Demokracia është një atribut i brendshëm i shoqërisë, ndjeshmëri e vlerë politike, ekonomike dhe ligjore, një fuqi e pakontestueshme. Para së gjithash, ajo është një çështje e brendëshme e çdo shoqërie dhe shteti. Ndikimi i demokracive perëndimore të konsoliduara ndaj demokracive të brishta është ndihmues dhe jo parësor; konsultativ dhe jo diktues; vëzhgues dhe jo urdhërues.
Nivelin e ulët të demokracisë te ne nuk duhet ta kërkojmë vetëm te faktori ndërkombëtar, por para së gjithash te vetja. Ajo lindi dhe u rrit mes dy diktaturave: asaj që lamë pas dhe kësaj të resë që maskohet me terma ultrademokratike. Nën trysninë e tyre, demokracia lindi anemike, u zhvillua si krijesë me aftësi të kufizuara. Sot i ka mbetur vetëm emri, sepse vepra i mungon.
Doktorit që ju besua shëndeti i demokracisë ishte një pacient i sëmurë rëndë, jo vetëm patologjikisht, por edhe politikisht: një bajraktar, i etur për pushtet e lavdi, i babëzitur në grabitjen e pronave, një feudal në formim dhe kulturën politike. Berishizmi ishte shkolla më e keqe dhe varrmihëse e demokracisë. Duke xhongluar me termat “siguri”, ”stabilitet” dhe “demokraci”, ai gjeti thembrën e Akilit ku e goditi demokracinë.
Filozofia e tij politike është se siguria, stabiliteti dhe demokracia, jo vetëm që nuk janë identike, por të kundërta. Ai nuk e mendoi këtë si një nocion teorik, por edhe si aksion në terren. Kur koha kërkonte dialog, mirkuptim e konsensus politik, ai bënte të kundërtën: i referohej dhunës dhe forcës ushtarake. Kur ai vendoste të godiste demokracinë e brishtë në Shqipëri, nxiste kriza artificiale; acaronte pa shkak marrëdhëniet me opozitën; krijonte “armiq” imagjinarë; prishte ekuilibrat socialë e ekonomikë; krijonte pa shkak konflikte mes jugut dhe veriut të vendit dhe me pakicat kombëtare; ndërmerrte iniciativa shkatërruese për vendin dhe kundërshtarin politik; organizonte rebelime e përplasje shoqërore dhe incidente me përmasa kombëtare e ndërkombëtare.
Pasi e gatuante çorbën mes tymit dhe flakës, dhunës dhe kërcënimit, rebelimit shoqëror, anarkisë dhe shthurjes, thërriste për zgjidhje faktorin ndërkombëtar. Në këto kushte, faktori ndërkombëtar, me dashje ose i detyruar, pranonte të mbështeste nevojën për “siguri”e”stabilitet” dhe hapur braktiste demokracinë.
Berisha mund të jetë nga të rrallët autokratë në botë që, për të prishur raportet dhe lidhjet mes “demokracisë” dhe “sigurisë”, të ketë sajuar konflikte të vogla, madje edhe qesharake, deri edhe puçe ushtarake e grushte shtetiti, mosbindjet civile e larje hesapesh me grupet rivale politike dhe ekonomike, kryengritje të armatosura deri në praglufte civile. Dhe pas këtyre akteve agresive shtetërore dëgjohej refreni: për sigurinë sakrifikojmë demokracinë!
Gazetaria Perëndimore dhe disa qarqe politike me ndjeshmëri ndaj demokracisë e raportonin në OSBE dhe BE shtetin e Berishës, në të dy qeverisjet, si një shtet “gangster”, si tregtar armësh, trafikant droge, thyes i embargos në shitjen e naftës në Sërbi dhe në Malin e Zi. Megjithatë BE, në emër të sigurisë dhe stabilitetit vazhdonin ta mbanin nën sqetull. Për këtë, gazetari i vlerësuar anglez, Andrew Gumble, deklaronte se perëndimi për këtë duhet të jepte llogari. Refreni se në emër të sigurisë duhet të sakrifikohej demokracia u dëgjua nga ndërkombëtarët në ngjarjet më tragjike që ka kaluar vëndi, por edhe në situata në dukje të qeta e pa probleme.
Në vitin 2001, ndërkombëtarët që mbështesnin Berishën kërkuan në mënyrë pothuajse prepotente një “sovranitet të kufizuar” ndaj pushtetit të PS. Me sloganin “të sakrifikojmë demokracinë në emër të sigurisë”, nga ata u lejua të shkelet edhe kushtetuta e vendit. Kur Berisha i ndaloi prokurorisë zhvillimin e hetimeve në ngjarjen tragjike të 21 janarit me pretekstin se prishej sistemi komandues i Gardës së Republikës, deklaratat e OSBE, BE por edhe të Amerikës ishin tepër të mjegullta, as mishë, as peshk.
Teorikisht dukej sikur mbronin parimet demokratike, ndërsa në praktikë frymëzonin Berishën në aventurën e prepotencën ndaj drejtësisë. Edhe loja me dy standarde nga diplomacia perëndimore fshihej pas termit: “Në emër të sigurisë mund të bëhet kurban demokracia”. Nga kjo frymë udhëhiqet edhe sot aksioni i PD në rrëmbimin e flamurit të protestës së “flamingove”. Sa i krijohen hapësira, ajo i braktis maskat paqësore e demokratike dhe kthehet te arma e saj e preferuar: dhuna.
Por edhe qeverisjet e majta, kur kanë ardhur në pushtet, nuk bënë gjë për shërimin e demokracisë nga berishizmi. Autokratizmi i bashkonte të dy forcat politike. Nëse berishizmi nuk e kishte problem t’a pranonte hapur se demokracinë e bënte kurban për të të ashtëquajturin stabilitet dhe siguri, e majta e përdorte termin “demokraci” si retorikë politike, si refren vjershash. Nëse Berisha dhe berishizmi shkuan hapur disa herë në luftë me opozitën dhe popullin për pushtetin e tyre, qeverisjet e majta u treguan më të kujdesshme në shmangjen e konflikteve sociale dhe politike. Mjeti më i përshtatshëm për ta ishte një lloj prepotence qeverisëse por me zë të ulët, ndryshe nga ajo me zë të lartë e përdorur nga berishizmi. Autokracia si mjeti më i rrezikshëm i demokracisë në kohën e berishizmit zbatohej në mënyrë fare të hapur dhe primitive, te qeverisjet e majta autokracia arriti nivele të larta, por në publik shfaqej i sheqerosur, më romantik, natyrisht më verbuese duke e mbajtur popullin sa më larg qeverisjes.
Eksperimentet dhe praktikat e përdorura nga politika shqiptare dhe ajo perëndimore se duke sakrifikuar demokracinë arrihet stabiliteti dhe siguria ishin të gabuara. As stabiliteti dhe siguria nuk u realizuan. As sovraniteti nuk u sigurua. Në të kundërt, u kërcënua.
Në fakt, shkaku i vërtetë ështëe pa një demokraci reale nuk ka as siguri e sovranitet, as zhvillim shoqëror dhe as përparim të një shoqërie.






