EDI RAMA
Zotin Edi Rama këtë javë deshëm ta intervistonim jo si kryeministër, por si kryetar i maxhorancës. Shkas për këtë u bë caktimi i Shpëtim Idrizit, kryetar i PDIU-së, si zëvendëskryetar i tretë i Kuvendit të Shqipërisë. Deshëm të pyesnim zotin Rama: Mbi ç‘baza caktohen këto poste dhe njerëzit që vendosen atje? Si vendoset numri i zëvendësave të kryetarit të Kuvendit apo të ministrave? Sa zëvendës duhet të jenë për çdo post? Një, dy, tre, apo katër? A nuk duket se ata po u jepen si peshqeshe kryetarëve të partive të vogla në këmbim të votave për zgjedhje kombëtare e lokale? A nuk u veprua kështu me Shpëtim Idrizin? A nuk u veprua kohë më parë kështu edhe me Petro Koçin, kur, për t’i bërë nder partisë së tij, u shtua një zëvendësministër Mbrojtjeje? Po, sa zëvendës të tillë janë shtuar në gjithë hierarkinë tonë shtetërore për t’i bërë nder X apo Y?! Kështu do të bëjë shtet, siç ka deklaruar, zoti Rama?

ERION VELIAJ
“Shih rrushi rrushin edhe piqet”, thotë populli. Kështu po ndodh edhe me Erion Veliajn këto ditë kur rrushi nuk është pjekur akoma…
Javën e kaluar, ne fshikulluam kryeminisitrin Rama se po harxhonte shumë kohë duke bërë shou me shpërndarjen e tapive të reja të legalizimit, ndërkohë që ka mjaft punë të tjera për të bërë. Këtë javë, vendin e tij në skenë e zuri Erjon Veliaj, edhe pse, të themi të drejtën, nuk e ka talentin e Kryeministrit për të bërë spektakël. Atë e pamë në Sauk duke shpërndarë fletë legalizimi dhe madje kjo u transmetua direkt në shumë televizione. “Ç’punë ka kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës me shpërndarjen e tyre?”, deshëm të pyesnim zotin Veliaj. Mos po e përdor këtë për fushatë? Okej, ai mund të bëjë fushatë, por ç‘punë ka administrata shtetërore me fushatën e zgjedhjeve?! E dëgjoi ai Kryeminsitrin kur porositi të hënën që “administrata nuk duhet të përzihet me zgjedhjet”? Apo i tha për opozitën zoti Rama ato fjalë?

ARBEN AHMETAJ
As Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, zotin Arben Ahmetaj, nuk e takuam dot këtë javë. Me të deshëm të bëjmë një intervistë për turizmin meqë jemi në prag te sezonit të ri turistik. Na bëri shumë përshtypje se gjatë fjalës së tij, në konferencën me temë “Menaxhimi i Sezonalitetit të Turizmit Shqiptar”, ministri Ahmetaj theksoi se viti 2015 do të jetë një vit më i mirë për turizmin dhe do të shënojë një moment kthese për këtë sektor, “edhe pse, u tha ai të pranishmëve, jo falë punës sime, por falë punës suaj”. Natyrisht, e vlerësojmë thjeshtësinë e zotit Ahmetaj, por nuk mund të rrimë pa e pyetur: Pse s’ka punuar ai për të mirën e turizmit? Është marrë me përgatitjen e ligjit të ri për turizmin dhe s’i ka tepruar koha?! A nuk e di zoti Ahmetaj që, ne nuk vuajmë për ligje, por për zbatimin e atyre ekzistuese? A nuk e di zoti Ahmetaj që edhe pse ligji ndalon ndërtimet 100 metra nga vija bregdetare përsëri ndërtimet vazhdojnë me pretekstin se lejet janë marrë para daljes së ligjit, apo edhe pa leje? A nuk e di zoti Ahmetaj që edhe pse ligji ndalon derdhjen e ujërave të zeza në det, edhe pse është trumbetuar që janë bërë kolektorët, në Golem përsëri vazhdohet me gropa septike dhe ujërat e zeza të mijëra apartamenteve e hoteleve, nga gropat derdhen në det?! A nuk e di zoti Ahmetaj se këto ditë në bregun e liqenit të Pogradecit nuk shëtit dot se të mbyt era e jashtëqitjeve dhe gojët e këqia thonë se kjo vjen ngaqë shqiptarët nuk po ndërrojnë filtrat e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza që na financoi gjermani?! Ja, pra, kishte shumë punë për të bërë zoti Ahmetaj për turizmin. Na vjen keq që e pranon se nuk ka bërë asgjë…

ILIR META
Nuk e takuam dot këtë javë as kryetarin e Parlamentit, zotin Ilir Meta. Pa dyshim, ishte më interesanti nga politikanët për t’u intervistuar këtë javë pas akuzave që i bëri ish-kolegu, Dritan Prifti, për pasurinë e tij. Pse ai nuk përgënjeshtroi asnjë akuzë të zotit Prifti, as për pasurinë e tij e as për qenien si agjent i Sigurimit?! Pse nuk ka përgënjeshtruar, gjithashtu, as akuzat që i ka bërë më parë si njeri i SHIK-ut të Gazidedes edhe Mero Baze në librin e tij?! Mos janë të vërteta ato akuza?!
Por zotin Meta, deshëm ta pyesnim edhe për akuzat që i bëri zonjës Topalli si “e pacipë e që e njeh e gjithë Shkodra” etj. Ai e argumentoi këtë edhe me aleancën që bëri ajo me Tom Doshin i cili e paska quajtur atë “moldave”, ndërkohë që ajo e kishte etiketuar atë si “mafie”… Mund të jetë e vërtetë kjo që thotë zoti Meta, që zonja Topalli nuk ka cipë (politike), por a nuk mund të thonim edhe të njëjtën gjë për zotin Meta që ka bërë aleancë edhe me atë që e quante kriminel (Berishën), edhe me atë që e quante të droguar e imoral (Ramën). Mund të flitet për cipë, në këto raste? Natyrisht, gjithmonë nëse flitet me qetësi dhe dashuri, siç thotë zoti Meta…

DRITAN PRIFTI
Kishim shumë dëshirë të intervistonim këtë javë ish-ministrin Dritan Prfti, por nuk mundëm, pasi po merrej me punët e fushatës në Fier. Deshëm ta pyesnim se si është puna e atyre 4,6 milionë eurove për të cilat u akuzua këtë javë se i ka fshehur gjatë kohës që ka qenë deputet dhe ministër? Deshëm ta pyesnim edhe për akuzat që i bëri Ilir Metës këtë javë, se ai është nga më të pasurit e Ballkanit, që ka prona në tre kontinente etj. Pse nuk i thotë konkretisht ai faktet që ka? Po “Ketri që ka dalë nga kafazi”, kush është? Pseudonimi i Metës apo i pedagogut të tij të Ekonomikut që e ka rekrutuar Metën si agjent të Sigurimit? Pse nuk i thotë në shtyp, apo në prokurori të gjitha çka dhe pse kërcënon se do të flasë me ndërkombëtarët? Kështu do të vazhdojmë, ne, shqiptarët, duke kërcënuar, duke mbuluar dhe zbuluar të palarat sipas interesit?

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *