– Përshëndetje, shoku Pilo! Erdha t’ju bëj një vizitë me rastin e 73 vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare…

– Rrofsh, bre, Kaso, se vetëm ti na kujton në këto përvjetore të lavdishme. Të tjerët bëjnë sikur na kanë harruar dhe, ca më keq, sikur nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të asaj partie të lavdishme që solli komunizmin për popullin tonë të vuajtur.
– Si e kujtoni themelimin e PKSH-së, shoku Pilo?
– Ku di unë, bre, se ç’krijuam e ç’bëmë ato ditë. Mua më thanë se do iknim nja katër vetë pe Korçe dhe katër pe Shkodre e do të themelonim Partinë Komuniste në Tiranë. Ata folën, ata diskutuan, ne votuam. Mbledhjen e drejtonin nja dy burra të huaj, të cilëve Enveri nuk u ndahej asnjë çast. Miladin dhe Dushan i quanin. Ata ia vunë synë Enverit dhe e vunë në krye. Edhe mua më ngelën sytë tek Enveri se ishte gjithë ai djalë i bukur, siç është ky Lulzimi i Partisë Demokratike. Apo nuk fliste bukur, siç flet edhe ky Luli. Që atëhere i vajta pas dhe nuk ia bëja fjalën dysh. Dhe, mirë më doli, se gjithë jetën më mbajti afër. Ama edhe unë në sy e shikoja. Këta djemtë e bukur janë me fat bre, se të bëjnë për vete; iu qepen vajzat si bletët luleve. Enverit i venin vajzat prapa siç i venë edhe këtij Lulit tuaj, i rrethuar nga më të bukurat e partisë.
– Ju, do ta përkujtoni ditën e themelimit të Partisë Komuniste?
– Si jo, bre? U mblodhëm që në orën 5 të mëngjesit dhe Ramizi mbajti një fjalim ku raportoi se si po ecën vija e partisë këta 24 vjetët e fundit, arritjet dhe dobësitë, qëndrimi ndaj imperialisto- revizionistëve. U diskutua gjatë edhe për përçarjen që ka hyrë në mes të komunistëve shqiptarë këto dy vitet e fundit.
– Për çfarë përçarjeje flisni, shoku Pilo? Me sa dimë ne, partia e komunistëve shqiptarë është zhdukur fare…
– E keni gabim, bre Kaso! Ajo sot është më e gjallë se kurrë sepse është ndarë në tre pjesë. Saliu ka demokratiken, Edi socialisten dhe Iliri atë të renë që kërkon integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ata dyqindmijë komunistët e Partisë së Punës aty janë, në tri parti. Të gjithë ndjekin rrugën që ndoqi Enveri, por me vello tjetër. Nusja ajo është, bre, Partia Komuniste që themeloi Enveri. Herë e merr pushtetin njëra e herë tjetra. Veç, shoku Enver, këto kohët e fundit, është shumë i pakënaqur me atë nipin e Spiro Kolekës. Nuk i doli siç e priste!
– Pse, Rama po përpiqet të krijojë shtetin ligjor siç e kishit ju, kur ishit në pushtet!
– Jo, bre, jo! Nuk janë kurrkund me pushtetin tonë. Atëherë sikur të mbillte një njeri një copë tokë me grurë jashtë tre dynymëshit, futej në burgim të përjetshëm dhe familja i internohej me kuç e me maç, e jo më të mbillej kanabis në çdo fshat e në çdo vazo lulesh. Pa le që askujt nuk i shkonte ndërmend të bënte një lidhje elektrike pa leje e jo më të vidhte për vite të tëra korentin e partisë. Ku kishte atëherë të mbaheshin hapur lokale nate me drogë e femra, ku kërcet koburja si në karadak?
– Në fakt, pikërisht disa nga komunistët e dikurshëm janë kundra masave ndaj kultivuesve të drogës dhe pro vjedhësve të energjisë…
– Pikërisht për këtë është i pakënaqur shoku Enver. I vjen plasje që nuk ngrihet dot që këtej e të vijë vetëm 24 orë aty te ju dhe t’i bëjë fërtele të gjithë ata që kanë turpëruar teserën e PPSH-së, që nga Kaçi, Gramozi apo Skënderi e deri te Saliu, të cilin e vuri në krye të partisë.
– Berisha nuk e pranon që PD-ja është vazhdim i PPSH-së, madje i quan socialistët si vazhdues të PPSH-së.
– Ua do puna që të mos e pranojnë, bre, se ndryshe nuk do t’u venin prapa gjysma e popullsisë që Enveri i internoi e i burgosi. Ajo parti ka në krye Sali Berishën që kishte dhënë prova se ishte besnik i vijës së PPSH-së dhe i shokut Enver. Kur u lejua pluralizmi, me porosi të shokut Enver, Saliu nuk la gur pa levizur e hile pa bërë, për t’u bërë kryetar. Ai vajti deri te Ramizi natën fshehur, që t’i kërkonte mbështetje.
– Po pse s’ka një parti që të përfaqësojë komunistët e vërtetë të 1941-shit?
– Nuk ka se si të ketë, sepse ata që ngelën pa poste e detyra, jashtë dy partive që krijoi Ramizi, PD dhe PP, gjithë-gjithë nja 30 vetë, të revoltuar u grupuan për të krijuar parti komuniste si ajo e 1941-shit. Mirëpo si filluan kuvendin, të gjithë donin të beheshin kryetar i saj. Si nuk mund të kishte 30 kryetarë për një parti të vetme, vendosën që secili të krijonte partinë e tij dhe të bëhej kryetar. Ndaj, sot, Shqipëria ka mbi 30 parti komuniste dhe tri parti të punës. Gjynah që njëri nga komunistët më besnikë të partisë, Bujar Nishani, nuk arriti të krijonte një parti revolucionare ato ditë kur mori dyqind oficerë që të mbronte shtatoren e Enverit.
– Meqë kujtuat zotin Nishani që e kemi president, si e vlerëson partia?
– Oooo, sa burrë i mirë që është! Ka qenë oficeri ynë me më shumë perspektivë sepse ishte jo vetëm inteligjent, por edhe shumë i përgatitur ushtarakisht. Ai ka edhe një cilësi tjetër; nuk di t’i kthejë fjalë asnjë eprori. Jo më kot Berisha e caktoi për president të Shqipërisë. Ai i ngjan si dy pika uji Haxhi Lleshit. Me mustaqe, po! I urtë, po! Zbaton ato që i thotë Berisha, siç zbatonte mësimet e shokut Enver, Haxhiu që firmoste çfarë i çonin përpara, pa ditur as përmbajtjen. Kur Bujari do të vijë këtu mes nesh, do ta bëjmë menjëherë anëtar të Byrosë Politike.
– Po për kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha, ç’mendim keni, shoku Pilo?
– Ndershmërisht po të them se sikur të më kërkohej vota për Lulin, nga varri do ngrihesha e do të votoja për të, sepse më nxjerr mallin e shokut Enver më 1941-shin, kur themeluam PKSH-në. Ka jo vetëm trupin e tij, por edhe buzëqeshjen, edhe inteligjencën, edhe aftësinë për të drejtuar e udhëhequr! Ai djalë do të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, drejt komunizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *