Para humnerës

– Kam parë në ëndërr sikur po i ikja diçkaje, por nuk e mbaj mend çfarë ishte. Di që vrapoja dhe shpesh, gjatë rrugës, hasja vështirësi sepse ishin rrugë të këqia. Më pas, m’u shfaq përpara një humnerë, e pashë dhe ishte shumë e frikshme; isha në buzë të greminës. Aty, u zgjova…

– Ikja në ëndërr nga diçka, çfarëdoqoftë ajo, tregon një dëshirë të madhe për të qenë të lirë, kuptohet, në mënyrë figurative. Ndoshta diçka ju mban peng në shpirt ose në mendje dhe doni të çliroheni. Ecja e vështirë, nënkupton situatat e komplikuara që i krijoni vetes herë pas here, por që do t’i kapërceni po ju vetë. Shfaqja e greminës, ju paralajmëron të bëni shumë kujdes. Humnera ka shumë kuptime e shpesh, ka lidhje edhe me shëndetin, si për t’ju treguar se ka diçka që nuk shkon, prandaj bëni një kontroll shëndetësor. Juve ju ka dalë gjumi dhe kjo do të thotë të jeni e qetë për të tashmen; ëndrra është paralajmëruese dhe ju kërkon të bëni kujdes për gjithçka.

 

Nëna që nuk jeton

– Mbrëmë pashë në ëndërr sikur po flisja me një çun që herë më dukej fytyrë e njohur, herë më dukej i panjohur. Vendi ku po më fliste, ishte shumë errësirë. Seç po më thoshte, por më fuste frikën herë pas here. Më pas dëgjova nënën time që nuk jeton, duke më thënë: “Mos e dëgjo fare këtë person”. Më hyri frika dhe kisha ngelur si e ngrirë. Çfarë kuptimi ka? Ela.

– E dashur Ela, ëndrra tregon se fjalët që keni dëgjuar në ëndërr, ju ia thoni shumë shpesh vetes në realitet. Keni kohë që debatoni me një të njohurin tuaj që mund të jetë familjar, person i dashur nga jeta private apo shok, por duhet të keni kujdes e të mos i besoni. Pra, besojuni fjalëve të nënës suaj. Nënat në ëndërr na shfaqen gjithmonë në momente kritike dhe japin gjithnjë mesazhe, sepse ato janë si engjëj për ne. Gjithë të mirat!

 

Qaja me dënesë

– Doja të dija se ç’do të thotë të shikosh në ëndërr sikur qan me dënesë. Këtë ëndërr e kam parë shpesh kohët e fundit dhe qaj kaq shumë, saqë zgjohem duke qarë.

– Kjo është një ëndërr pozitive. Sado që ju keni qarë, parashikimi është shumë i mirë, aq më tepër që ju e keni përjetuar të qarën edhe në realitet, sepse zgjoheni duke qarë. E qara me dënesë dhe me zë, tregon çlirim nga e kaluara, nga brenga, nga trishtimi, nga diçka që ju ka bërë të vuani dhe parashikon një të ardhme shumë të mirë e të gëzueshme. Pra, do të ngushëlloheni në realitet, sepse do të shikoni që jeni shëruar tashmë nga ajo që ju ka bërë të vuani gjer tani. Ju presin ditë shumë të mira!

 

Më ndiqte një plakë

– Kam parë në ëndërr sikur mua bashkë me motrën time po na ndiqte një grua shumë e shëmtuar dhe plakë, me flokë të gjata. I thashë motrës: “Hajde dalim jashtë shtëpisë sepse jashtë nuk na zë dot lehtë”. Aq e trishtuar dhe e frikësuar isha, saqë jam zgjuar e mbytur në djersë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka? Bona.

– E dashur Bona, plaka që keni parë në ëndërr ka dy kuptime: E para, mund të përfaqësojë dikë që e keni shumë afër dhe që mund të jetë i/e rrezikshme për ju dhe duhet të keni kujdes. Së dyti, mund të jenë edhe mendimet tuaja, ankthi që përjetoni dhe fakti që keni frikë nga çdo gjë e re apo ndonjë ndryshim. Janë emocionet e pakëndshme, lëkundja e humorit, përballja me çdo lloj situate që ju mundoheni t’i largoheni. Mund të jetë edhe një lloj përgjegjësie që ju i shmangeni pasi keni shumë frikë. Duke qenë natyrë shumë e ndjeshme, keni frikë mos lëndoheni. Uroj të dalë kuptimi më i mirë për ju. E njëjta gjë vlen edhe për motrën tuaj.

 

Vrava shokun tim

– E nderuar astrologe! Ju lutem, më thoni ç’do të thotë të qëllosh një person në ëndërr aksidentalisht? I thashë djalit të tezes: “Ma jep pak pistoletën tënde”, sepse ai realisht është polic. E mora, por m’u shkrep dhe vrava një shokun tim që e kam shumë xhan në jetën reale. U bëra shumë keq, por e fsheha trupin e tij edhe pse më dhimbte në shpirt, sepse nuk doja që ta merrnin vesh që e kisha vrarë unë. Pres një parashikim nga ana juaj. Ina.

– E nderuar Ina, vrasja në ëndërr në të shumtën e rasteve tregon humbjen e durimit dhe kontrollit për diçka në jetën reale. Ndoshta ju duroni shumë dhe prisni shumë, ama keni arritur në kufirin e durimit dhe mund të shpërtheni papritur, ama kjo gjë mund të lëndojë padashje njerëzit që keni më për zemër. Vrasja, po kështu, përfaqëson dhënien fund të një varësie, një problemi që ju ka mbajtur pezull për shumë kohë. Pra, përgjithësisht, është një lloj paralajmërimi që tregon se do të reagoni. Nëse është në të mirën tuaj apo jo, këtë do ta mësoni me kalimin e kohës. Gjithsesi, të menduarit pozitiv ju sjell po pozitivitet në jetë.

 

Çelësat e portës

– Ç’do të thotë të kesh tre çelësa në dorë? Me ta, doja të hapja një portë, por vetëm njëri nga çelësat funksionoi që e hapi derën.

– Çelësat kanë shumë kuptime në jetën tonë, tregojnë mundësi, hapje fati, liri, njohuri etj. Në rastin tuaj konkret, tregon që jeni para një çështje, ose keni një plan në jetë dhe keni tre mundësi që të arrini realizimin e projektit tuaj. Ama, vetëm njëri prej tyre funksionon dhe ju duhet të keni shumë kujdes që të përdorni mundësinë e duhur, sepse për momentin, nuk e dini. Ëndrra ju paralajmëron të keni kujdes dhe të zgjidhni mundësinë e duhur, pasi do t’ju paraqiten tre prej tyre. Megjithatë, porta e hapur tregon që ju do ta gjeni zgjidhjen e saktë.

 

Pregaditi faqen: V.V.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *