Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vdekja më mori nga duart një engjëll

Të dashur lexues, po jua tregoj këtë histori për dy arsye. E para, për t’ju treguar se edhe me anë të Facebookut mund të njohësh njerëz shumë të mirë e të krijosh lidhje që ia vlejnë dhe e dyta, për të treguar se si është e shkruar që disa njerëz si puna ime të mos gëzohen kurrë.
Unë që po ju shkruaj jam një burrë 45 vjeç që jetoj në Angli. Kam shumë vite këtu e tashmë jam stabilizuar mirë. Kam dy djem të rritur sepse jam martuar i vogël. Djalin e madh e kam në Akademi dhe tjetrin, në një kolegj. Janë djem të mirë e të urtë. Kam disa vjet që jam ndarë nga gruaja. Të them të drejtën, ndoshta gabimi qëndron tek unë që jam pak më shumë se ç’duhet xheloz. E di se i kaloj caqet, por ç’të bëj? Nuk mund të ndryshoj! Ajo, tashmë, është martuar me një anglez dhe jeton shumë mirë (nga ajo që më kanë thënë djemtë kur i takoj, se unë nuk e takoj asnjëherë), mirëpo kjo është histori e shkuar e nuk dua të flas për të me ju sepse nuk dua ta kujtoj aspak. Historia ime fillon kështu:
Nuk jam ndonjë përdorues i madh i Facebookut, por ja që shanci më bëri të njihja një grua shumë të bukur. I shihja fotografitë e saj sepse kishim një mik të përbashkët. U dashurova menjëherë pas saj, kështu që i bëja ftesë të më pranonte si shok, por ajo më refuzonte. E provova shumë herë, si tip këmbëngulës që jam, por asaj nuk i mbushej mendja. E ta mendosh se unë në foto dal bukur, më bukur se natyral! Më bëri shumë kurioz dhe më të dashuruar me të, se e kuptova se mund të ishte një grua besnike. I çova një mesazh e pastaj një tjetër, por s’më ktheu përgjigje. Pas shumë mundimeve më bëri shok, sepse më duket kishte pyetur shoqen e vet dhe i kishte thënë se isha një kushëri i saj dhe njeri shumë i mirë, që nuk të bezdis. Ky ishte vetëm një hap i vogël, por mua më mbushi me shpresë. U fiksova keq pas saj. I shihja fotot e saj çdo ditë e i çoja mesazh ku i thoja “përshëndetje”, por nuk ma kthente.
Ishte një periudhë shumë stresuese, por edhe e bukur, që më kishte kthyer edhe njëherë në rini, sepse e mbaja gjithë ditën mendjen tek interneti, duke pritur një përgjigje të sajën. Dhe, më në fund, erdhi edhe përgjigjja. I kisha shkruar: “Përshëndetje” dhe emrin e saj e ajo ma kishte khtyer thjesht: “Përsh”. As të plotë fjalën nuk e kishte shkruar, por mua më mjaftonte. Mendova se ndoshta kishte patur punë sepse ma kishte dërguar nga celulari, por prapë herën tjetër ashtu ma ktheu.
“Eh, ç’qenka kjo!”, mendova me vete, por prapë vazhdova pa u ndalur as nga këto veprime të saj. Një natë ajo m’i ktheu përgjigjet. Më tregoi se ishte e divorcuar dhe kishte një vajzë 18 vjeçe. Kishte kohë që ishte ndarë nga i shoqi sepse ishte shumë xheloze e ai, shumë femnist, kështu që ishte e pamundur të rrinin bashkë. U kënaqa, të them të drejtën, që ishte e lirë, sepse më kishte tërhequr shumë ajo grua.
Ajo më pyeti mua për të gjitha dhe unë u tregova shumë i sinqertë me të. U lidhëm edhe në Skype dhe e quajtëm veten të dashur, edhe pse akoma nuk ishim takuar. Ajo më njoftonte për gjithçka: Ku ishte, me kë ishte dhe unë, gjithashtu. Më pëlqente çdo gjë e saj, vetëm bëhesha shumë nervoz kur ma mbyllte telefonin e s’më fliste kur ishte në punë sepse mendoja se mos kishte ndonjë të dashur tjetër (natyra ime xheloze). Mirëpo menjëherë ajo futej diku dhe më qetësonte me fjalët e saj të ëmbla, kurse mua më dukej sikur fluturoja, sepse më në fund, e kisha gjetur femrën më të mirë për mua. Nga të gjitha femrat që kam njohur, ajo ishte më e mira, përfshirë këtu edhe ish-gruan time, për të cilën tani nuk ndjej asgjë.
Nuk po duroja dot pa e takuar, por nuk më duhej të prisja pak kohë që të merrja leje nga puna e të shkoja në Shqipëri. Megjithëse ne shiheshim në Skype e flisnim me mesazhe pa fund në Facebook për vendndodhjen tonë, pritja për takimin ishte shumë e vështirë. Mora leje dhe u nisa për Shqipëri. Ajo po më priste në aeroport. E pashë nga larg dhe më dukej shumë e gjatë koha derisa të dilja e ta takoja. Ajo ishte shumë e bukur. Kishte një fytyrë engjëllore dhe me një buzëqeshje që mua më bëri të hutohem e të më merret goja. Madje më humbën fjalët fare dhe ajo, e habitur më pyeti:
– Nuk je mirë? Çfarë nuk shkon?
– Jam shumë mirë, vetëm se nuk e prisja të ishe kaq e bukur! – më dolën fjalët vetiu.
Ajo qeshi me të madhe dhe më tha:
– Më tmerrove! Po ajo e Skajpit jam.
– Jo, jo, ti je dhjetëfish më e bukur! Sa me fat jam!
Po thoja të vërtetën. Në Skype ajo ishte e bukur, por origjinale, ishte super! Morëm një taksi dhe shkuam në shtëpinë e saj. Vajza nuk ishte aty sepse sapo e kishte marrë vesh për mua ishte mërzitur dhe kishte shkuar tek i ati. Kur ajo e tha këtë, sytë iu veshën pak nga një hije trishtimi, por unë e binda se do të bëja të pamundurën që vajza të ndjehej shumë mirë me ne. Ajo më pa me besim, gjë që më bëri të ndihem i sigurtë në dashurinë tonë. Ajo më bëri një kafe dhe u ulëm të bisedonim. Ishte një grua që fliste qetë dhe ëmbël. Ajo ishte perfekte. Ditën tjetër erdhi vajza e saj dhe më pa me sy të egër, sikur donte të më përpinte të gjallë. Ndjeva se mund ta kaloja këtë vështirësi; për atë grua do të bëja gjithçka. Kalova disa ditë në Shqipëri, gjatë të cilave nuk takova asnjë kushëri, vetëm ia kushtova kësaj gruaje dhe vajzës së saj. Nga fundi, vajza filloi të “zbutej” pak dhe kjo ishte një shenjë e mirë. U nisa për në Angli me një gëzim të madh në gji sepse tani isha i dashururar me gruan perfekte. Vija më shpesh në Shqipëri, takoheshim e dashuria jonë sa vinte e rritej. Një herë mora edhe djemtë me vete dhe të gjithë ashtu së bashku dukeshim si një familje e lumtur. Mirëpo, si gjithmonë, për mua nuk mund të ketë lumturi. E them këtë jo se jam tip pesimist, por gjithmonë kështu më ka ndodhur. Sapo mendoj se i rregullova punët, ato më prishen, ndoshta ngaqë jam një njeri i rregullt më shumë seç duhet…
Një ditë, e dashura e jetës sime më doli në telefon duke qarë aq shumë sa nuk arrinte të fliste. Edhe pse kisha një punë shumë të rëndësishme në dorë, i kërkova të hapte menjëherë Skypin (ia kisha blerë telefonin që të lidheshim me Skype kudo që të ishim). Kur ajo e hapi telefonin, ç’të shihja? Ajo ishte në spital. U shokova. I kishte rënë të fikët në punë dhe kolegët e kishin nisur menjëherë në spital. Preva urgjentisht biletën dhe u nisa për në Shqipëri. Kur e pashë në atë spital, nuk doja të jetoja më. Tashmë, mjekët e kishin ekzaminuar: Ajo kishte një tumor të madh në kokë.
Nuk e përmbaja dot veten. Lotët më rridhnin në faqe dhe kuptova se jeta ime tashmë s’kishte asnjë kuptim. E shtrëngoja në krahë pa menduar se mund të kishte ndonjë njeri që na shihte. Ajo mundohej të më qetësonte dhe më thoshte se duhej ta përmbaja veten, por unë nuk mundesha. Ajo më thoshte kështu jo se nuk i dhimbsej jeta e saj, por nuk donte të më shihte ashtu sepse më dashuronte me gjithë shpirt.
– Do të të çoj në spitalet më të mira të botës, që të shërohesh. Ti je fati im dhe nuk do të të lë të shkosh. – i thoja orë e minutë.
Te këmbët e krevatit rrinte vajza e saj, e cila ashtu si edhe unë, nuk arrinte ta besonte. Sapo e pashë, e kuptova se ajo kishte nevojë për mbështetjen time. E mblodha veten dhe i thashë të shkonim të pinim diçka jashtë. E dashura ime aprovoi me kokë dhe, kur u afrova ta puthja, më tha:
– E kam ditur gjithmonë se ke qenë i duhuri. – kështu e kishte zakon ajo, fliste pak fjalë dhe të gjitha të mençura.
Dolëm të dy dhe u ulëm në një lokal. Ajo më pa në sy e më tha:
– Po ti, nuk kishe punë, që erdhe menjëherë?
– S’ka punë më të rëndësishme se nëna jote! Ajo është gjithçka për mua…
– Më fal për në fillim që rrija ashtu, por kisha frikë se mos je ndonjë mashtrues.
– E kuptoj. Çdokush ashtu do të mendonte, jo vetëm ti. – Po mundohesha ta largoja bisedën nga ëma, por ajo më ndërpreu duke më thënë:
– Pse është kaq e keqe kjo sëmundje? Rri fshehur në trupin e njeriut dhe kur shfaqet, çdo gjë është e kotë, nuk mund të bësh asgjë…
– Ç’janë këto që thua? Asgjë nuk është e pamundur. Unë do ta çoj në spitalet më të mira të botës. Nuk do ta lë atë sëmundje të tmerrshme të fitojë.
I thashë kështu, edhe pse doktorët më kishin thënë se tumori ishte në një zonë mjaft të vështirë, ku ishte gati e pamundur të operohej.
– Eh, kujt i thua?! Ti po vuan njësoj si unë. Vetëm po mundohesh të më qetësosh… – më tha.
Ashtu ishte në të vërtetë. Më kishte rënë si bombë dhe tani nuk e dija se ç’po thoja. Isha i shokuar.
Pak pasi mori vesh për sëmundjen e saj, e dashura ime më kërkoi të ndaheshim që ta mbaja mend ashtu të bukur siç ishte kur nuk e kishte zbuluar akoma sëmundjen e saj. E si mund ta lija unë atë?! Ajo nuk mund të më dukej e shëmtuar asnjëherë! E dërgova të dashurën time në spitalin më të mirë në Turqi, por përmirësimi ishte i pakët dhe unë e shikoja se si po vyshkej një bukuri e mirësi e tillë. Si ishte e mundur? Ajo më shtrëngonte dorën sikur më përgjërohej që ta lija të vdiste, sepse po vuante shumë. Nga fundi, pësoi një paralizë dhe e fshihte fytyrën me dorë që të mos e shihja, por trishtimi im më i madh ishte humbja e saj. E shoqërova kudo, në çdo vend dhe i ndenja pranë pa menduar asnjë çast se si do të ishte humbja e saj. Nuk e kisha menduar se kjo humbje ishte e padurueshme për mua. Gati kalova në depresion. Kur ajo vdiq, asgjë për mua s’kishte më rëndësi. Edhe pse jeta vazhdon, për mua nuk do të ketë më shkëlqimin që pati për kohën që isha pranë saj.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

9 gjëra që e bëjnë një grua të parezistueshme

Next Post

Elmazi i rrallë bojëqielli

Advertisement