– Ju lutem, më thoni se si të veproj me këto mendimet e mia, sepse vetëm negativisht mendoj dhe kjo gjë më bën të ndihem shumë keq me veten. Më thoni një këshillë, me çfarë të merrem? Si t’i largoj këto mendime, sepse po çmendem? Jam 28 vjeçe.

Borana Marku psikologe: – E nderuar 28 vjeçare, do kishte qenë mirë të dinim nëse jeni këshilluar më parë me ndonjë psikolog. Kjo do të na ndihmonte të mësonim nëse keni pasur më parë gjendje të tilla apo vetëm tani. Gjithashtu, bëni mirë të bëni një kontroll shëndetësor të tiroideve. Nga ana tjetër, kjo gjendje duhet ta ketë një arsye. Nuk e di nëse ju qetëson kjo gjë që do t’ju them, por në pranverë, pra, në këtë periudhë, të gjithë personat, sidomos ata që janë shumë të ndjeshëm, kanë ulje-ngritje të humorit, për shumë arsye… Ndërrohet gjaku, dita zgjatet, dalim nga një periudhë dimërore ku dita ishte e shkurtër dhe përballemi direkt me një ditë të gjatë e më me dritë. Në ndërrim të stinëve, sidomos nga ekstremi në ekstrem, të gjithë kanë një lëvizje të çuditshme humori, ndaj do t’ju sugjeronim të merreshit me sport, të frekuentoni ambiente me shumë persona, të dilni me shoqërinë tuaj dhe t’i gëzoheni qoftë edhe një kafeje të shkurtër me shoqërinë. Nuk keni pse të keni mendime negative, mbushuni me frymë dhe mendoni se jeta është shumë e shkurtër dhe duhet jetuar. Ka persona që janë sakatë, nuk shikojnë, janë të sëmurë, pa punë, të uritur dhe përsëri ia dalin mbanë. Ju nuk na thoni se keni ndonjë arsye të fortë. Pastaj, vetë fakti që thoni “më duket se po çmendem”, do të thotë se jeni shumë e shëndetshme psikologjikisht. Një person që është i shëndetshëm, nuk shprehet në këtë mënyrë, por thjesht mbyllet në vetvete. Ndaj, hiqini këto mendime negative dhe jetojeni jetën sa më bukur dhe shëndetshëm. Zëreni kohën tuaj me aktivitet sportive, në palestër, me një xhiro në natyrë, dilni me shoqërinë dhe punoni. Nëse jeni pa punë, shikoni njoftimet dhe, duke kërkuar, do ta gjeni patjetër një punë. Ndiqni një hobin tuaj dhe çdo gjë kalon. Nuk do të keni kohë të mendoni më negativisht, por vetëm pozitivisht. Mendimet negative duhet ta kenë një shkak ose thjeshtë ju vijnë për arsyet që ju thamë më sipër, por që janë kalimtare, më besoni për këtë. Nëse shikoni se nuk ia dilni dot e vetme, ju sugjerojmë të flisni me një psikolog ose edhe me një shoqe të ngushtë apo pjesëtarë të familjes tuaj. Thjesht, flisni që të çliroheni dhe do të shikoni se do të ndiheni më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *