Jeni të lodhura me ngjyrën e bardhë të këmbëve tuaja dhe zbehtësinë e fytyrës e mezi prisni nisjen e banjove të diellit? Në këtë pikë, na duhet t’ju kujtojmë të tregoheni shumë të kujdesshme dhe të përgatiteni mirë, në mënyrë që të evitoni me çdo kusht djegien dhe dëmtimet e lëkurës. Por mos harroni se ne nxirrjen tuaj ndikon edhe ushqimi…
Siç e dini tashmë, nxirja e lëkurës, intensiteti dhe tonaliteti i saj, varen nga aftësia e trupit tonë për të prodhuar melaninë dhe, këtë aftësi, ne mund ta shtojmë me ushqim të pasur me vitamina A, C, E (që luajnë edhe një rol shumë të rëndësishëm antioksidues) dhe mbi të gjitha, me beta-karoten.
Vitaminat A, C dhe E gjenden në frutat me lëvozhgë: arra, bajame, lajthi dhe në perimet me gjethe jeshile: spinaq, brokoli etj.
Beta-karoteni gjendet në të gjitha frutat dhe perimet me ngjyrë të verdhë, të kuqe apo portokalli: Kajsi, pjepër, karota, domate, qershi, speca.
Nisni përdorimin e këtyre frutave e perimeve që tani dhe do ta shihni se çfarë ngjyre do të merrni nën rrezet e diellit.
Produktet kozmetike
Përsa u përket produkteve për trupin, ekzistojnë para-abronzantë specifikë për t’u aplikuar duke filluar që ditë para ekspozimit në diell. Të tillë janë për shembull para-abronzuesit që përmbajnë L-Tirosimë, element ky që stimulon prodhimin e melaninës.
Mbi të gjitha, ajo për të cilën ka nevojë lëkura para diellit të verës është të çlirohet nga toksinat dhe nga qelizat e vdekura, për të qenë elastike dhe e pastruar. Ja përse skrabi është ideal për ta përgatitur lëkurën në një ngjyrë homogjene dhe brilante.
Natyrisht, këshilla e vjetër, që të merrni rreze dielli pak e nga pak është gjithmonë në fuqi. Evitoni ekspozimet e gjata në park, për ta ndihmuar lëkurën tuaj të ambientohet me rrezet e forta, në mënyrë graduale.