Lyheni me aromën tuaj të preferuar në mëngjes dhe deri në mesditë aroma është zhdukur? Çfarë mund të bëni? Lexoni më poshtë:

 

Një puthje aromatike

Kur e pyetën Koko Shanelin, gruan që i dha botës parfumin Chanel No5, se në ç’vend të trupit duhet hedhur parfumi, ajo u përgjigj: “Atje ku doni t’ju puthin”. Megjithëse asnjë parfum nuk ka shije të mirë (përkundrazi), fakti që lyhemi në vendet ku na pëlqen të na puthin, pas veshit, në gushë apo në kyçet e duarve, bën që ai të zgjasë më shumë.

 

Hidratoni lëkurën e pastaj lyhuni

Aplikoni krem hidratant për trupin para se të sprucoheni me parfum. Aroma avullon më shpejt në lëkurën e thatë dhe hidratanti është një përgatitje e mirë para se të vini parfumin, gjë që mund të evitojë nevojën për ta riaplikuar më vonë gjatë ditës. Çdo krem hidratant është i mirë, mjafton të mos ketë aromë, që të mos përzihen dy aromat së bashku. Nëse nuk keni kohë ta lyeni trupin me hidratant, mund të lyeni me pak vazelinë vendin dhe më pas të aplikoni parfumin. Në vend që të zhyten në lëkurën tuaj, piklat do të shkrihen te vazelina, e cila do të bëjë që aroma të zgjasë më shumë. Aplikojeni te dy pulset dhe efekti do të shtohet.

 

Çfarë arome të zgjidhni?

Zgjidhni një aromë që të jetë e fortë dhe kështu, do të zgjasë vetë më shumë. Aromat me bazë druri dhe myshku, në përgjithësi, zgjasin më shumë se të tjerat, më shumë sesa aromat me lule, të cilat avullojnë më shpejt.

 

Sa do të zgjasë?

Në përgjithësi, aroma e një parfumi të mirë zgjat 4-8 orë. Gjithçka varet nga cilësia e parfumit dhe sasia e vajrave aromatike që ai përmban. Notat më të mprehta të parfumit avullojnë të parat, brenda disa minutash (për këtë arsye duhet të prisni pak kur po zgjidhni parfumin që do të blini). Notat mesatare dhe të ulëta shfaqen më vonë, pas 10-15 minutash. Parfumi esencë zgjat 5-6 orë, uji i parfumit (eau de parfum) zgjat 3-4 orë, kolonjat afro 2 orë dhe uji i kolonjës (eau de toilette), afro një orë.

 

Si të lyheni me çdo tip parfumi?

Lloji i parfumit që do të zgjidhni ndikon edhe në mënyrën se si do ta përdorni.

Uji i parfumit – qarkullon në formë spraji (ose jo) dhe ka një përqindje të lartë të vajrave aromatike.

Uji i kolonjës – ka më pak vajra, prandaj duhet të hidhni më shumë. Megjithatë, kur përdorni një parfum, sa më pak, aq më mirë. Uji i kolonjës është më i mirë në mëngjes dhe disa pika prej tij në flokë janë sekreti që aroma të zgjasë më shumë.

 

Aromatizoni rrobat

Disa parfume lënë njolla në rroba, në metale (varëse, byzylykë) dhe perla, prandaj bëni kujdes kur t’i aplikoni.

 

Përdorni shumë produkte me të njëjtën aromë

Një krem trupi i aplikuar para parfumit, me të njëjtën aromë, është një ide e mirë që aroma të zgjasë më shumë. Mund të filloni me kremin e trupit, të vazhdoni me parfumin dhe pastaj të përfundoni me ujin e kolonjës. Ky rregull është më mirë të zbatohet me aromat e lehta, sesa me aromat e forta.

 

Ka rëndësi edhe ruajtja

Parfumet duhen ruajtur në një vend të freskët, larg diellit, akoma më mirë nëse janë brenda kutisë së tyre. Kështu, edhe aroma e tyre do të zgjasë më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *