EDI RAMA
Me kryeminsitrin tonë, Edi Ramën, këtë javë deshëm të bënim një bisedë në lidhje me Ben Blushin. Jo për Ben Blushin, si njeri, por për ato çka ai shkroi këtë javë në artikullin “Funerali i Rilindjes” dhe e diskutoi në Palament.
Kaq pa rëndësi iu dukën Edi Ramës ato që shkroi Blushi saqë nuk tha asnjë fjalë për vërejtjet e tij? Nuk iu dukën të drejta ato, apo zoti Rama mendon se është më mirë t’i injorosh vërejtjet e tjetrit sesa t’i korrigjosh gabimet? A nuk është e vërtetë se, ashtu siç thotë zoti Blushi, zoti Rama, jo vetëm që e ka lënë pas dore PS-në, por po e përmend atë rrallë e më rrallë në fjalimet e tij? Mos po e bën këtë nën shembullin e kolegëve të tij socialistë në Itali e Greqi, që hynë në zgjedhje, jo me emrin partive të tyre të majta, por nën emra të tjerë konvencionalë, si Ulliri etj.? Nëse po, besoj se ai e di se si kanë përfunduar partitë socialiste në Itali, apo Greqi…

DITMIR BUSHATI
Nuk e takuam dot këtë javë as Ministrin tonë të Jashtëm, zotin Ditmir Bushati. Atë deshëm ta pyesnim për deklaratën e deputetes italiane të partisë “Forza Italia”, njëkohësisht krahu i djathë i Silvio Berlusconit, Daniela Santanke, e cila, duke folur për valën e emigrantëve që po përmbyt Italinë, deklaroi se “E vetmja zgjidhje është përmbysja e anijeve, siç është bërë me Shqipërinë”… E dëgjoi minsitri ynë këtë deklaratë? Nuk besojmë që jo, ndaj po pyesim: Pse heshti qeveria jonë ndaj kësaj deklarate?! Nëse këtë e bën për servilizëm, atëherë deshëm ta pyesnim ministrin tonë se kështu, me servilizma e të nënshtruar ndaj europianëve do të vazhdojmë?! Apo këtë mendim ka edhe qeveria jonë ndaj ayre që ikin nga vendi i tyre?! Ndaj po përpiqet t’i bllokojë njerëzit që kërkojnë të dalin nga Shqipëria që në pikat e kalimit të kalimit të kufirit, njëlloj si në kohën e diktaturës?!

ERION VELIAJ
Na bëri shumë kurioz me deklaratën e tij Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Ai, duke diskutuar këtë javë për rritjen e numrit të atyre që duan të ikin nga Shqipëria, tha se “fajtor për eksodin janë të zgjedhurit demokratë, pasi shumica e të ikurve janë nga bashkitë ku kanë fituar demokratët”. Nuk e dimë nëse ai ka ndonjë statistikë për këtë, por deshëm ta pyesnim zotin Veliaj që, kur e dinte qeveria këtë, pse nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar, për t’ua ndrequr jetën këtyre njerëzve? Pse nuk ka investuar ajo pak më shumë në këto bashki “të djathta”? Ajo vërtet është qeveri e majtë, por është në shërbim të të gjithë popullit, apo jo?! Pse ka rregulluar ajo, të paktën ato gjëra që nuk varen nga pushteti lokal, si sistemin gjyqësor, mjekësinë, punësimin, kriminalitetin, problemet e mjedisit apo të pronave? Ka interes që të ikin sa më shumë votues të djathtë nga ky vend apo është e paaftë të rregullojë këto probleme?!

SALI BERISHA
A e mban mend zoti Berisha një kohë kur socialistët për çdo gjë thoshin: “Fajin e ka Saliu”? Për këtë deshëm ta pyesnim zotin Berisha. Edhe kur binte shi dhe kishte përmbytje, fajin e kishte Saliu, edhe kur kishte thatësirë e s’kishin ujë hidrocentralet, fajin e kishte Saliu, edhe kur përplaseshin dy makina, edhe kur bandat lanin hesapet me njëra-tjetrën, prapë “fajin e kishte Saliu”… Por, këtë gjë po bën tani edhe vetë zoti Berisha: Për çdo gjë që ndodh në Shqipëri, sidomos për çdo akt kriminal, fajin e ka Edi Rama. Si të ishte Sherlok Homesi i shekullit të XXI, ai jep variantin e vet për çdo akt kriminal, duke e lidhur, jo më si socialistët, me Saliun, por me Edi Ramën. E fundit fare ishte akuza e tij se përgjimin dhe publikimin e videos së Sokol Ballës e ka organizuar Edi Rama… «Dua t’ju siguroj se në këtë akt të shëmtuar, Edi Rama nuk është duar jashtë, shkruan ai në Facebook. Ka prova te pakundërshtueshme se Rama ka survejuar për kohë të gjatë muajt e fundit Ballën (dhe këtë Balla e di më mirë se unë), vazhdon ai. Rama është autori i sigurtë i aktit të tretë të skenarit që vetë Balla e cilësoi akt terrorist kibernetik ndaj tij”. Pra, përsëri, fajin e ka Saliu, domethënë Rama… Apo nuk është kështu, zoti Berisha?!

VJOLLCA HOXHA
Nuk e dimë cilët janë në përbërje të bordit ekzekutiv të Top Channel, prandaj menduam që këtë javë, kur u diskutua kaq shumë për gazetarin e TOP-it, Sokol Ballën, t’i merrin një intervistë zonjës Vjollca Hoxha, pronares që ka pjesën kryesore të aksioneve të Top Channel. A ishte dakord ajo personalisht me masën që u mor ndaj Sokol Ballës? A nuk mendon ajo se, ndërsa u dënua Sokoli, jo vetëm që u dënua edhe Top-i, por edhe u ndjenë të fituar ata që organizuan atë skenar ndaj tij? A është dakord ajo që të përzihet jeta private me atë profesionale? Po sikur një gjë e tillë t’i kishte ndodhur asaj ose ndonjë tjetër pjesëtari të familjes së saj, do të përjashtonte veten nga Top Channel për të ruajtur të paprishur nderin e televizionit? Nëse mendon se nderin e televizionit e prish një video intime, le të rrijë një natë pa gjumë e të shohë se çfarë ndodh në Big Brother…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

·

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *