Ke nevojë për disa këshilla bukurie? I kemi gati për ju në këtë shkrim. Kujdes! Mos i neglizho kurrë!

Kujdes me ngjyrat e flokëve!
Rreziqet: Të ndryshosh ngjyrën e flokëve nuk është keq, por kalimi nga bionde në brune dhe pastaj flokëkuqe, jo vetëm që e dobëson flokun, por mund të të provokojë edhe një krizë të vogël identiteti. Në rast se nuk u reziston dot këtyre ndryshimeve, merr parasysh që të nevojitet më shumë kujdes për të ndrequr flokët.
Zgjidhja: Para se ta ndryshosh ngjyrën e flokëve në mënyrë rrënjësore, provo kënaqësinë e të qenit ndryshe me një makiazh të ri: Përdor tone të tjera sysh apo buzësh për të parë ndryshimin dhe kur të jesh e bindur se edhe floku yt duhet të transformohet, bëje.
Për t’u bërë bionde pa rrezikuar, ki parasysh se bojërat çngjyruese janë më të rrezikshmet, kështu që, nëse do të bësh vetëm fije, përdore bojën çdo gjashtë muaj. Nëse do një ngjyrë më të hapur, duhet t’i lyesh flokët një herë në muaj, por ndryshojë ngjyrën në mënyrë graduale, derisa të arrish ngjyrën e verdhë që dëshiron.
Ngjyrat e errëta janë më pak të dëmshme, sidomos nëse kanë pigmente natyrale. Ato aplikohen një herë në muaj dhe ato që s’kanë amoniak, një herë në tri javë.
Mos harro edhe hidratimin: Pasi t’i lyesh, përdor një balsam hidratues ose maskë dy herë në javë.

Mos fli pa e pastruar grimin
Rreziqet: Nëse fle pa e hequr makiazhin, rimelin e qerpikëve ose tonin e syve, të nesërmen mund të zgjohesh me lëkurë të irrituar, me sy të skuqur ose akoma më keq, me infeksione të vogla. Makiazhi mbyll poret e lëkurës dhe nuk e lejon ajrosjen e saj. Pasojat? Shfaqen puçrrat dhe lëkura ka një pamje pa shkëlqim dhe të pisët. Edhe në rast se nuk përdor fare makiazh, lëkura mbledh yndyrë, djersë dhe vuan nga efektet e ndotjes, ndaj duhet larë çdo natë.
Zgjidhja: Mbani gjithmonë afër peceta pastruese. Nëse i mban në komodinën që ke pranë krevatit, nuk ka problem nëse je e lodhur ose e përgjumur, sepse mund të heqësh makiazhin për disa sekonda, pa dalë nga shtrati.

Jo, kafshimit të thonjve
Rreziqet: Nëse tërheq lëkurëzat rrotull thoit, mund të provokosh plagë që infektohen.
Zgjidhja: Hidrato mirë lëkurën në këtë zonë. Kështu, nuk do të shfaqen më lëkurëzat anash thonjve dhe nuk do tundohesh për t’i kafshuar. Apliko herë pas here pak vaj për lëkurëzat dhe pak krem esfoliant për të eliminuar qelizat e vdekura. Pas dushit përdor pastruesin e lëkurëzave, sepse në këtë kohë lëkura është më e butë dhe mund të pastrohet kollaj, pa hapur plagë. Ka edhe manikyrë me shije të hidhur, që të pengojnë t’i kafshosh thonjtë. Pse nuk i përdor?

Kujdes me tharësen
Rreziqet: Nëse abuzon me tharësen, piastrën ose mashën që bën onde, nuk bën gjë tjetër veçse than flokun, i heq atij shkëlqimin dhe djeg majat e flokëve.
Zgjidhja: Përdore tharësen e flokëve në shpejtësi e temperaturë mesatare dhe në një distancë mesatare me flokun. Nëse përdor piastrën, kaloje vetëm një herë në gjithë gjatësinë e flokut, pa u ndalur. Nëse ndalesh, mund të shkaktosh onde dhe je e detyruar ta kalosh përsëri. Masha e kaçurrelave nuk duhet të përdoret më shumë se pesë sekonda për çdo tufë flokësh. Parukierët rekomandojnë që këto lloj aparatesh të përdoren vetëm dy herë në javë dhe kurrë çdo ditë. Është e domosdoshme gjithashtu që të përdorni një shampo që hidraton dhe riparon flokët e dëmtuar.

Mos i zbardh tej mase dhëmbët
Rreziqet: Zmalti i dhëmbëve ka një ngjyrë të caktuar dhe sa herë kalon nivelin maksimal të bardhësisë, çfarëdolloj trajtimi do jetë më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Gjithashtu, duhet të marrësh parasysh që dhëmbët e tu nuk duhet të jenë më të bardhë se kokërdhoku i syrit, për çështje estetike. Nëse abuzon me peroksidin e hidrogjenit, do t’i bësh dhëmbët e tu më të ndjeshëm.
Zgjidhja: Shkoni te një dentist ku mund të zgjidhni midis 8 ose 9 tone të bardhash, ndërkohë që nëse përdor zbardhues shtëpiak, nuk do të kesh më shumë se katër tone bardhësie. Pasi ta kesh realizuar zbardhjen te dentisti, mund ta vazhdosh trajtimin në shtëpi me një zbardhues gradual dhe pa probleme për dhëmbët.

Shtrydhja e puçrrave? E ndaluar!
Rreziqet: Nëse prek një puçërr, shenja do të mbetet për 7-10 ditë, ndërsa nëse nuk e prek, procesi zgjat dy ditë, e shumta tre. Arsyeja është se duart zakonisht janë të pisëta, prandaj sa më larg puçrrave, aq më mirë. Pastaj, bakteret që ndodhen në lëkurë mund të shkaktojnë ndonjë infeksion të vogël.
Zgjidhja: Bëj durim dhe apliko një locion me bazë peroksidi benzoli ose acid salicilik dy herë në ditë, për tre ditë me radhë. Për t’i fshehur, me anë të një pambuku lyeje puçrrën me ujë fiziologjik dhe përdor pak korrigjues makiazhi.

Nga produktet provë mund të marrësh sëmundje
Rreziqet: Mundësia për të marrë sëmundjen e herpesit ose të elbthit nga bakteret dhe mikrobet që gjenden në produktet e provës është i pakët, por nuk mund të përjashtohet. Nuk është shumë higjienike të përdorësh të njëjtin të kuq buzësh ose ton sysh që e kanë përdorur më parë disa të panjohura.
Zgjidhja: Sigurohu që dyqani të përmbajë artikuj të pastër. Nëse do të përdorësh ndonjë produkt, mundohu që ai të jetë njëpërdorimësh. Pasi të prekësh produktet e provës, laj duart.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *