“Shih shih” ishte kënga në bashkëpunim me Hekuran Krasniqin, që e bëri Amantian një emër të njohur edhe në muzikën shqiptare. Aktualisht, ajo po punon në studio për realizimin e projekteve të reja muzikore, të cilat me siguri po i përgatit për sezonin e verës. Ajo jeton në Gjermani dhe i është futur muzikës jo me qëllim përfitimi, por sepse nuk e koncepton dot asnjë ditë pa muzikë. Një bisedë mjaft e këndshme kjo me Amantian, e cila na tregon mjaft gjëra jo vetëm për muzikën, por edhe për veten e saj, duke e mbyllur me një përqafim të ngrohtë nga Gjermania…

Mia. B: – Amantia përshëndetje! Publiku shqiptar të njeh kryesisht me klipin “Shih shih” në bashkëpunim me Hekuran Krasniqin… Si u bëtë bashkë ti dhe muzika?
Amantia Miki: – Përshëndetje Mia, ty dhe lexuesve. (Buzëqesh) Unë me muzikë kam filluar të merrem qysh në moshën 8 vjeçare. Është trashëgimi familjare sepse gjyshi dhe babai janë marrë me muzikë. Unë fillova së pari me pianon, pastaj me këndim. Më përcjell si hobi tërë jetën. “Shih Shih” është njëra ndër këngët e mia dhe ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i bukur. Publiku e priti vërtet me plot entuziazëm. (Buzëqesh)
– Po ti dhe Hekurani, si u bëtë bashkë?
– Hekuran Krasniqi është një ndër artistët më të fortë në tregun shqiptar. Ishte kënaqësi dhe nder të punoja me një këngëtar të tillë. Hekurani kishte shikuar disa nga këngët e mia akustike në rrjetet sociale dhe më kontaktoi që të takoheshim. Në studion e tij jam frymëzuar nga idetë dhe produksioni i Hekuranit, andaj kemi rënë dakord për një bashkëpunim.
– Me siguri, ata që të kanë parë nëpër rrjete sociale dhe publik janë kuriozë të dinë më shumë për ty… Çfarë tipi është Amantia, si është jeta e saj?
– Amantia është një tip me energji pozitive. Mendoj se njeriu duhet të jetë mirënjohës për gjërat e vogla të jetës dhe të vlerësojë çdo moment. Ëndrrat janë të bukura, por rruga deri te realizimi i tyre është më i bukur. “Jeto shpirtplotë”, është mesazhi, motoja ime.
– Ke një emër mjaft interesant. Ka qenë fatsjellës deri tani për ty?
– Amantia është një qytet ilir në Shqipëri, 30 kilometra larg Vlorës dhe sjell thesare të vjetra monumentale nga atdheu ynë. Emri im nuk ka të bëjë me mantiat të cilat i përgatitim si ushqim tradicional shqiptar. (Qesh) Jam krenare ta mbaj një emër artistik si Amantia dhe t’i tregojmë botës se kush jemi ne shqiptarët. Është fatsjellës në çdo aspekt.
– Tashmë, shumë vajza po e shohin muzikën si një ndër bizneset më të lehta dhe si mënyrën më të mirë për të fituar famë dhe të ardhura…
– Unë mendoj se janë dy mundësi në udhëtimin si artiste: Ose të fal Zoti një dhuratë/talent ose nuk e ke dot, por ke talente të tjera. Unë kurrë nuk kam thënë se dua të bëhem e famshme me muzikë, por e kam ndjerë se po më përcjell dhe sado që jam munduar t’i largohem me studime dhe aktivitete të tjera, aq më shumë më ka ndjekur muzika. Sot, fatkeqësisht, muzika më shumë po shikohet sesa po dëgjohet, por kemi disa nga dëgjuesit të cilët akoma e vlerësojë melodinë dhe esencën e muzikës me vesh, andaj nuk i humb shpresat që do kemi muzikë të mirëfilltë. Sidoqoftë, muzika mundet me qenë biznes dhe fitim, por secili artist vendos nëse peshon më shumë kreativiteti dhe qëllimi i muzikës së tyre apo vetëm biznesi.
– …ti, me ç’qëllim i je futur muzikës?
– Jam futur se nuk mundem ta mendoj apo të jetoj pa muzikë asnjë ditë. Jam futur në muzikë se e admiroj që nga fëmijëria dhe më shumë më kompleton muzika kur e di se me atë që e bëj, po frymëzoj shumë dëgjues të tjerë me energji pozitive.
– Fama të ndryshon… Cilit ndryshim te vetja i frikësohesh më shumë?
– Sinqerisht, nuk kam asnjë frikë përveçse ndoshta nuk do kisha më kohë aq sa dëshiroj unë për familjen dhe miqtë e mi, të cilët i çmoj më së shumti në botë.
– Nëse muzika do të ishte në krizë dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar do të ishte sllogani “Zhveshja shet”, ti do ta pranoje këtë kusht apo do ta lije për fare muzikën?
– Uou, çfarë të them? Me lënë muzikën? Përfundimi do ishte që unë s’do kisha më si ta shprehja kreativitetin, harmoninë dhe dashurinë, por të zhvishem, për të qenë më e suksesshme, më duket njëkohësisht shumë banale.
– Çfarë do të doje të dëgjoje të flitej për ty?
– Qoftë mirë apo keq, nuk mund të ndikojmë shumë në vlerësimin e njerëzve, por do të ishte mirë që të më pranojnë dhe respektojnë për atë që jam, me pikat e mia të forta dhe të dobëta. Nëse e pranojmë njëri-tjetrin ashtu si jemi, do të kemi një jetë më të qetë dhe me të lumtur. (Buzëqesh)
– Me cilën prej këngëtareve shqiptare e sheh veten me stil të njëjtë?
– (Qesh) Vërtet i çmoj shumë këngëtaret tona shqiptare, krenohem me muzikën tonë. Unë mendoj se çdo artiste ka stil të veçantë dhe sigurisht që një frymëzim lejohet, por një stil personal, duhet të krijohet nga artistja vetë, andaj s’mundem të krahasohem me ndonjërën prej tyre.
– Sipas teje, cila është këngëtarja e veshur më bukur?
– Kemi këngëtare që kanë një stil të veçantë. Më pëlqen stili i Ponit, Elvana Gjatës, Miriam Canit etj.
– Këngëtari, reperi mashkull që do të zgjidhje të parin për të bashkëpunuar?
– Jam në dispozicion të bashkëpunoj me çdo reper shqiptar sepse kemi shumë talente në zhanrin rap. Nuk dua të limitoj veten duke zgjedhur njërin.
– Në raport me meshkujt, je tip i tërhequr apo e shoqërueshme?
– Në raport me meshkujt, jam tip i gjithanshëm. Pikërisht këtu shikoj nëse është komunikim në mënyrë biznesi, shoqërues apo tjetër. I përshtatem situatës.
– Një mashkull, që të jetë krah teje, duhet të ketë…
– …karakter të fortë!
– U trembesh paragjykimeve?
– Jo, aspak. Fillimisht i kam marrë paragjykimet shumë personale, por jam mësuar t’i injoroj. Është pjesë e jetës tani, pasi jam fytyrë publike.
– Zakonisht, më shumë fal apo kërkon falje?
– Mendoj se tri fjalët më të vlefshme në jetë janë: “Faleminderit”, “Të lutem”’ dhe “Më fal”. Mund të them se kërkoj falje, por gjithashtu, edhe fal. Është një balancë e shëndoshë.
– Beson në Zot?
– Po!
– Çfarë mendon për femrat që mbulohen me shami?
– Është e drejta e tyre, nëse ato e ndjejnë veten ashtu rehat. Unë vetëm do t’i respektoja vazhdimisht si krijesa të Zotit.
– Për ç’arsye do të vije ti vetë shami?
– Për asnjë arsye… përveç njërës, që do ishte shenja e respektit kur të hyja në shtëpi fetare apo në një manifestim fetar.
– Mendon se ka rregulla për të arritur suksesin në jetë?
– Po, ka! Disiplinë, vetëbesim, angazhim!
– Që të kesh sukses, duhet të jesh patjetër e bukur?
– Jo aspak! Mundet me qenë përfitim, por s’është e vetmja që të bën të suksesshëm.
– Je tip luftarak?
– Po jam! Për familje, miq ose dashuri!
– Amantia, si është karriera që ke ndërtuar në mendje për veten tënde?
– Kariera ime është juridiku dhe arkeologjia, për të cilat jam duke studiuar. Më tej, besoj se edhe në drejtimin e artit, aktrimit dhe muzikës do kem një karrierë, por të gjitha këto, nuk dua t’i lë anash për t’iu përkushtuar vetëm njërës degë. Më kompletojnë të gjitha drejtimet gjatë jetës sime.
– Cili është personi të cilit i ke besuar kujdesin ndaj suksesit tënd?
– …familjes sime.
– Çfarë është humbje kohe për ty?
– Ofendimet, sharjet, fyerjet…
– Për çfarë po e shfrytëzon këtë periudhë?
– Për të realizuar veten!
– Cila është gjëja që ke dashur gjithmonë?
– Familja ime, çokollatat, lepurushin tim Shortyn, skijimin dhe artin.
– Më thuaj një thashethem që e ke dëgjuar së fundi nga bota e shoubizzit?
– Nuk kam ide për momentin. (Qesh) Nuk lexoj shumë thashetheme.
– Cilat janë tri fjalët që e ke më të vështirë t’i thuash?
– “Po”, “S’e di” dhe “Lamtumirë”.
– Çfarë do presim në vazhdim nga ti?
– Në të ardhmen do kem shumë projekte të reja, si në muzikë, ashtu edhe në modelim dhe aktrim. Shpresoj që publiku do jetë gjithmonë pranë meje. Besoj se do t’ju pëlqejnë këngët dhe bashkëpunimet e radhës. Nuk do t’ju zhgënjej. Ju përshëndes dhe përqafoj nga Gjermania me një buzëqeshje. (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *