– Përshëndetje avokat Albani! I vlerësoj shumë shkrimet tuaja, janë shumë informuese. Unë kam një pyetje ndoshta të pazakontë. Një i njohuri im 50 vjeç, ka pasur marrëdhënie me një vajzë shumë të vogël, 16 vjeçe, me dëshirën e saj, për të mos thënë, me këmbënguljen e saj. Theksoj që ky është shumë i mbajtur dhe nuk e jep moshën e tij. Vajza u dashurua pas tij dhe, edhe pse u refuzua shumë, arriti ta joshë mikun tim e krijuan një lidhje goxha të fortë. Theksoj që ai është i ve, i ka vdekur gruaja. Problemi është se pas disa muajsh lidhjeje, e merr vesh mamaja e vajzës dhe tani e kërcënon mikun tim me 5 mijë euro gjobë sepse thotë që “dënohesh me ligj se ke shkuar me një minorene”. Vajza ka frikë të flasë, pavarësisht se ai e ka ballafaquar me të ëmën dhe në fillim ajo e pohoi se “e dashuroj dhe kam shkuar me dëshirën time”. Tani si duket është kërcënuar nga e ëma dhe nuk flet më. Nga ana ligjore, si shikohet kjo gjë? A mund të dënohet në këtë rast ky person, edhe pse vajza ka shkuar me dëshirën e saj? Ky nuk do që të shkojë puna gjer te gjyqet, sepse ka një lloj imazhi në publik, i vjen turp e nuk do që të lakohet emri i tij. Ajo i thotë “o më jep 5 mijë euro, ose do të të denoncoj si përdhunues!”. Mos vallë ka qenë ky një plan i mamasë dhe i vajzës bashkë? Mua këtë përshtypje më lë… Ju, si e përcaktoni? Çfarë thotë ligji për marrëdhëniet me minorenet?

Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: Përshëndetje i/e nderuar lexues/e e rubrikës sonë! Ju falënderoj shumë për vlerësimin e opinioneve tona ligjore! Në analizimin e këtij rasti, shtrojmë pyetjen se: A është vepër penale kryerja e marrëdhënies seksuale të një femre 16 vjeçare me një mashkull të moshës 55 vjeç?

– Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në Nenin 100, ku thotë se: Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë, gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet. Pra, ky nen përcakton në mënyrë të qartë se “kryerja e marrëdhënieve seksuale me fëmijë të mitur që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”. Pra, rasti për të cilën ju pyesni, nuk është vepër penale, pasi ky nen e ka përcaktuar se kryerja e marrëdhënieve seksuale me fëmijë që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose kur nuk ka arritur pjekurinë seksuale është vepër penale dhe dënohet nga Kodi Penal.

– Miku juaj nuk duhet t’i bëjë asnjë pagesë nënës së vajzës lidhur me shumën që ajo kërkon në këmbim të mosdenoncimit të tij në polici. Ashtu si ju, edhe unë, mendoj se ky duhet të jetë një kurth që ka ngritur nëna me vajzën, pasi asnjë prind normal nuk mund ta shesë fëmijën. Duket që ajo e ka nxjerrë fëmijën e saj në shitje; ka shumë raste të tilla në realitetin shqiptar, ku familjet kanë pësuar tronditje të forta. Prindërit, fëmijët dhe bashkëshortët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ngrenë kurthe për përfitime materiale. Miku juaj duhet të diskutojë me nënën e vajzës që e shantazhon, duke i thënë dhe bërë të qartë se: “Nëse me bëni sërish presion, do të bëj kallëzim në polici lidhur me shantazhin dhe presionin që po ushtroni ndaj meje”. Ai duhet të rrijë i qetë pasi është mbrojtur nga legjislacioni dhe nga institucionet e Republikës së Shqipërisë si: policia, prokuroria dhe gjykata. Kodi Penal në Nenin 109/b përcakton se: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë”. Pasi të keni komunikuar për herën e fundit me këta persona dhe shikoni që ata nuk tërhiqen nga shantazhet, por vazhdojnë t’ju bëjnë kërcënime, atëhere do t’i drejtoheni Komisariatit të Policisë ku miku juaj ka vendbanimin për të bërë kallëzimin, që t’i tregojë të gjithë historinë e tij.

Në këto raste, policia, pasi bën veprimet hetimore, kryesisht kryen përgjime dhe mbledh prova të plota të cilat implikojnë këta persona se kanë kryer veprën penale të përcaktuar në Nenin 109/b “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Nëse janë mbledhur prova nëpërmjet veprimeve të mësipërme hetimore, atëhere Prokuroria i drejtohet Gjykatës me kërkesë ku i shpjegon të gjitha rrethanat e faktit, provat që i bashkëlidh fashikullit hetimor dhe bazën ligjore për t’i dënuar këta shtetas që ju kanë shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë. Shpresoj të jeni qartësuar pas kësaj analize juridike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *