Nga emocionet që nuk thuhen me fjalë, te momentet spontane që bëhen kujtime të përjetshme, Rod Photography e sheh fotografinë si një mënyrë për të treguar të vërtetën e njerëzve. Ka fotografi që tregojnë një fytyrë dhe ka fotografi që tregojnë një histori. Ka imazhe që fiksojnë një çast dhe të tjera që, vite më vonë, arrijnë të na rikthejnë pikërisht aty ku kemi qenë, me njerëzit që kemi dashur dhe me emocionet që kemi ndier. Për Rodrinën, fotografia është pikërisht kjo: një mënyrë për të ndalur kohën në ato momente të vogla që zakonisht kalojnë pa u vënë re. Një vështrim, një përqafim, një dorë që kërkon një tjetër, e qeshura e papritur e një fëmije apo një fytyrë që për një sekondë harron kamerën. Në punën e saj, bukuria nuk qëndron te perfeksioni, por te e vërteta. Rodrina beson se një fotograf duhet të dijë jo vetëm të përdorë dritën, aparatin dhe kompozimin, por edhe të kuptojë njeriun që ka përballë. Të jetë pak psikolog, pak artiste dhe pak rrëfimtare. Në këtë intervistë për Intervista.al, ajo rrëfen marrëdhënien e saj me fotografinë, intuitën pas objektivit, emocionet që kërkon të kapë dhe arsyen pse një fotografi e vërtetë, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, mbetet e pazëvendësueshme. Sepse, në fund, një fotografi nuk është vetëm ajo që shohim. Është ajo që kujtojmë kur e shohim.

– Rodrina mirë se erdhe në Intervista.al. Thuhet se fotografi kap atë që syri sheh. Ti çfarë kërkon të kapësh që syri i zakonshëm nuk e vëren?
-Mendoj se fotografia ime nuk përpiqet thjesht të kapë atë që syri sheh, por atë që shpesh syri nuk ka kohë ta vërejë.
Më interesojnë emocionet e vogla: mënyra si një nënë shikon fëmijën e saj kur mendon se askush nuk po e sheh, një dorë që kërkon dorën e dikujt tjetër, një buzëqeshje që zgjat vetëm një sekondë, një vështrim që tregon më shumë se një pozë e menduar.
Ndoshta kjo është arsyeja pse më pëlqen aq shumë fotografia. Sepse më jep mundësinë të ndaloj kohën pikërisht në ato momente që në jetën e përditshme kalojnë pa u vënë re.
-Nëse do të duhej të fotografoje një emocion dhe jo një njeri, cili emocion do të zgjidhje dhe si do ta fotografoje?
-Do të zgjidhja dashurinë. Do të fotografoja dashurinë në gjërat e vogla.
Do ta fotografoja në një përqafim që zgjat pak më shumë se zakonisht, në mënyrën si një baba mban fëmijën e tij, në sytë e një nëne, në dy njerëz që qeshin pa e ditur që po fotografohen.
Nuk do të kërkoja t’u thosha njerëzve “tregoni dashurinë” por do të krijoja hapësirën që ajo të ndodhte natyrshëm.
Sepse emocionet më të bukura, sipas meje, nuk fotografohen duke i kërkuar. Ato fotografohen duke i lejuar të ndodhin.
-A ka ndodhur ndonjëherë që një fotografi të të tregojë diçka për një person që ai vetë nuk ta kishte thënë kurrë?
-Po, shumë herë. Dhe kjo është një nga arsyet pse fotografia më ka mësuar të jem më e vëmendshme ndaj njerëzve. Ndonjëherë një person mund të vijë në studio duke menduar se nuk është fotozhenik, mund të ndihet i pasigurt ose të mos dijë si të qëndrojë para kamerës. Por pastaj, në një moment kur harron kamerën, shfaqet një version krejt tjetër i tij. Një vështrim, një mënyrë të qeshuri, një gjest i vogël mund të më tregojë diçka që ai nuk do të ma thoshte kurrë me fjalë.Dhe ndoshta pjesa më e bukur është kur ia tregoj atë fotografi dhe ai vetë e sheh për herë të parë atë anë të vetes.Atëherë fotografia nuk është më thjesht një kujtim. Bëhet një mënyrë për ta njohur veten.

-Çfarë të intereson më shumë te një portret: bukuria e njeriut apo e vërteta që i del në fytyrë?
-E vërteta. Bukuria mund të krijohet me dritë, kompozim, kënd, veshje dhe editim. Por një shikim i vërtetë nuk mund të imitohet.Sigurisht që dua që një person të duket bukur në fotografitë e mia. Por dua që, kur ta shohë veten, të thotë: “Kjo jam unë.”Nuk dua t’i krijoj një version tjetër të vetes. Dua t’i tregoj versionin e tij më të bukur, por duke ruajtur atë që e bën të jetë vetvetja.
Për mua, fotografia më e bukur është ajo ku bukuria dhe e vërteta takohen.
-Ka njerëz që thonë “nuk di të pozoj”. Ti çfarë u thua atyre për t’i bërë të harrojnë kamerën?
-Kur një klient më thotë “nuk di të pozoj”, unë nuk e shoh aspak si problem. Përkundrazi, e marr si një mënyrë për të më thënë: “Më ndihmo të ndihem rehat përpara kamerës.Dhe pikërisht kjo është pjesë e punës sime. Nuk pres që klienti të vijë duke ditur të pozojë apo të dijë çfarë të bëjë para aparatit. Unë e udhëzoj, i tregoj si të lëvizë, ku të shohë, çfarë të bëjë me duart dhe, mbi të gjitha, përpiqem ta bëj të harrojë që kamera është aty. Sepse për mua një fotograf nuk duhet vetëm të dijë të bëjë një fotografi të bukur, por edhe të krijojë atë siguri që e lejon personin përballë tij të jetë vetvetja. Në momentin që klienti ndihet rehat, pozat vijnë natyrshëm.


-Në një kohë kur të gjithë duan të duken perfektë në fotografi, a mendon se papërsosmëria është ajo që e bën një foto të paharrueshme?
-Po, besoj shumë në këtë. Një fotografi mund të jetë teknikisht perfekte dhe përsëri të mos të thotë asgjë. Ndërsa një fotografi ku një fëmijë lëviz, flokët nuk janë perfekt, dikush qesh me gjithë shpirt ose një moment del pak jashtë kontrollit, mund të mbetet gjatë në kujtesë.Jeta nuk është perfekte. Dhe unë nuk dua që fotografia të gënjejë për këtë.
Dua që fotografitë të jenë të bukura, të kuruara dhe të kenë një estetikë të fortë, por brenda tyre dua të mbetet jeta.Sepse pas shumë vitesh, mendoj se nuk do të kujtojmë nëse flokët ishin në vendin perfekt. Do të kujtojmë se si ndihej ai moment.
-Nëse një fotografi do të kishte zë, çfarë do të doje të dëgjonim kur shohim një fotografi të Rod Photography?
-Do të doja të dëgjonim një kujtim. Ndoshta të qeshurën e një fëmije, zërin e një nëne, një “të dua”, një të qeshur familjare apo edhe heshtjen e një momenti shumë intim.Do të doja që fotografia të mos thoshte vetëm “shiko sa bukur dukemi”, por “mbaje mend si u ndjeve këtu”.Nëse një fotografi e imja do të kishte zë, do të doja që ai zë t’i kthente njerëzit për një çast aty ku ishin kur fotografia u bë.
-Cili është momenti kur ti e kupton: “Po, kjo është fotografia”?
-Para shkrepjes, gjatë saj apo kur e sheh më pas në ekran? Shpesh gjatë shkrepjes.Është ai moment kur diçka ndryshon papritur: drita bie në mënyrën e duhur, një shikim bëhet më i sinqertë, një fëmijë harron se po fotografohet ose një familje lidhet natyrshëm në një moment.Ndonjëherë e kuptoj vetëm kur e shoh në ekran, por momenti më i bukur është kur e ndiej para se ta shoh.Është një lloj instinkti që me kalimin e viteve është bërë pjesë e mënyrës sime të punës.Mendoj se teknika të mëson si ta bësh fotografinë. Përvoja dhe intuita të mësojnë të kuptosh kur duhet ta bësh.
-Sa nga fotografia është teknikë dhe sa është intuitë? Dhe cilës prej tyre i beson më shumë? -Teknika është themeli. Intuita është ajo që i jep shpirt.Duhet të dish dritën, aparatin, ekspozimin, kompozimin, fokusin. Pa këto, është shumë e vështirë të realizosh atë që ke në mendje.Por mund të kesh gjithë teknikën në botë dhe përsëri të mos kapësh momentin. Unë i besoj shumë intuitës, sidomos kur fotografoj njerëz. Sepse njerëzit nuk janë matematikë. Nuk mund t’i parashikosh gjithmonë.Duhet t’i shohësh, t’i ndjesh dhe të reagosh në sekondën e duhur.
-A e ke fotografuar ndonjëherë dikë dhe ke menduar: “Ky person nuk e di sa bukur duket në sytë e mi”?
-Po, dhe mendoj se kjo ndodh më shpesh nga sa duket.Sidomos me njerëzit që nuk e shohin veten siç i shoh unë pas kamerës.Ka njerëz që hyjnë në studio duke më thënë se nuk janë fotogjenikë, se nuk dinë të pozojnë, se nuk u pëlqen vetja në fotografi. Dhe pastaj unë kap një moment të tyre ku janë krejtësisht ndryshe. Aty mendoj: “Sikur ta shihje veten përmes syve të mi.” Dhe kur ua tregoj, reagimi i tyre është ndoshta një nga shpërblimet më të mëdha të punës sime.Sepse ndonjëherë nuk po fotografoj thjesht një person. Po i jap mundësinë të shohë një version të vetes që nuk e kishte parë më parë.
–Çfarë të mëson fotografia për njerëzit që ndoshta nuk do ta mësoje kurrë nga një bisedë? –Më ka mësuar se njerëzit janë shumë më tepër se ajo që tregojnë në shikim të parëMë ka mësuar të mos gjykoj dikë nga mënyra si sillet në minutat e para. Dikush mund të jetë i rezervuar, i pasigurt ose shumë serioz, dhe disa minuta më vonë të jetë personi më i lirë dhe më i bukur para kamerës.Kam mësuar gjithashtu se secili ka një histori që nuk duket në një fotografi të parë.Ndoshta kjo është arsyeja pse fotografia më ka bërë të dëgjoj më shumë me sy.Sepse ndonjëherë njerëzit nuk ta tregojnë historinë e tyre me fjalë. Ta tregojnë me një shikim.

-Nëse do të mund të ktheheshe pas në kohë dhe t’i bëje një fotografi vetes në një moment të rëndësishëm të jetës, cilin moment do të zgjidhje?
–Do të zgjidhja një moment nga fëmijëria ime, kur fotografia filloi të bëhej pjesë e imja.Kam nisur të merrem me fotografinë që shumë e vogël dhe, nëse do të mund të fotografoja veten atëherë, nuk do të doja një portret perfekt. Do të doja të kapja atë vajzë duke parë botën me atë kureshtje që më çoi drejt fotografisë.Do të doja t’i bëja një fotografi për t’i thënë: “Nuk e di ende ku do të të çojë kjo, por mos e lësho.”Sepse ndonjëherë gjërat që fillojnë si një pasion i vogël bëhen pjesë e identitetit tonë.
-Cila është ajo fotografi që nuk e ke bërë ende, por e ke në kokë?
-Është një fotografi që nuk ka të bëjë vetëm me estetikën.E imagjinoj një familje shumë vite më vonë, ndoshta fëmijët tashmë të rritur, duke parë një fotografi të vjetër të bërë në studion time.Fotografia që dua të bëj është ajo që një ditë do të ketë vlerë më të madhe se ditën kur është realizuar.Sepse sot mund të duket thjesht si një fotografi familjare. Por pas 10, 20 apo 30 vitesh, mund të jetë një nga gjërat më të çmuara që ajo familje ka.
-A ka ndonjë fytyrë, moment apo histori që të ka mbetur në mendje edhe pasi aparati është fikur? -Një moment që më ka mbetur në mendje ishte një gjysh që nuk donte të fotografohej, sepse sipas tij “nuk dilte mirë në fotografi”. Gjatë gjithë kohës përpiqej t’i shmangej aparatit.Në fund, kur mbaruam së fotografuari të gjithë familjen, sapo u ktheva, pashë fytyrën e tij duke qeshur teksa shikonte fëmijët dhe mbesën e tij. Ishte një moment krejt spontan. Nuk i kërkova të pozonte, thjesht e fotografova.Kur i tregova fotografinë, heshti për një çast dhe më tha: “Këtë dua ta kem.”Ndoshta sepse, për herë të parë, nuk po shikonte veten në fotografi. Po shikonte vendin e tij brenda familjes.
-Sot mund të krijosh pothuajse çdo imazh me teknologji. Çfarë e bën ende një fotografi të vërtetë të pazëvendësueshme?
-Fakti që ajo ka ndodhur.Teknologjia mund të krijojë një imazh të bukur, mund të krijojë një skenë, një atmosferë, madje edhe një histori imagjinare.Por nuk mund të zëvendësojë faktin që një ditë, në një orë të caktuar, dy njerëz u përqafuan, një fëmijë qeshi, një familje ishte bashkë dhe dikush ishte aty për ta ruajtur atë moment.Fotografia e vërtetë është dëshmi.Ajo thotë: “Kjo ka ndodhur. Ne ishim këtu. Kështu dukeshim. Kështu ishim bashkë.”Dhe besoj se pikërisht për këtë arsye, sa më shumë teknologjia të zhvillohet, aq më e çmuar bëhet e vërteta.
-A mendon se një fotograf duhet të jetë pak psikolog, pak artist dhe pak rrëfimtar? Po, absolutisht.
-Fotografi duhet të kuptojë njeriun përballë tij, jo vetëm aparatin që ka në dorë.Duhet të jetë pak psikolog për të kuptuar kur dikush ka nevojë të çlirohet, artist për të parë dritën dhe kompozimin dhe rrëfimtar për të kuptuar se çfarë historie po ndërton.Sidomos kur punon me njerëz, duhet të dish të krijosh një atmosferë ku personi të ndihet i sigurt për të qenë vetvetja.Sepse kamera fotografon edhe marrëdhënien që krijon me personin përballë saj.
-Nëse do të kishe vetëm një shkrepje për të treguar se kush je ti si fotografe, çfarë do të kishte brenda asaj fotografie?
-Do të kishte një familje. Një fëmijë në qendër, prindërit pranë tij, ndoshta jo të gjithë duke parë kamerën. Do të kishte duar që preken, një të qeshur të papritur, pak lëvizje dhe shumë emocion.Nuk do të ishte një fotografi ku të gjithë janë perfektë. Do të ishte një fotografi ku mund të kuptohej marrëdhënia mes tyre.Sepse në fund, kjo është ajo që dua të tregoj me fotografinë time: jo vetëm se si dukemi, por se çfarë jemi për njëri-tjetrin.

-Çfarë do të doje që një klient të ndiente kur largohet nga Rod Photography, përtej faktit që ka marrë fotografi të bukura?
-Do të doja të largohej duke ndier se ka marrë më shumë sesa fotografi të bukura. Do të doja të ndihej më mirë me veten.Të shihte fotografitë dhe të mendonte: “Nuk e dija që dukesha kështu.” Ose: “Nuk e kisha kuptuar sa i bukur ishte ky moment.”Dua që klienti të ndihet i dëgjuar, i parë dhe i vlerësuar gjatë gjithë procesit, jo thjesht gjatë shkrepjes.Sepse për mua, puna ime nuk përfundon kur dorëzoj fotografitë. Ajo merr kuptim kur ato fotografi bëhen pjesë e historisë së dikujt.Nëse pas vitesh një klient i hap ato fotografi dhe buzëqesh, atëherë mendoj se e kam bërë punën time mirë.
-Dhe një pyetje pak më personale… çfarë ka parë kamera jote tek njerëzit që ti vetë ke mësuar ta shohësh ndryshe me kalimin e viteve? Kamera ime më ka mësuar të shoh përtej asaj që njerëzit tregojnë.
-Më ka mësuar se pas një fytyre të sigurt mund të ketë pasiguri, pas një buzëqeshjeje mund të ketë një histori dhe pas një fotografie familjare mund të fshihet një dashuri shumë më e madhe nga sa duket në kornizë.
Por mbi të gjitha, më ka mësuar të kuptoj vlerën e kujtesës. Me kalimin e viteve kam kuptuar se ne shpesh mendojmë se do t’i mbajmë mend përgjithmonë njerëzit, fytyrat, zërat dhe momentet. Por koha ndryshon gjithçka. Fotografia mbetet.Dhe ndoshta kjo është ajo që kamera më ka mësuar më shumë: se një moment që sot na duket i zakonshëm, një ditë mund të bëhet i pazëvendësueshëm.Prandaj sot nuk përpiqem vetëm të bëj fotografi të bukura. Përpiqem të ruaj ato gjëra që koha nuk duhet të na marrë.






