(Vijim)

Një ditë pata fatin të takoja njërën nga infermieret e spitalit dhe e pyeta si mund ta gjeja ku jetonte vajza që kishte marrë Albin.

– Pse të intereson kaq shumë ajo vajzë? Mos njiheni bashkë?

– Jo, thjesht jemi takuar në spital dhe doja të kontaktoja përsëri me të sepse ishte vajzë e mirë – i thashë.

– Mirë, unë vetëm një herë kam folur me të dhe ishte shumë e mërzitur. Fëmija që kishte lindur, nuk kishte baba, pasi atë e kishin përdhunuar. Ajo nuk donte as ta shihte të birin dhe kishte vendosur ta linte te Shtëpia e Fëmijës. Di vetëm që jeton jo shumë larg maternitetit… – tha ajo.

E mora menjëherë adresën, e falënderova dhe ika. Zemra po më dilte nga vendi. Mendova se, më në fund, e kisha gjetur tim bir. Trokita dhe derën e hapi një burrë rreth të dyzetave. Ishte tepër i ngrysur në fytyrë.

– Kush je ti? – më pyeti.

– Doja të flisja me vajzën tuaj, jam një shoqja e saj… – e gënjeva.

Pas pak, ajo doli: – Njihemi bashkë? – më pyeti.

– Unë të njoh dhe dua të flas me ty, ndaj të lutem vishu dhe flasim diku tjetër… – i thashë. Vajtëm në një lokal të qetë dhe aty, i tregova gjithçka. Ajo shtangu në vend. I kërkova falje shumë herë që i kisha marrë djalin. – E di që nuk ka falje për atë që bëra dhe ke shumë të drejtë të më urresh, por në momentin që e bëra, nuk mendoja për asgjë – i thashë.

– Unë të fal, por nuk e di a do të ta falë këtë djali dhe familja jote sepse kjo është shumë e rëndë. Unë djalin e çova te Shtëpia e Fëmijës sepse… – dhe më tregoi gjithë historinë e saj ashtu siç ma tha infermierja. – Megjithatë, tani ai është me mua sepse prindërit ma mbushën mendjen që duhet ta mbaja. Në fund të fundit, unë e kisha lindur dhe ai nuk kishte faj për atë që më ka  ndodhur – tha. Ajo kishte vendosur ta mbante Albin megjithëse ai ishte i sëmurë, ndërsa unë, nëna e tij e vërtetë, e kisha braktisur.

– Por… unë e dua tim bir! – i thashë.

– Eja me mua… – më tha dhe më çoi në shtëpinë e saj. Në dhomën e fëmijës ishte një djalë që po luante në krevatin e tij. Mbeta disa minuta pa lëvizur, vetëm po e shihja. Doja ta përqafoja shumë dhe t’i kërkoja të falur.

– Afrohu dhe foli sepse ai të kupton. Është djalë shumë i zgjuar! – më tha ajo.

Iu afrova. Kishte shikimin e babait të tij. Më pa dhe qeshi. Sa do të doja në ato momente t’i thoja se isha mamaja e tij, por kur dëgjova të thërriste “mami” vajzën që kisha pranë, nuk munda.

– Si është djali im? – më pyeti ajo.

– Ah, ai është rritur, shkon në shkollë dhe është shumë i dashur.

– Për diçka nuk më vjen keq… Ai ka mundur të jetojë më mirë me ty. Unë nuk do të mund t’ia plotësoja nevojat. Kur mund ta shoh? – më pyeti.

– Tani nuk mundemi sepse im shoq nuk e di këtë që sapo të tregova… U bënë dhjetë vjet që këtë sekret nuk ia kam thënë askujt, kështu që do të vij unë nesër, së bashku me djalin.

Ajo pranoi. Por, si mund t’ia tregoja unë tim shoqi pas dhjetë vjetësh atë që kisha bërë, ndërkohë që ai, gjatë kësaj kohe, mendonte se po rriste fëmijën e tij? E kisha shumë të vështirë, megjithatë, kur vajta në shtëpi, mora guximin dhe ia thashë. Reagimi i tij ishte i ashpër, siç mund të pritej.

– Si munde ta bësh këtë? Asnjë nënë nuk do ta bënte këtë që bëre ti. Nuk po të njoh më. Mua ma tregon tani, pasi kanë kaluar dhjetë vjet dhe pret që të të fal? – tha. I lutesha të qetësohej sepse mund ta dëgjonte djali që po flinte, por ai ishte me nerva dhe nuk e kuptonte sa e ngrinte zërin.

– E kupton çfarë ke bërë? Ke mohuar djalin tënd dhe tani pret mirëkuptim nga unë? Më vjen keq, por këtë nuk ta fal dot! – më tha. – Më urre po deshe sepse edhe unë e urrej veten time, por u pendova që të nesërmen, megjithëse nuk kisha guximin të ta thoja ty. Isha e vetmuar dhe nuk dija çfarë bëja, por nuk u dorëzova kurrë derisa e gjeta tim bir. Kam jetuar dhjetë vjet të tmerrshëm dhe nuk kam reshtur asnjë minutë së menduari për djalin… – thashë, por ai kërkoi që ta merrja menjëherë Albin dhe ta sillja në shtëpi. Nuk donte t’ia dinte fare për mua. E dija që pasi i thashë këtë, martesa jonë do të merrte fund dhe kjo për mua ishte shumë e rëndë sepse ishte rrjedhojë e një veprimi që nuk e mendova fare. Vajta të merrja djalin, por vajza nuk pranoi të ma jepte para se të shihte djalin e saj. Më dukej sikur po shkëmbenim dy objekte dhe jo fëmijët tanë. E kisha shumë të vështirë ndarjen me djalin që kisha rritur, por doja patjetër tim bir. Nga ana tjetër, Albi nuk pranonte të ndahej nga ajo, ndërsa mua më shikonte me inat sikur ta dinte që unë e kisha braktisur. Im shoq, sapo e pa, e përqafoi, megjithëse e shihja që në fytyrën e tij dhembjen që Albi ishte ashtu.

– Më në fund, me djalin tonë! – i thashë.

– Mund ta shohësh sa herë të duash! – tha ai. M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë. Me këtë, ai donte të thoshte që unë nuk kisha më vend në atë familje. Që nga ajo ditë, ne kemi jetuar të ndarë dhe djalin e mban ai. Po e vuaj shumë gabimin tim. Ndoshta e meritoj këtë, por është shumë e vështirë për një nënë të mos e shohë fëmijën e saj çdo ditë dhe të mos jetë pranë tij në çdo moment. Tani, Albi është rritur dhe unë nuk resht së luftuari çdo ditë që të jem përsëri pranë tij. Edhe bashkëshortit tim i kam kërkuar që të më falë, por ai këtë e ka lënë në dorë të Albit, prandaj vazhdoj të jetoj me shpresën se një ditë do të jem pranë tij. E dua aq shumë sa edhe jetën do ta jepja për të. Nuk arrij ta besoj se si qeshë aq e pashpirt sa të ndërroja fëmijën tim, por edhe nënat gabojnë dhe, si të tjerët, e meritojnë një mundësi të dytë, të cilën po e pres çdo ditë, me padurim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *