Kaso Kosa: – Zoti Fullani, ç’mund të na thoni për vjedhjen skandaloze të lekëve në Bankën Shqiptare?

Adrian Fullani: – Avash, mo burrë, avash se nuk ishte ndonje skandal kushedi! Në fund të fundit, u morën disa maceta me kartmonedha nga ato që duheshin skartuar se ishin jashtë përdorimi dhe kaq! Mos dëgjoni mediat, se ato aq duan dhe e bëjnë qimen tra! Sa u vodhën, në fund të fundit? 7 milion dollarë që për bankën tonë nuk janë asgjë përpara të gjithë valutës që ka banka apo ekonomia shqiptare.

– Ne fakt, ju keni te drejtë sepse askush nga politikanët tanë nuk ka thënë asgjë për këtë vjedhje…

– Po nuk kanë ç’të thonë, mo burrë, se unë vetë e zbulova vjedhjen dhe vetë e denoncova dhe për këtë, jam krenar. Nuk e dëgjuat se ç’tha kryetari i Kuvendit, zoti Meta? “Aferim zotit Fullani që arriti dhe e zbuloi këtë vjedhje!”, tha. Dhe, me të drejtë, sepse po të mos e kisha ngritur unë zërin, ai Ardiani tjetër, mund të vazhdonte të vidhte edhe dhjetë a pesëmbëdhjetë vjet të tjera. Madje, më erdhën sinjale se qeveria, për këtë zbulim që bëra për vjedhjen e 7.1 milion dollarëve, mund të më shpërblejë me një shumë që duhet të shkojë deri afër çmimit “Nobel”. Ndërsa, siç më tha në konfidencë Odeta, Presidenti i nderuar zoti Nishani, ka menduar të më dekorojë me urdhërin “Nderi i Kombit”.

– Po Berisha dhe Rama, si reaguan për këtë vjedhje?

– Doktori më thirri dhe unë e sqarova se nuk ishte ndonjë humbje e madhe, po të llogaritësh që kishte mbi 4 vjet që Ardiani tjetër vidhte. Zoti i mbajti dorën se mund të hiqte edhe dy apo trefishin e këtryre lekëve. I premtova se ne si bankë ato miliona dollarë fare mirë mund t’i zëvendësojmë brenda një viti, në mos edhe më shpejt dhe ekonomia nuk humbet gjë. Në fund të fundit, kartmonedha që ishin të destinuara të digjeshin, qenë.

– Si mund t’i zëvendësoni, kur ato vërtet ishin të vjetra, por me riciklimin që u është bërë, dëmtohet vlera e lekut në qarkullim?

– Jam ujk i vjetër unë, Kaso! Ia di të tëra zanatit. Jo më kot vanë e më vunë mua Guvernator të Përgjithshëm dhe të emëruar dy herë me radhë! Ka njëmijë mënyra për t’i zëvendësuar. Njëra për shembull, është aq e mirë dhe efektive sa kur ia thashë Kryeministrit Rama pardje që më thirri në zyrë, ai u mahnit fare. “Qenke gjeni, mor Ardian, më tha, kjo qenka një zgjidhje që do të na japë nam në Evropë e më tej!”.

– Cila qenka kjo zgjidhje gjeniale se po na bën kuriozë?

– Ta them unë. Ne bëmë inventarin dhe doli se sasia e kartmonedhave që është hequr nga thesari, është zëvendësuar me të njëjtën sasi letre në peshë dhe në volum, me libra. Librat ne po i shqyrtojmë dhe konstatuam se ka një larmishmëri të jashtëzakonshme titujsh, që nga autorët nobelistë, vepra të Homerit dhe të Shekspirit, të Kadaresë, të Agollit, të Faik Konicës e deri abetare, matematika e fizika të të gjitha llojeve, të shkollave të mesme e nëntëvjeçare. U gjetën edhe vepra të shokut Enver Hoxha, fringo të reja! U konsultova më Këshillin Mbikqyrës dhe dhashë mendimin që të bëjmë inventarin një për një të librave të gjetura nëpër arkat e lekëve dhe t’i etiketojmë posaçërisht me nëntitull: “Libër i kambizuar me lekë”.

– E ku na qenka gjenialiteti këtu?

– Po dale mo burrë se tani ta shpjegoj. Pas kësaj, ne do të hapim një pavion në Pallatin e Kongreseve me këto libra. Pasi të vizitohet panairi nga lexuesit, ne do të shpallim shitjen e tyre me ankand. Per shembull, çmimi fillestar i abetares që përdorën shkollat kosovare është 10 dollare. Kush e merr më shtrenjtë këtë abetare që është ngujuar për dy vjet në arkat e thesarit të shtetit amë? Mund të arrijë që një libër kimie apo fizike nga ato të teksteve alternative që ka qarkulluar këto tetë vjetë, të shitet edhe për treqind dollarë. Po nostalgjikët e shokut Enver, nuk mund t’i blejnë për njëqind apo dyqind dollarë librat e tij me kujtime apo raportet e kongreseve? Madje, me një llogaritje të përafërt, më del që jo vetëm do t’i zëvendësojmë ato miliona dollarë, por edhe t’i japim bankës dyfishin e humbjeve të shkaktuara. I porosita punonjësit e bankës që jo vetëm të mos flasin me njeri për këtë ngjarje, por që nesër të fillojnë e të grumbullojnë libra të vjetër që t’i etiketojmë e t’i shesim në ankand si ato që gjetëm nëpër arka.

 – Kur u takuat me Ramën në Kryeministri, çfarë ju tha për këtë ndodhi të bankës që ju drejtoni?

– Në fillim më tërhoqi vërejtjen duke përdorur nga ato shprehjet që ai i ka shumë qejf, si “Trap”, “ Hajvan”, “k…vë” e shumë të tjera. Unë e lashë të shfryhej e pastaj i shpjegova se do t’ia gjejmë anën edhe kësaj që na ndodhi, duke e sqaruar se pikërisht kjo vjedhje, tregon se sistemi im bankar ka funksionuar për së mbari dhe ai u bë qengj. Më pas më pyeti në më pëlqente kostumi i ri dhe gravata që kishte blerë më rastin e lindjes se Zahos dhe unë ja lavdërova shumë. Iu bë qejfi dhe në konfidencë më tha në se mund t’i hapnim një llogari bankare djalit të tij të sapolindur, me ketë historinë e ankandit. “Sjell unë ca libra, tha, ca i sjell Lindita nga shkollat nëntëvjeçare dhe vijojmë ankandin për llogari të Zahos”. Kështu e lamë, të fillojmë hapjen e ekspozitës dhe aty do të veçojmë një pavion për Zahon. Do njoftojmë turistët nga e gjithë Evropa që të shikojnë me sytë e tyre librat që për katër apo pesë vjet kanë zëvendësuar lekët e bankës sonë. Besoj se nuk do të ketë turist që nuk do të dojë të blejë këta libra që hynë në historinë e Shqipërisë në këtë fillim shekulli, si kambizmi më interesant dhe nga më unikët në botë.

– Juve ju thirrën në komisionin e ekonomisë dhe dhatë edhe një deklaratë për shtyp…

– Në komision unë deklarova zbulimin që kisha bërë dhe më përgëzuan të gjithë, për kurajon dhe trimërinë në këtë denoncim. I premtova komisionit të ekonomisë se këtej e tutje nuk do mund të ndodhin më ngjarje të tilla të pakëndshme që nuk e nderojnë institucionin që unë drejtoj e do të drejtoj për vitet e ardhshëm.

– Mendoni se do vijoni të jeni për shumë vite Guvernator e nuk ju shkon mendja për dorëheqje?

– Ça thua, mo burrë? Pse u dashka të dorëhiqem apo që të rrëzohet i gjithë sistemi im bankar dhe vendi të shkojë drejt një krize të sigurtë financiare? Unë jam atdhetar e patriot, që nuk mund t’i zhgënjej bashkëkombasit e mi! Veç kësaj, po e kryej përsosmërisht detyrën. Jo vetëm zbulova fajtorët, por edhe i denoncova. Në fund të fundit, Ardiani tjetër, mua nuk më ka dhënë asnjë qindarkë nga ato që merrte çdo ditë në thesar. Madje, siç më thanë punonjëset e bankës, ai as gruas së tij nuk i ka çuar kokërr leku. I prishte të tëra në kazino dhe në llotari sportive në lagje. Më erdhi keq kur mora vesh se jeton në një apartament që e ka marrë me kredi dhe nuk i ka ngelur asnjë qindarkë të shlyejë kredinë, sepse ishte kavalier i madh me shoqërinë. Mua në çdo ditëlindje dhe në çdo vit të ri, më sillte dhurata të mrekullueshme.

– Nuk keni dyshime për punonjës të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë lloj vjedhjeje?

– Ç’thu mo burrë? Në asnjë mënyrë nuk dyshoj. Të gjithë punonjësit i kam zgjedhur personalisht nga familjet më fisnike të vendit. Të dyshoj te kunata e zotit Berisha që është një grua për së mbari? Të dyshoj te gruaja e Presidentit Nishani, zonja e parë Odeta, zonjë e nderuar? Pa le vajza e Jozefinës apo vajza e Ritvanit, korrekte e të disiplinuara. Ç’të të them, mund të dyshosh te motra e Genc Rulit apo kunata e Imamit, te vëllai i Ristanit apo djali i Zaganjorit, te mbesa e Kryeprokurorit Llalla? Mos e thuaj mo burrë! Mua edhe ky Ardiani tjetër, se si më doli i pabesë nuk e kuptoj, se është djalë për kokë të djalit.

– Flitet shumë se ju keni pasuri marramendëse, si vila e dyqane…

– Mos i zmadhoni gjërat, mo burrë, se nuk kam kushedi në krahasim me miqtë e mi Gjin Gjoni, Llalla, Zeni e të tjerë. Pse, gjë e madhe është të kesh një vilë në Lundër apo një dyqan në TEG, një vilë në Mqaedoni e një në Golem? Me rrogën që marr unë, kam mundësi të ndërtoj edhe 5-6 vila të tjera sa të jem Guvernator i Përgjithshëm. Mos harro që marr më shumë euro në një vit nga sa merr Guvernatori i Përgjithshëm i Anglisë apo i Francës. Kjo pagë e lartë, me meritë sigurisht, ka bërë që emri im të ketë kaluar me kohe kufijtë e Evropës dhe kjo më bën krenar për vendin tim dhe për bankën që drejtoj. Dhe, me të drejtë, duhet të bëj krenar të gjithë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *