balet fiori (3)balet fioriAjo është balerinë dhe koreografe, tashmë, edhe drejtuese e një studioje kërcimi, por në këtë intervistë do t’ju tregojë se është edhe një vajzë me të cilën ia vlen të bisedosh… Nëse doni të dini si jeton një balerinë, çfarë kërcimesh kërkojnë më shumë klientët në studion e saj, sa e vështirë dhe e bukur është puna që ajo bën, lexoni intervistën që ajo dha për gazetën tonë…

– Përshëndetje Fjoralba! Si e nis ditën një balerinë?
– Përshëndetje! Dita ime, sikurse edhe e shumë njerëzve të tjerë, nis me zgjimin, kafen e mëngjesit dhe vrapin për në punë, pasi në orën 8:00, nis mësimi.
– Ti ke mbaruar Akademinë e Arteve, në degën Koreografi… Ishte një zgjedhje apo një zgjidhje nga ana jote?
– Po, kam mbaruar në vitin 2010 për Koreografi. Në fakt, ishte zgjedhja ime pasi që fëmijë kërcimi ishte pasioni im. Zgjidhje do të kishte qenë të vazhdoja Ekonomikun, se atë preferonte familja ime.
– Cili ishte ai moment i jetës tënde që të lidhi me baletin?
– Momenti… Isha 3 vjeçe kur hidhesha e përdridhesha nëpër shtëpi. (Buzëqesh) Mamaja ime takoi Albana Sulejmanin, soliste e TOB në atë kohë dhe i tha që kisha të dhëna për balet, kështu që, kur isha 5 vjeçe, unë fillova kërcimin në Pallatin e Pionerit dhe e vazhdova deri në moshën 10 vjeçare, kur e lashë për arsye shëndetësore. E rifillova kur isha 16 vjeçe, në Ansamblin Tirana, për ta vazhduar deri më sot.
– Deri në këtë moment që po flasim, je e kënaqur me rrjedhën që ka marrë jeta jote profesionale?
– Do të gënjeja në rast se do të thoja që nuk jam e kënaqur, por do të gënjeja sërish po të thoja që nuk kërkoj më shumë. Pres dhe kërkoj sërish nga vetja.
– Çfarë do të kishe dashur të shkonte ndryshe dhe çfarë ka shkuar më mirë nga ç’e prisje?
– Nuk do të doja të ndryshoja asgjë nga të gjitha ato që më kanë ndodhur, pasi ato kanë qenë shtysa që të eci përpara. Më mirë nga ç’e prisja ka shkuar vetëm puna, pasi dihet që sapo mbarojmë shkollën, nuk kemi ku të shkojmë; vetëm një TOB dhe një Ansambël Shteti kemi. Ato janë e vetmja derë ku përplasemi, ndërkohë që unë kam zgjedhur mësimdhënien si mundësi punësimi, kështu që kjo shkoi më mirë se ç’e parashikoja; jam në punë! (Buzëqesh)
– Mund të na flasësh diçka më shumë për Studion e Kërcimit që ti drejton…
– Po, në fakt, jam drejtuesja e Shake Dance Studio Albania, një studio danci që ndodhet shumë pranë qendrës së Tiranës, në Rrugën Hoxha Tahsim, pranë Zyrave të Punës. Te ne ka grupmosha të ndryshme për zhanre të ndryshme kërcimi. Jam munduar që të jem pranë klientëve që në imazhin e studios, por edhe në profesion të jem më pranë modernes e bashkëkohores.
– Çfarë të shtyu të hapje një studio kërcimesh?
– Punoj në mësimdhënie, pasi dëshiroja të isha më pranë njerëzve që e kanë ëndërr kërcimin. Pranë nesh, çdo ëndërr e tyre mund të bëhet realitet.
– Saktësisht, cilat ëndrra të tyret? Mund të ma thuash këtë të “përkthyer” në llojet e kërcimeve që ata mund të mësojnë te ju?
– Te ne ka që nga baleti klasik, të cilin e jep ortaku im Ani Duka, neoklasik dhe kontemporan. Fillojmë pastaj me latinet, cha-cha-cha, xhajv, salsa, samba, mambo, passo a doble, etj. Pasojmë te kërcimet e sallonit Vals vienez dhe anglez, Tango, pastaj kalojmë te modernet Hip-hop, RnB, Break dance, valle popullore shqiptare, valle karakteri spanjoll (flamenco), rus, hungarez etj., kurse kërcimi për të gjithë ata që kanë vendosur të martohen dhe së fundmi, një nga teknikat më të reja të humbjes së kilogramëve, zumba, që është një ndërthurje e kërcimeve latine dhe fitnessit.
– Duket sikur trendi më i fundit është mësimi i hapave latinë… Është vërtet kështu?
– Në fakt, më vjen mirë që dhe te ne po fillojnë të integrohen që në moshë të vogël në këtë fushë, që marrin hapat bazë të kërcimit, por trendi tashmë nuk ndalon me kaq, por vazhdon edhe me mosha madhore. Latinet janë më të kërkuara për momentin, por siç thashë edhe pak më parë, ne mundohemi t’i gjendemi më pranë klientelës dhe kërkesa është rritur më tepër për zumba, dhe… nuk kemi vetëm kliente femra, por edhe klientë meshkuj, pasi efekti i zumbas është mësimi i hapave latinë, dobësim dhe tonifikim, por edhe argëtim, relaks psikologjik.
– Ty vetë, ç’lloj kërcimi të pëlqen?
– Është njësoj si të pyesësh nënën cilën nga fëmijët do më shumë! Nuk do të veçoja asnjë lloj kërcimi, por më shumë emocion dhe adrenalinë më japin kërcimet e Indisë. Timbri e muzikës dhe sensualiteti i trupit, më lënë pa fjalë. S’mund të lë edhe tangon, ku pasioni, sharmi, zhdërvjelltësia trupore e performuesve është magjepsëse. Në çdo shfaqje që organizoj, nuk mungon kurrë tangoja dhe Bollivudi.
– Dhe, meqë jemi këtu, na trego disa nga aktivitetet e tua…
– Si koreografe, aktivitetet janë të shumta, por po përmend më kryesoret: Rinfest 2008-2009 në të cilët jam vlerësuar me çmim të dytë dhe të parë për etydin më të mirë koreografik, Gjimnastrada (aktivitet danco-sportiv) në 2008, ku mora çmim të tretë me “Shtëpia e ëndrrave”; 2010, çmim të dytë me shkollën 9-vjeçare publike “Qazim Turdiu” dhe 2012, çmim të parë po me të njëjtën shkollë; 2012, në Dance challenge Albania, mora çmim të parë dhe të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në aktivitetin me të njëjtin emër në Britaninë e Madhe. Ka edhe shumë aktivitete të tjera, me certifikata pjesëmarrjeje dhe mirënjohjeje…
– A të është realizuar ëndrra që kishe kur mbarove shkollën?
– Ëndrra ime ka qenë gjithmonë mësimdhënia dhe krijimtaria, kam dashur të jem më gjatë në mendjet e njerëzve dhe, më besoni që, sinqerisht, ia kam arritur kësaj gjëje. Të mendosh që jam akoma shumë e re e kam shumë rrugë për të bërë përpara…
– Cila është ëndrra më e madhe që ke tani?
– Kam shumë ëndrra dhe plane, por ëndrra më e madhe është që kuluturën dhe traditën e vendit tonë, që e kemi të mrekullueshme, t’ua mësoj edhe fëmijëve të emigrantëve tanë larg trevave tona. Ata duhet ta njohin kulturën e vendit të origjinës.
– Do të thuash se e ke menduar edhe mundësinë për ta vazhduar jetën jashtë?
– Pse jo?! Këtu në Shqipëri e ndjej veten të plotësuar dhe të realizuar; tani kam nevojë për një sfidë tjetër në jetë, më pëlqen të sfidoj veten! Po e shqyrtoj këtë çështjen e largimit, më saktë, bashkëpunimit larg Shqipërisë, pasi kam obligimet e mia edhe këtu dhe s’mund të largohem. Më saktë, po mendoj: Pse jo një filial Shake Dance Studio International? (Qesh)
– A është e vështirë të bësh përpara në botën e artit këtu te ne?
– Është shumë e vështirë pasi në një vit, e mbarojnë shkollën shumë koreografë dhe vendet e punës janë të pakëta, por unë pata fat në këtë pjesë dhe vështirësinë e vetme e kam hasur në shkollë, pasi lodhja, stresi, konkurenca për të dalë të parët të gjithë ishte e tepruar. Falë këmbënguljes sime dhe punës së palodhshme të pedagoges dhe koreografes Kozeta Bakiu arrita sot këtu. Nuk do të lija pa përmendur edhe pedagogen Roberta Mone për përkrahjen dhe kurajon e vazhdueshme që më ka dhënë.
– Për ne të tjerët, muzika është çlodhje… Si është për ty, që punën të lidhur me të?
– Lidhja ime me muzikën nuk përfundon kurrë, është dashuri e përjetshme! (Qesh) Unë, edhe kur jam e lodhur, çlodhem me muzikë. Ndonjëherë, kur nuk jam mirë emocionalisht ose fizikisht, muzika mund të më shqetësojë, por kjo ndodh shumë rrallë.
– Ke lënë ndonjë gjë pa e thënë në këtë intervistë?
– Dua t’ju falënderoj për intervistën, për kohën që lexuesit më kushtuan mua. Nuk mund të harroja pa falënderuar familjen time, prindërit, motrën dhe vëllain, të cilët kanë qenë përkrahësit dhe aleatët e mi më të fortë, në ditë të bukura dhe të këqija, në ditë me lot dhe me gëzim. Faleminderit për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme!
Të jetosh si balerinë…
Zgjohesh në orën… 06.30
Në orën… 7.00, pi kafenë e mëngjesit me prindërit.
Në orën…7.30, nisem për punë.
Në orën… 8.00, filloj punën dhe e përfundoj në orën 22.00 në Shake Dance Studio.
– Ushqimi që konsumon…
– Kryesisht, perime. Nuk e preferoj mishin, por kam pak debulesë për patatet e skuqura dhe djathin, që i kam çdo vakt në tavolinë.
– Dieta më e fortë që ke mbajtur…
– Nuk kam mbajtur kurrë dietë, pasi vetë profesioni që kam, s’më lejon. Duhet të ushqehem mirë pasi kam lodhje të tepruar fizike.
– Çmenduria më e madhe që ke bërë…
– Nuk jam tip aventuriereje që të shquhem për çmendurira, por çmenduria ime më e madhe është që sfidoj gjithmonë veten, ndërkohë që të tjerët sfidojnë kundërshtarët.
– Pengesa më e madhe që ke hasur…
– Vetëm shëndeti mund të më pengojë ose më ka penguar për të realizuar diçka; askush dhe asgjë s’më ndalon.
– Pesha më e ulët që ke arritur…
– Në përgjithësi, jam person që i ruaj linjat dhe kam kaq vjet që jam 52 kilogram, por pesha më e ulët është 45 kilogram, kur kam qenë studente dhe, e theksoj, vetëm në sezon provimesh! (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *