Nga Artan Kristo

Për ata që nuk e njohin, po ju kujtoj se Segolenë Ruajal është një politikanë franceze, ose pa frikë politikania aktuale më e shquar franceze.

Ka qenë disa herë ministre në qeveri të ndryshme si dhe kandidate për postin e presidentit të republikës.

Sot pasdite ajo zhvilloi një bisedë me studentë të Sorbonës dhe publikun e interesuar.

Foli bukur e për gjëra interesante që shqetësojnë Francën dhe mbarë botën, që nga jelekverdhët e deri tek problemet ekologjike të planetit. Nuk dua të shkruaj për këto sot, por për tre gjëra që më bënë përshtypje teksa krahasoja atë me politkanët shqiptarë, për tre pyetje që më lindën e më mbetën në tru pas takimit më të:

1. Gjatë gjithë takimit, që kur hyri në sallë e derisa doli në fotografi me pjesëmarrësit, asaj nuk ju hoq buzëqeshja në fytyrë. Buzëqeshte plotësisht kur fliste për gjërat e bukura të jetës së saj, buzëqeshte hidhur kur fliste për gjërat jo të mira që i kishin ndodhur, por gjithmonë, buzëqeshjen nuk e hiqte nga buzët. Shihja buzëqeshjen e saj njerëzore, që ndriçonte fytyrën e saj dhe vazhdimisht mendoja: Pse nuk kemi edhe ne në Shqipëri një politikan të tillë, njerëzor, që të të ngrohë e të japë shpresë, jo vetëm me fjalët e tij, apo të saj, por edhe me buzëqeshjen? Pse të gjithë tregohen seriozë e nxihen në fytyrë kur flasin para njerëzve, edhe kur nuk kanë asnjë shkak të jenë të tillë? Mos më thoni që edhe ne kemi një politikan që qesh kot më kot. Po, e kemi, por që qesh e zgërdhihet e jo që buzëqesh njerëzisht…

2. Shihja me vëmëndje gjestikulacionet e saj gjatë gjithë takimit. Siç e kanë zakon francezët, ajo e shoqëronte fjalën me lëvizjet e duarve, apo edhe të kokës. Të gjitha lëvizje femërore, 100 për qind femërore, si të ishtë një artiste a topmodel, në harmoni më zërin e saj që nuk u ngrit kurrrë më shumë se tonacionet e qeta. Nuk pashë në lëvizjet e saj, asnjë dorë të bërë grusht (edhe pse është e majtë) apo asnjë gisht të drejtuar egërsisht nga publiku. Pse vallë politikanet tona shndërrohen në “meshkuj të egër” kur flasin para publikut? Pse nuk rrijnë dot pa bërtitur apo ngritur zërin egërsisht?

3. Në takim e saj ajo foli edhe për sulmet seksiste që i ishin bërë gjatë karierës së saj, sidomos gjatë fushatës elektoralë për presidentin e republikës, përmendi edhe çfarë kishin thënë kundër saj të djathtët, apo edhe të majtët, madje ndonjë citati apo shprehjeje kundër saj i përmendi edhe autorin, por asnjëherë gjatë gjithë fjalës së saj prej një ore e gjysëm, ajo nuk shau asnjeri,  shpalosi idetë e saj , por nuk tha asnjë fjalë personale kundër kundërshtarëve të saj politikë. E, pra, më thoni, o të dashur lexues, a do duronte ndonjë politikane, apo politikan i ynë i majtë, ose i djathtë, të fliste një orë e gjysëm në publik pa sharë kundërshtarët e tij, pa ua nxjerrë të palarat e tyre, pa i përmdnur ata me emra personalisht e familjarisht?!

Ja, këto tre pyetje më lindën gjatë takimit me Segolenë Ruajal e më mbetën në mendje gjatë gjithë mbrëmjes sot…

Artan Kristo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *