– Kam një problem këto kohë; më është fryrë shumë barku dhe stomaku. Kam bërë vizitë mjekësore dhe më kanë thënë që s’kam asgjë, thjesht jam shumë e ndjeshme nga e ngrëna, por unë stërvitem dhe kjo gjë s’më pëlqen. Si të veproj në këtë rast? Si ta heq këtë fryrje dhe ta kem belin të hollë si më parë?

Mario Instruktori: – Fryrja e barkut dhe e stomakut vjen nga faktorë të ndryshëm, siç është ngadalësimi i metabolizmit, ushqimet në orët e vona, apo formimi i gazrave nga ndonjë ftohje e lehtë apo ndryshim i ushqimit. Gjithsesi, ka disa metoda që ju ndihmojnë të ulni fryrjen e barkut dhe të holloni belin tuaj. Së pari, mund ta lehtësoni procesin e tretjes së ushqimit me një ushtrim fare të thjeshtë. Gjysëm ore pas ngrënies, shtrihuni në shpinë, lakojini këmbët në gjunjë dhe fërkoni barkun e stomakun duke i bërë masazh të lehtë gjithë sipërfaqes. Filloni me prekje të lehta me gishtërinj dhe më pas, me shuplakë. Në këtë mënyrë, procesi i tretjes fillon të përshpejtohet dhe fryrja fillon të zhduket dalëngadalë. Kini parasysh gjithashtu që, kur ushqeheni, përtypini kafshatat sa më mirë dhe mos hani shpejt, por ngadalë. Nëse hani shpejt, do të gëlltisni edhe ajër më shumë seç duhet, gjë që shkakton fryrje. Shmangni sa më shumë konsumimin e kripës e cila ka tendencën të ndikojë në krijimin e dhjamit në bark dhe rreth belit. Mbajeni trupin drejt, kudo që jeni, qoftë edhe në zyrë apo ulur në shtëpi. Duke qëndruar drejt, automatikisht shtrëngohet edhe barku dhe kjo ndikon për mirë në shfryrjen e tij dhe në formimin e belit të hollë. Do t’ju rekomandoja që gjatë ditës, të praktikoni tërheqjen e barkut 5-6 herë. Bëjeni herë pas here dhe do të shikoni ndryshime të shpejta. Konsumoni herë pas here drithëra sepse ndihmojnë në tretjen e ushqimit dhe pengojnë formimin e shtresave yndyrore në zonën e barkut. Fruti më i mirë për këtë zonë të trupit është molla. Një mollë në ditë, rregullon shumë procese në trupin e çdonjërit prej nesh. Besoj e dini që flitet shumë për efektin pozitiv që ka molla në shëndetin dhe fizikun tonë.

Kini kujdes në ushtrimet që bëni në palestër, mos e sforconi veten dhe frymëmarrja gjatë ushtrimeve duhet të jetë sa më e rregullt sepse mbajtja e frymës kur ekzekutoni një ushtrim, ndikon shumë në fryrjen e barkut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *