, kemi edhe shumë borxhe nëpër dyqane, aq sa nuk na japin më.
– Po ish-bashkëshorti ç’qëndrim mban? Ai nuk ju ndihmon dot, sadopak?
– Ai vjen, sheh kalamajtë e ikën. As ai nuk ka çfarë bën. Prej kushteve u divorcuam. Rri-rri e vete pi, që ta harrojë realitetin ku jeton.
– Fatmira, çfarë do t’u kërkojmë së bashku lexuesve në këtë intervistë?
– Kam frikë për fëmijët, nuk dua ta humbas djalin e vogël, më duhen pompa për astëm dhe kushte për të jetuar. Bashkisë i bëj thirrje të më rregullojë në ndonjë banesë sociale, sepse nuk dua që djali im të përsërisë vdekje klinike, si atëherë kur ishte shtatë vjeç. Gjithashtu, kush mundet, të na ndihmojë me ushqime, si ta ketë mundësinë…
– Ndonjë gjë tjetër që mund ta kemi lënë pa thënë?
– Po, gjithashtu, i drejtohem edhe kryeministrit që të na largojë prej këtej. Jemi fukarenj e po kaloj në depresion; spitali na është bërë shtëpi e dytë. Kërcënohemi nga lumi dhe sëmundjet. Unë vetë jam me zemër dhe e shoh që nuk e kam të gjatë, ama dua të rregulloj fëmijët e mi.
– Fatmira, të falënderoj dhe uroj që dikush të reagojë pas këtij apeli…
– Faleminderit “Intervistës”, që më dha mundësinë për të treguar se në ç’gjendje jam dhe për të shpresuar se dikush do të më ndihmojë. Zoti jua bëftë dritë në punët tuaja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *