E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

EDI RAMA
Një pyetje deshëm t’i bënim këtë javë kryeministrit Rama, vetëm një pyetje: Do të rritet apo jo çmimi i energjisë elektrike? Se ai ka deklaruar më se një herë që çmimi nuk do të rritet, madje fjalët për rritjen e tij i quan “rrena SHQUP-i”. Por, ndërkohë, në buxhetin e ri thuhet se janë planifikuar 16 milionë dollarë për 204 mijë familje që do t’u kompensohet rritja e çmimit të energjisë elektrike (700 lekë për familje). Po kështu, Enti Rregullator i Energjisë thotë se 72% e qytetarëve kosumojnë nën 300 kvv/orë, pra, paguajne me 7.7 leke kilovatin, ndërkohë që Berisha deklaron se me heqjen e fashës do rritet çmimi për mbi 90% të familjeve shqiptare. Si është e vërteta për këtë? Do të na e sqarojë kur të mundet, zoti Rama?

SALI BERISHA
Na bëri kurioz këtë javë zoti Berisha më deklaratën e tij se “në grupin parlamentar të PS-së ka 19 deputetë vrasës, përdhunues, trafikantë e vjedhës”, ndaj nuk mund të rrinim pa i kërkuar një intervistë e ta pyesnim se cilët janë këta? Pse nuk i arrestoi ai ata kur ishte në pushtet? Pse nuk i thotë zoti Berisha emrat e tyre, nga frika, apo ngaqë… nuk i di? Ju, si do t’u përgjigjeshit këtyre pyetjeve, se ne nuk e takuam dot zotin Berisha këtë javë?

ERION VELIAJ
Nuk takuam dot këtë javë as Erion Veliajn, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Zotin Veliaj deshëm ta pyesnim për një shqetësim që ka lindur këtë javë mes pensionistëve që presin të marrin kompensimin e energjisë. Është e vërtetë se për të marrë këtë, duhet të paraqesin faturat e 6 muajve? Këtë pyetje në fakt na e shtiu ndërmend Xha Llazi i Agim Xhafkës, që, kur dëgjoi nga Ministri Veliaj se kompensimin për dritat do ta merrte pasi të dorēzonte faturat e gjashtë muajve, i tha gruas:
– Na e hodhi qeveria prapë! Na mashtroi, jo sy për sy, por sy për televizor…
– Pse? I mbledhim e ia çojmë, mos u mërzit se të ngrihet tensioni! – i tha ajo.
– Ç’thua moj?! Unë nuk gjej në mëngjes ku kam protezat e dhëmbëve, ti më bën dërr-dërr!

LULZIM BASHA
Pas demonstratës së të shtunës, deshëm ta takonim edhe zotin Basha, ta përgëzonim për suksesin e asaj demonstrate, por edhe ta pyesnim për një frazë të fjalimit të tij që na bëri shumë përshtypje. Ai tha se: “Qeveria nuk duhet të punojë në favor të oligarkëve të rinj, por të publikut”. Nuk mund të mos e pyesim zotin Basha se, paska pasur edhe oligarkë të vjetër për të cilët qeveria tani nuk punon më?! Mos vallë edhe prej kësaj ai është “zemëruar me këtë qeveri”. Se ai, meqë ka mbaruar për filozofi, duhet ta dijë se oligarkët nuk krijohen për një ose dy vjet. Apo jo, zoti Basha?

ALFRED PEZA
Këtë javë, deshëm të takonim edhe ish-kolegun tonë, gazetar, sot deputet, Alfred Peza, por nuk mundëm. Shkak për këtë u bë ajo çka ai kishte shkruar në Facebookun e tij se “Sot në Peqin, realizuam me sukses projektin për dhurimin e 10 lopëve të rracës irlandeze me rendiment 40 litra qumësht në ditë, për 10 familjet më në nevojë në komunat Karinë, Gjocaj dhe Përparim, një projekt që do të vijojë me të tjera familje në të ardhmen”. Nuk mund të rrimë pa pyetur ish-kolegun tonë: Kjo është vallë detyra e deputetit: Të shpërndajë lopë e viça? Pse nuk ua lë këtë detyrë OJQ-ve? Pse vepron njësoj si deputetët e tjerë që, ndryshe nga ai, nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër, veçse të falin para, dele e lopë? Pastaj, kështu do t’i zgjidhë ai dhe rilindasit e tjerë hallet e fshatit, duke dhuruar lopë për dhjetë fshatarë?! Po ata mijëra fshatarë që nuk morën lopë, çfarë do të bëjnë? Po lopa do edhe misër, edhe bar të hajë. Do japë edhe misrin zoti Peza? Po lopa, do edhe para për t’u mjekuar dhe për vaksina… Edhe këto do t’ua japë zoti Peza atyre të varfërve?!
Jemi të sigurtë se ato lopë mund të japin dhe japin me siguri votat e atyre dhjetë familjeve, por kështu nuk rilindin mijëra familjet e tjera që u kanë dhënë votën socialistëve. Ndaj, më mirë se të falësh 10 lopë, që i ke marrë si ndihmë nga jashtë shtetit, apo nga ndonjë biznesmen të cilit i ke bërë ndonjë nder, “vrit mendjen” dhe propozo një ligj apo nje levë ekonomike për të ndihmuar jo 10, por 100 mijë fshatarë, apo 1 milionë shqiptarë…

ADRIATIK LLALLA
Nuk e dimë nëse kryeprokurori ynë e lexoi lajmin e botuar këtë javë se ish-kryeministrit portugez, Sokrates, iu gjetën në llogaritë bankare 20 milionë dollarë të pajustifikuar dhe menjëherë pas kësaj, prokuroria e arrestoi për ta hetuar… Nëse po, a i shkoi ndërmend të bëjë diçka të tillë edhe në Shqipëri?! Këtu do ta ketë edhe më të lehtë, sepse asnjë politikan nuk i fsheh pasuritë e tij, por i shfaqin ato me krenari duke u mburrur me vilat në Gjirin e Lalzit, me apartamentet në Tiranë, apo me makinat luksoze mbi 100 mijë euro. Apo nuk është kështu, zoti Llalla?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *