Ai ka një jetë në skenë dhe një jetë dedikuar muzikës. Jeton prej 20 vjetësh në Kanada por është në koherëncë me muzikën shqiptare. Lorandi Jazexhi i njohur si Land Korçari në muzikë, është nga të paktit këngëtarë që sjellin albumë në treg, ai ka plot tre të tilla, dy të publikuar dhe një gati për publikim. Serenatat korçare janë ajka e muzikës së tij dhe tashmë ai ka menduar të sjellë një klip me titull “Havale” me muzikë të Edi Balilit dhe klip të Dart Chanel.

 Fabjola Kuburi:- Ta nisim këtë intervistë me emrin tuaj. Në art njiheni si Land Korçari, pse ky emër?

Land Korçari (Lorandi Jazexhi):- Përshëndetje! Në moshën 15 vjeçare, u larguam nga fshati Ponçarë i Devollit për në Elbasan me familjen. Duke luajtur me kitarë dhe gjithmonë duke kënduar serenatat korçare, me shqoërinë në mesin e tingujve , me mbeti Land Korçari.

– Si ju tingëllon juve ky emër arti?

– Emrin kur lind ta vë familja dhe më vonë të tjerët që të rrethojnë të përkëdhelin me ndonjë emër tjetër që të jep kënaqësi. Emri është Lorandi Jazexhi dhe është emri i vërtetë.

-Me një rezyme të shkurtër, ke një jetë në skenë,  çfarë do mbash mend gjatë nga këto vite?

– Muzika për mua është pasioni dhe endrra ime më e madhe, është pjesa më e madhe jetës time, është shpirti im, pa të cilin as vetë nuk e di si do mund të jetoj. Më kujtohet vetja shumë I vogël, 5-6 vjeç dhe improvizova një kitarë me një dërrasë dhe disa tela. Në moshën 14 vjeç, u angazhova në kinoklubin “Metalurgu” në Elbasan. Në moshën 19 jepnim tashmë koncerte nëpër qytete.

– Ti nuk jeton në Shqipëri, si qëndron në koherëncë me muzikën shqiptare?

-Po, kam 20 vjet që jetoj në Toronto në Kanada, bashkë me familjen. Jemi një komunitet I madh këtu.  Ashtu si të rriturt edhe për fëmijët e vegjël kemi krijuar mundësinë që të dëgjojnë, të kërcejnë dhe këndojnë muzikën live shqiptare nga të gjitha trevat dhe sidomos serenatat korçare.

– Sa albume numëron  tashmë në treg?

– Sapo kam përfunduar albumin e tretë. Albumi i parë ka qenë në 1998 me titull “Horoskopi” dhe për cilësinë e rregjistrimit të atyre viteve ishte mjaft i dëgjuar  dhe i kërkuar në treg. Pas një shkëputje të gjatë nga muzika vendosa të rikthehem me albumin “U thinjëm por mend nuk vumë” me kompozitorin Hermes, (Të keqen Lalka) që jeton në USA.

– Nuk e quajtët veten pak të vonuar në tregun muzikor?

– Për mua asnjëherë nuk është vonë, asnjëherë nuk është fundi por fillimi I një etape të re duke mos harxhuar kohë dhe energji për të shkuarën. Tregu muzikor është I madh dhe ka vend për të gjitha moshat.  Secili gjen hapsirën e vetë në treg pavarësisht kohës kur paraqitesh në treg dhe si priten nga publiku këto material muzikore. Mundësia për të ecur mirë një këngëtar nuk është rastësi, por rrjedh nga talenti, këmbëngulja dhe pasioni që ka për të punuar dhe sjellë gjithçka me cilësi sa më të lartë.

– Po punoni për albumin e ri thatë më parë apo jo?

– Po, sapo e kam mbaruar. Materialet që do jenë në këtë album kryesisht janë serenata dhe këngë me ritme rinore, me kompozitorë dhe poetë të ndryshëm si Etmond Zhulali me këngën e Nënë Terëzës dhe tekst të Jorgo Papingjit. Edi Balili, me një serenatë mjaft të veçantë me titull “Havale” dhe tekst të Armand Trebickës. Alban Arifi  me këngën “Mall për Shqipërinë” dhe “Xhane xhane”. Shkëlqim Dule me këngën “Moj shqiptare”.

– Pse zgjodhe Edi Balilin për këngën që do shoqërosh me klip?

– Zgjodha Edi Balilin për këtë këngë sepse është një kompozitor mjaft i suksesshëm dhe duke e njohur edhe vokalin tim vendosi të bëjë një këngë për mua.  Kënga “Havale” është një këngë e goditur që për më shumë ia lëmë publikut që ta vlerësojë dhe jo vetëm këngën por të gjithë albumin.

-Si ka qenë kjo verë për ty?

– Shumë e ngarkuar, duke qenë se realizova 4 klipe me Dart Chanel, si dhe nga “Pasqyra shqiptare”me drejtor Ilir Lena në Toronto, Kanada.

– Ka ndodhur ndonjëherë që je penduar për ndonjë “lëvizje të gabuar” në profesion apo qoftë edhe në jetë?

– Po, jam penduar për largimin tim në kurbet, lashë prindërit për 20 vjet duke pritur kthimin tim, derisa u larguan nga kjo jetë me albumin në gji.

Nëse përballë do kishe veten, cilën pyetje do i bënit të parën dhe cilën nuk do ia bëje kurrë?

– Ç’duhet të bëj që të ndihmoj më shumë njerëzit dhe familjet që janë në nevojë.

Pyetja që nuk do ia bëjë kurrë vetes është sa krenar jam që jam shqiptar, sepse jam në maksimun dhe nuk vihet në diskutim.

– Kë ke pare dhe vazhdon e shikon si shtyllën tënde mbështetëse?

– Kam parë, shoh dhe do shoh gjithmonë si shtyllën time mbështetëse familjen time që e kam me vete kudo shkoj në koncerte apo evenimente të ndryshme.

– A mund të bëhesh i pasur duke kënduar dhe punuar në këtë mënyrë?

-Nuk e shikoj muzikën si mënyrë për t’u pasuruar sepse e kam passion, shpenzimet e jetës i mbuloj me biznesin tim privat ku kam të gjithë familjen të angazhuar.

 

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *