– Jam kurioze të di cili është kuptimi i shprehjes që përdoret shpesh: “trup i shëndetshëm”? Unë, kur them kështu, e kam fjalën për një person pa sëmundje, ndërsa të tjerë më thonë mua: “Sa e shëndetshme je!”, në kuptimin që jam e shëndoshë. Në fakt, jam pak, por jo aq sa mendojnë ata. Më thoni disa rregulla bazë që të mos shëndoshem më tepër…

Diego Hoxha, fitness instruktor, Fitness&Box Sport Albania, Rr Bajram Curri, pranë maternitetit të ri, tel +35544534743:- – Është më se e vërtetë që shprehja që thoni, nënkupton në të shumtën e rasteve një person të shëndoshë ose mbipeshë, por në thelb, nëse themi “është i/e shëndetshëm”, e kemi fjalën për një person që ka një formë të mirë fizike, që s’ka probleme me shëndetin. Ndërsa në lidhje me atë çfarë kërkoni ju për të ruajtur peshën që keni ose për të mos u shëndoshur më tepër, do t’ju këshilloja:

1. Stërvituni vazhdimisht, aq sa kjo gjë t’ju bëhet zakon. Të paktën tre herë në javë, në mëngjes ikni në palestër dhe vraponi ose bëni biçikletë për 45 minuta. Pastaj, pas pune, rreth orës gjashtë apo shtatë, bëni stërvitje me pesha për rreth 45 minuta. Është vërtetuar se diçka duhet të përsëritet 21 herë para se të bëhet zakon. Pra, të paktën 21 herë shtyjeni veten për të shkuar në palestër. Do ta ndjeni menjëherë ndryshimin.

2. Ju duhet stërvitje kardiovaskulare. Këtu është fjala për vrap, not, biçikletë, patina etj. Çdo aktivitet që e ngre nivelin e rrahjeve të zemrës për një kohë të caktuar, forcon zemrën. Rreth 20-45 minuta, tre deri në katër herë në javë është e mjaftueshme për të humbur peshë në mënyrë graduale dhe të shëndetshme. Pulsi duhet të jetë 120-150 rrahje për minutë, megjithatë, ka një formulë të caktuar për këtë.

3. Veç stërvitjes, duhet të keni një regjim të mirë të ushqyeri, në mënyrë që të keni shëndet të plotë.

– Hani 6-8 porcione ushqimi në ditë.

– Mos u kufizoni me tre vaktet, sepse sasia në to do të jetë më madhe.

– Mundësisht, në gatimet tuaja përdorni vetëm vaj ulliri, pasi është shumë i shëndetshëm dhe, nëpërmjet tij, nuk shtoni në peshë.

– Bëni palestër 3 herë në javë

– Nëse keni mundësi, bëni not rreth 45 minuta, dy herë në javë

– Flini gjumë çdo ditë jo më pak se 8 orë.

– Pini 8-10 gota ujë çdo ditë. Një nga gjërat më të rëndësishme që ne shpesh e harrojmë është uji. Çdo njeri i rritur duhet të pijë 1 litër e gjysmë deri 2 litra ujë në ditë në varësi të peshës së tij. Jo vetëm që trupi ka nevojë për ujë, por uji gjithashtu pengon shëndoshjen. Një njeri që pi ujë në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditës, nuk ndjen shumë uri. Duhet të hani fruta dhe zarzavate të freskëta, mundësisht të pagatuara, të përdorni në mënyrë të kufizuar karbohidratet, si buka e sheqernat sepse kthehen shpejt në dhjamë, zgjidhini me kujdes ushqimet, sidomos ato të gatuara, mënjanoni ushqimet “e shpejta” e të skuqura, merruni me aktivitet, etj. Të gjitha këto ndihmojnë shumë në rënien në peshë dhe në mbajtjen në formë të trupit tuaj dhe kujdesi për trupin, ndikon në mirëqenie.

– Një rol të rëndësishëm kanë edhe vitaminat e kripërat minerale të cilat e ndihmojnë trupin të ruajë një formë sa më të mirë. Një dietë e mirë duhet të sigurojë të gjitha vitaminat dhe kripërat minerale që janë shumë të nevojshme për organizmin. Edhe pse duhen në sasi të vogla, ato janë të pazëvendësueshme dhe veprojnë së bashku. Kripërat minerale ndihmojnë në strukturat kockore, në krijimin e një ekuilibri të sistemit ujor të organizmit, nervat dhe reagimet muskulore. Materiale të rëndësishme janë: kalciumi, fosfori, magnezi, hekuri, sulfuri, sodiumi, potasi dhe zinku. Disa vitamina si A, E, D, K mund të magazinohen, ndërsa vitaminat C dhe B kompleks duhen marrë rregullisht. Nëse frutat dhe perimet gatuhen, vitaminat dhe kripërat minerale humbasin shumë nga cilësitë e tyre. Mjaft vitamina përmbajnë dhe lëkurat e frutave.

Shpresoj t’ju kem ndihmuar sadopak me përgjigjen time, por gjithsesi, për çdo gjë, ju ftoj trë na shkruani sërish. Shëndet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *