Askujt nuk i pëlqejnë thonjtë e “ngrënë” dhe të lënë pas dore, por që të kemi thonj të bukur, nuk mjafton vetëm një manikyr i mirë; duhen ditur edhe rregullat e aplikimit të tij.

 

Çfarë duhet bërë?

  1. Duart dhe thonjtë duhen hidratuar gjithmonë, sidomos pas heqjes së manikyrit.
  2. Eksfoljimi i duarve duhet të bëhet të paktën një herë në javë sepse qelizat e tyre të vdekura kanë tendencë të grumbullohen ndërmjet gishtave.
  3. Shumë institute bukurie ndjekin rregulla të rrepta përsa i përket pastërtisë dhe dezinfektimit, por edhe ju duhet të tregoheni vigjilente dhe të kontrolloni nëse personi që do të merret me thonjtë tuaj ka licencën dhe eksperiencën e duhur.
  4. Nëse bëni shpesh manikyr dhe pedikyr, mbase është më mirë të blini veglat tuaja personale, të cilat do t’i përdorë ekspertja.
  5. Kontrolloni nëse legenët për pedikyrin dhe filtrat në institutin tuaj dezinfektohen para se të përdoren për ju. Nëse ato nuk pastrohen siç duhet, ekziston rreziku i infeksioneve.
  6. Kur zgjidhni një ngjyrë të kuqe të ndezur apo portokalli, mund të evitoni ngjyrosjen e thoit duke përdorur një shtresë bazë mbuluese për të. Për të nxitur rritjen e shëndetshme të thoit, aplikoni një shtresë të hollë vaji special rrotull lëkurëzave dhe në anët e thonjve, para se t’i lyeni me manikyr.
  7. Aplikojeni manikyrin jo më shumë se 3-5 shtresa. Sa më e trashë të jetë një shtresë, aq më shumë kohë do të marrë që të thahet dhe është më e lehtë të “cifloset”.

 

Çfarë nuk duhet bërë?

  1. Mos i prisni ose mos i shtyni me forcë lëkurëzat, sepse kjo gjë mund të shkaktojë infeksion. Nëse duhet t’i shtyni, bëjeni butësisht, pasi të keni bërë dush. Hidratimi i lëkurës është i domosdoshëm nëse doni të hiqni ndonjë copë lëkurëze që është tepër. Thjesht, zhytini thonjtë tuaj në ujë të nxehtë për jo më shumë se tre minuta.
  2. Mos e lini manikyrin mbi thonj më shumë se 2 javë, sepse do të shkaktojë ngjyrosjen dhe dëmtimin e tyre.
  3. Mos hezitoni t’u kërkoni specialistëve të thonjve të lajnë dhe të dezinfektojnë veglat e tyre.
  4. Nëse keni ndërmend të bëni pedikyr, kujdesuni që të mos i keni depiluar këmbët të paktën 12 orët e fundit.
  5. Mos përdorni objekte të mprehta për heqjen e lëkurës së vdekur në këmbë. Më mirë përdorni një gur poroz të mirë.
  6. Mos harroni të keni gjithmonë me vete locion antibakterial për dezinfektim.
  7. Mos i hidratoni thonjtë me xhelatinë. Nuk ka asnjë të dhënë shkencore që vërteton se përdorimi i saj është më i mirë për thonjtë se ai i kremërave të zakonshëm. Nga ana tjetër është vërtetuar se përdorimi i biotinës (derivat i vitaminës B), i forcon thonjtë dhe i bën më të shëndetshëm.
  8. Mos vini thonj fallco për të mbuluar problemet që keni me thonjtë, sepse ato mund ta përkeqësojnë situatën. Para se të vini thonj të tillë, sigurohuni që produktet që ato përmbajnë nuk ju shkaktojnë alergji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *