Në kohë si të sotmet kur rrjetet sociale na ofrojnë çdo ditë fytyra “perfekte”, filtrat fshijnë çdo shenjë moshe dhe dëshira për t’u dukur më e re shpesh kthehet në një presion, të flasësh për bukurinë natyrshëm është pothuajse një akt guximi.
Dr. Denisa Zhegu e sheh estetikën ndryshe, jo si një luftë kundër moshës, por si një mënyrë për t’u kujdesur për veten pa humbur identitetin.
Për të, rezultati më i bukur nuk është ai që të bën të dukesh si dikush tjetër, por ai që të rikthen freskinë, harmoninë dhe mbi të gjitha, ndjesinë se je ende ti. Sepse pas çdo trajtimi estetik duhet të mbetet një fytyrë që të përket. Në këtë intervistë, Dr. Denisa Zhegu flet për kufijtë e estetikës, ndikimin e filtrave, natyrshmërinë dhe atë që, me kalimin e viteve, bëhet ndoshta më e rëndësishme se vetë rinia: të ndihesh mirë me gruan që sheh në pasqyrë.

-Dr Denisa, kur një grua ulet përballë jush dhe thotë “dua të dukem më e re”, a mendoni se ajo kërkon të ndryshojë fytyrën… apo mënyrën se si ndihet me veten?
-Shpeshherë kërkon të ndryshojë mënyrën se si ndihet me veten. Kur një grua thotë “dua të dukem më e re”, nuk është gjithmonë mosha ajo që e shqetëson. Ndonjëherë është lodhja, mungesa e freskisë apo mënyra se si fytyra nuk përputhet më me energjinë që ajo ndien brenda vetes. Roli im është ta dëgjoj përpara se ta trajtoj.
-Në estetikë, ku mbaron kujdesi për veten dhe ku fillon lufta me moshën? A duhet ta luftojmë moshën apo të mësojmë ta mbajmë bukur?
-Unë nuk besoj te lufta me moshën. Mosha nuk është armik. Kujdesi estetik duhet të na ndihmojë ta përjetojmë bukur çdo etapë, jo të fshijmë atë që kemi jetuar. Mund të dukesh e freskët, e kuruar dhe elegante pa u përpjekur të dukesh njëzet vjeç.
-A ka ndonjë moment kur ju, si mjeke, thoni “Jo, këtë nuk do ta bëj”, edhe nëse pacientja këmbëngul? Dhe çfarë ju bën të vendosni atë kufi?
-Po, absolutisht. “Jo”-ja e mjekut është po aq e rëndësishme sa “po”-ja. Nëse një ndërhyrje nuk është e nevojshme, nuk e përmirëson harmoninë e fytyrës ose rrezikon të ndryshojë identitetin e pacientes, atëherë preferoj të them jo. Pacientja mund të harrojë një trajtim që nuk ia bëra, por unë nuk mund të harroj një vendim që e di se nuk ishte i duhuri.
– Sot rrjetet sociale na kanë mësuar një fytyrë “perfekte”, shpesh të filtruar. A po bëhet më e vështirë për një grua të pranojë fytyrën e saj reale?
-Pa diskutim. Filtrat kanë krijuar një standard që në realitet nuk ekziston. Problemi është kur një grua fillon ta krahasojë fytyrën e saj reale me një imazh të modifikuar. Bukuria reale ka teksturë, mimikë, asimetri të vogla. Dhe pikërisht këto janë ato që na bëjnë të dukemi njerëzorë.
-Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit vetëm një gjë që një grua duhet të ruajë me kalimin e viteve, lëkurën, tiparet, shprehjen apo natyrshmërinë, cilën do të zgjidhnit?
-Natyrshmërinë. Sepse mund të kesh lëkurë të bukur, tipare perfekte dhe përsëri të humbasësh diçka shumë të rëndësishme: veten. Për mua, një fytyrë e bukur është ajo që vazhdon të të përkasë edhe pasi ke bërë një trajtim estetik.
-A mund ta kuptoni nga fytyra e një gruaje nëse ajo po kujdeset për veten nga dashuria… apo nga frika se nuk është më “mjaftueshëm e bukur”?
-Shpesh po. Nuk është vetëm ajo që kërkon të ndryshojë, por mënyra si flet për veten. Kur kujdesi vjen nga dashuria, kërkon të përmirësosh diçka. Kur vjen nga frika, kërkon të korrigjosh veten vazhdimisht. Dhe aty duhet të jemi shumë të kujdesshëm.
-Teknologjia po sjell çdo ditë trajtime të reja. Por a mendoni se ndonjëherë “më shumë” nuk do të thotë domosdoshmërisht “më bukur”?
-Patjetër. Në estetikë, më shumë nuk është gjithmonë më mirë. Ndonjëherë rezultati më elegant është pikërisht ai që nuk bërtet se ke bërë diçka. Teknologjia na jep mundësi fantastike, por ajo që bën diferencën është dora, syri dhe gjykimi i mjekut.



-Cila është më e vështirë për ju, të riktheni freskinë e një fytyre apo t’i bindni një pacienteje se ajo nuk ka nevojë të ndryshojë aq shumë sa mendon?
-E dyta. Freskinë mund ta trajtosh. Por ta bindësh një grua se është më e bukur nga sa mendon, kërkon kohë. Ndonjëherë pacientja nuk ka nevojë për një procedurë të re, por për një pasqyrë më të drejtë.
-Pas kaq shumë fytyrash që keni parë nga afër, çfarë keni mësuar për bukurinë që nuk e kishit kuptuar kur sapo nisët këtë profesion?
-Kam mësuar se bukuria nuk matet me simetri. Një fytyrë mund të mos jetë perfekte dhe të jetë jashtëzakonisht tërheqëse. Me kalimin e viteve kupton se ajo që të bën të bukur nuk është vetëm forma e fytyrës, por shprehja, energjia dhe mënyra se si e mbart veten.
-Dhe një pyetje që do të doja ta mbyllnim bukur, nëse bukuria nuk do të kishte më lidhje me moshën, standardet dhe “perfeksionin”, si do ta përkufizonte Dr. Denisa Zhegu bukurinë e një gruaje?
-Do ta përkufizoja si harmoni. Harmoni me veten, me moshën, me atë që je dhe me mënyrën se si dëshiron të shfaqesh. Një grua është e bukur kur nuk përpiqet të jetë dikush tjetër. Dhe ndoshta bukuria më e madhe është ajo që të bën të thuash: “Kjo jam unë dhe më pëlqen të jem unë.”




