Dy të tretat e jetës sime i kam kaluar me intervista, duke bërë pyetje e duke pritur përgjigjet. Sot, pas një xhiroje në Tiranë duke ndjekur protestën, nuk m’u ndenj pa iu kthyer huqit të vjetër, pyetjeve. Por këtë radhë, ndryshe nga më parë, vetë i bëra e vetë iu përgjigja. Ja, lexojini 15 pyetjet dhe përgjigjet e mia për protestën…

1.

A është e organizuar kjo protestë?

Për mendimin tim protesta është e organizuar, madje ka qenë e mirëorganizuar deri në momentet që organizatorët po shikonin se ajo po ecën mirë dhe filluan të mendojnë se çfarë do të bëjnë më pas, se kush do të merrte në dorë “tortën e fitores” dhe do mbante për vete copën më të madhe.

2.

Kush e ka organizuar protestën?

Për mendimin tim janë shumë grupe organizatorësh, shumë të kundërt me njëri-tjetrin, madje dhe armiq, të cilët i bashkon një cilësi, qenia Antiramë.

3.

Cilët janë këto grupe të kundërta?

Kam vënë re se në protestë ka grupe soroiste që nuk dalin hapur (Rama dhe Balla i quajnë sorra), ka dhe antisorroiste, që dalin hapur me parrulla kundër Sorosit; ka grupime trampiste, ka dhe antitrampiste, ka grupime komuniste, ka dhe antikomuniste, ka berishiane, ka dhe antiberishiane, ka organizata fetare gyleniste, ka dhe erdoganiste, ka vajza e djem simpatikë me shami e me mjekër, që mbështeten nga organizata islamiste arabe (mundet edhe iraniane, siç ka thënë zoti Rama), ka edhe të tjera që organizohen nga xhami që mbështeten nga Turqia, të cilat, në mënyrë të organizuar, dërgojnë besimtarë në protestë. Etj. etj. Ka të rinj të organizuar nga organizata LGBT, siç ka edhe të rinj që mbrojnë familjen apo të rinj nacionalistë. Të gjitha këto grupime veç e veç ishin dhe janë organizatorë të protestës. Të gjithë këta i bashkon të qenurit “antiramë”.

4.

Ti mendon se nuk ka popull të paorganizuar?

Mendoj që bërthama e protestës ishin këto organizata. Populli, që i kishte shkuar thika në kockë, duke parë organizimin e mirë të protestës në ditët e para, u ngrit me dëshirë rreth këtyre ose bashkë me këto grupime dhe ai tani ndofta është “organizata” më e madhe, por që ka vështirësi që të nxjerrë një kokë.

5.

Edhe protesta e ka vështirësi të nxjerrë një kokë.Pse?

Sepse po e përsëris, grupet janë diametralisht të kundërta dhe të gjithë synojnë të rrëmbejnë copën kryesore në tortën e fitores.

6.

Dua të sqaroj një gjë. Rama njihet për lidhjet me Sorosin, ndërsa ti thua që Sorosi do të rrëzojë Ramën. Sikur është nonsens kjo?

Sorosi ndofta nuk do të rrëzojë Ramën, por Sorosi është kundër projektit Trump dhe lidhjes së Ramës me të dhe, duke parë që kjo lëvizje antitramp u rrit dhe u kthye në një “revolucion flamingo” që mund të përmbysë Ramën, nuk mund të rrijë duarjashtë dhe donte patjetër që protestën ta udhëhiqnin njerëzit e tij, që tortën e fitores ta marrë ai në dorë, pra, e thënë troç, ta zgjedhë ai pasardhësin e Ramës. Nuk është rastësi ardhja e Aleksandër Soros në Tiranë ditët e protestës dhe takimet e tij në Tiranë. Në politikë nuk ka asgjë të rastësishme. Çdo lëvizje e aktorëve politikë e ka një qëllim.

7.

Po shërbimet e huaja kanë dorë këtu?

Mendoj që po dhe jo vetëm duke u nisur nga çfarë tha zoti Rama apo çfarë ka shkruar gazetari Basir Çollaku, që dy javë para protestës kanë qenë në Shqipëri shefat e shërbimit sekret gjerman e turk. Shqipëria prej kohësh ka qenë një fushë shahu e shërbimeve të huaja. Nga veprimet duket qartë se disa shërbime të huaja nuk e duan Ramën dhe po mundohen të ndihmojnë kundërshtarët e tij. Kush veç shërbimeve të huaja ia dha Ahmetajt përgjimet?

8.

Pse u ngritën në protestë shqiptarët këtë herë?

Ka disa faktorë. E para për mua, sepse organizatorët e parë të saj ishin mjeshtra. Ata ditën të kapin momentin. Tërheqja zvarrë e të riut në Zvërnec ishte shumë e rëndë. Ishte shkrepësja që ndezi barutin, ishte pika e ujit që mbushi gotën. Ata kapën momentin, financuan protestën dhe populli u ngrit. Mos harroni se Adriatik Lapaj ndenji muaj e muaj të tërë para Kryeministrisë, por protesta e tij nuk ndezi. Nuk ndezi jo vetëm për faj të tij, por edhe për shkak se nuk kishte një shkak, një shkrepëse që t’i vinte flakën zjarrit. Por dua të shtoj se për mendimin tim protesta e Llapajt ishte prova e parë e të huajve për rrëzimin e Ramës, tentativë që nuk eci. Protesta e Zvërnecit ishte e dyta. Në këtë rast u shtuan forca të reja dhe u bë organizim më i mirë.

9.

Cilin nga grupet e shikoni si më të mirin?

Nuk mund t’i gjykoj si të mirë e të këqij, por do thoja që ai i flamingove është më simpatiku. Protesta e tyre ka shumë art, krijimtari e ide.

10.

Të shtunën protesta që e përçau… Si do vazhdojë nëse ato nuk bashkohen?

Të shtunën për mua protesta nuk qe e përçarë, por qe e dështuar dhe kështu nuk mund të vazhdojë. Një grup ishte te kryeministria dhe u jepte megafonin njerëzve të ndryshëm. Një grup nga diaspora bënte thirrje të rrethohej kryeministria. Një grup bënte thirrje të bllokohej Unaza dhe shkoi aty. Një grup tjetër thërriste të fillonte marshimi i përnatshëm në Tiranë dhe e filloi. Mungonte vetëm grupi që të bënte thirrje të shkonin në shtëpi. Natyrisht kështu nuk vazhdohet. Mendoj se grupet nuk mund të bashkohen. Dhe as mund të kërkohet bashkimi i tyre në kohën që nuk ka asnjë grup që të përfaqësojë popullin, që është grupimi më i madh. Unë mendoj se të gjitha grupet duhet të ulin hundën, të zhdukin egon, të mendojnë për Shqipërinë dhe ta bashkëpunojnë duke protestuar sëbashku.

11.

Mendon se protesta duhet të nxjerrë një njeri në krye, parti?

Parti është fjalë e madhe. Mendoj se duhet të nxjerrin një grup njerëzish që të kenë simpati dhe autoritet në popull. Ose edhe një njeri të vetëm. Populli që është ngritur për hallet e veta, që ka edhe pjesën më të madhe të protestuesve, është i paperfaqësuar tani. Dhe kjo për mua është e meta më e madhe e protestës.

12.

A e saboton Rama protestën?

Jam i sigurt që po. Sabotim është hibrid, siç thotë Rama. Fillon me propagandën, me pasqyrimin në media, vazhdon me diversionin dhe përfundon me shkeljen e ligjit nga policët civilë që tërheqin zvarrë demonstruesit.

13.

Ç’mendon për pasqyrimin e protestës nga media?

Pasqyrimi i saj është një faqe turpi e gazetarisë shqiptare. Ato heshtnin kur Rojteri e jepte direkt protestën. Shumica e mediave e vërtetuan dhe një herë që janë të blera dhe në shërbim të atij që i paguan më shumë. Natyrisht në një vend të vogël, me treg të vogël shitje dhe reklamash, është vështirë të mbash një media të pavarur.

14.

Si e shikon të ardhmen?

Protesta do vazhdojë dhe do jetë një lojë nervash mes popullit e Ramës. Ajo do jetë e madhe në numër kur të ketë financime nga organizatorët, do jetë më e pakët kur të mungojnë, por do vazhdojë gjatë. Do shohim kush të ketë nerva më të forta.

15.

Çfarë mendon për thirrjet për përshkallëzimin e saj, për dhunën që duhet të shtohet, për mosbindjen civile etj. etj…?

Unë jam kundër dhunës. Populli duhet të tregojë forcën e tij, jo dhunën. Nuk jam as për bllokime rrugësh apo akte të tjera të kundërligjshme. Por, nuk ka asgjë të kundërligjshme të bllokosh, për shembull, derën e Kryeministrisë që zoti Rama mos shkojë në punë për një muaj rresht. Për këtë nuk duhet dhunë, duhet forcë. Nëse dalin 100-200 mijë vetë para kryeministrisë dhe rrinë një javë, një muaj rresht, nuk ka asnjë shkelje ligji. Shkelje ligji ka kur godet me molotov, kur bllokon rrugën. Dhe mos harroni, 200 apo 300 mijë vetëve nuk ka polici që i bën ballë. Por të shohim. E thashë që kjo është lojë nervash. Mbase nervat lënë Ramën në fillim dhe jep dorëheqjen. Mbase lënë edhe popullin. Mbase populli nxehet shumë dhe dalin 200 a 300 mijë vetë në rrugë. Të shohim!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here