Këtë radhë, vendosa të intervistoja zotin Rama. Hyra në Kryeministri dhe trokita në derën e tij. Nga brenda, dikush foli:

– Hyyyyyr! Uuuueeee Kasua! Hajd Kaso, hajd, se ke ardh si me porosi. Të dashka vjehrra, siç duket. – Më tha Bamir Topi, i cili po hante fërgesë e po pinte raki.
– Nuk ndodhet këtu zoti Rama?
– Jo, doli të çonte në banjë breshkat dhe vjen shpejt. Përse e doje, Kaso?
– T’i merrja një intervistë. Meqë ai nuk qenka, po ta marr ty, zoti Topi.
– Më merr sa intervista të duash. Dhe na, merre këtë – më afroi një lugë fërgesë të gatuar këndshëm.
– Nuk e ha fërgesën zoti Topi. Po pate ndonjë copë mish të pjekur, e ekzekutoj në vend, si lab që jam…
– Copë mishi duam të gjithë Kaso, ndaj edhe erdha këtu në Kryeministri. Për një copë. Po kush të jep, thuaj!
– Hë, se do marrësh ndonjë gjë edhe ti pas zgjedhjeve vendore, po hë…
– Të lumtë goja, Kaso! – E ndërsa po hante, hodhi një vështrim në pasqyrë dhe më pyeti: – A mendon ti Kaso, se më ka dalë boja?
– Përse!? Që si i djathtë që je, bëre koalicion me Ramën?! Po mos e vrit mendjen fare, o derman!
– Jo o Kaso, jo! Nuk kam hall se më del boja politikisht mua, mër jo, se këtu politika përzierje bojërash është. Se mos jam i vetmi unë! Të pyeta: A mendon se më ka dalë boja këtu te këto qimet e flokëve afër veshit? Se i leva mbrëmë dreqin, por s’paskan marrë mirë.
– Mua top fare më duken, zoti Topi. Pastaj, mos u shqetëso! Zotit Rama i janë zbardhur flokët fare dhe s’e ka problem.
– E kam zakon nga doktor Berisha dhe Fatmir Mediu. “Flokët duhen lyer”, më thoshin kur ishim bashkë. Nejse Kaso, ke ndonjë pyetje, sa pa ardhur zoti Rama?
– Zoti Topi, desha të të pyes: Përse nuk u bashkuat këtë radhë me PD-në?
– Unë me PD-në!? Kurrën e kurrës, Kaso! Atë që më bëri mua Saliu…
– Të bëri President…
– President më bëri Nanoja mua, në fakt, por muhabetin ta kisha, që më bëri atë që s’më bëri kryetar të PD-së…
– Pretendoje të bëheshe kryetar, zoti Topi?
– Sigurisht, Kaso! Cili tjetër mund t’i hypte kalit pasi i zbriti Sala?
– Mbase ke të drejtë…
– Sigurisht që kam të drejtë, Kaso. Atij kali më takonte mua t’i hypja. Unë jam me profesion veteriner-zooteknik dhe e di si i hypet kalit, si trajtohet kali kur është i sëmurë dhe si ushqehet. Që, edhe të mos fryhet shumë, por njëkohësisht, të mos mbetet kockë e lëkurë. Më kupton, Kaso?
– Kuptova zoti Topi! Po tani, di si ta trajtosh një kalë? U bënë vite që s’e ushtron më veterinarinë…
– Kaso, ti e di që zoti Gazmend Oketa ka qenë Ministër i Mbrojtjes. Kur ishte në ministri ai, shkoja përherë e bëja stërvitje për hypje kali. Në një nga këto stërvitje e hëngra unë, Kaso.
– Si e hëngre? Re nga kali?

– Më keq akoma, Kaso! Kur po bëja stërvitje me kalë, dikush më dëgjoi që po i thosha Gazmend Oketës: “Ho Gazo, si dukem në moj të kalit mër plak?”. Ai që dëgjoi, shkoi i tha Saliut.
– Ç’i tha?
– I tha që Bamiri po bënte stërvitje si t’i hypte kalit tënd dhe tha që Saliu është plak. Që atëherë, Saliu sa më shikonte, mendonte kalin.
– Kuptoj, zoti Topi! Të të pyes: Përse nuk dolët me një kandidat të pavarur në zgjedhje, por bëtë koalicion me të majtën?
– A mo Kaso që mbete carac, mbete! Po unë tashmë jam i majtë.
– Si je i majtë, zoti Topi!? Unë forcën tuaj e di të djathtë…
– Unë i djathtë isha, sa mora tokat. Ke parë ndonjë ish-pronar tjetër t’i të ketë marrë tokat? Jam i veçantë unë, Kaso. I boj gjonat nën rrogoz.
– Je zoti Topi…
– Pra, kështu, o Kaso. Sa s’kisha marrë tokat, isha i djathtë. Që PD-ja të më jepte tokat. Tani jam i majtë. Kuptove Kaso? Edhe po s’kuptove, ik tani se kam ca muhabete pune me zotin Rama. Tujtjeta Kaso!

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *