Zotin Lulzim Basha e takuam në zyrën e tij duke dhënë udhëzimet e fundit për ngritjen e komisioneve të strukturave të partisë…
Kaso Kosa: – Zoti Basha, po ju shohim shumë të preokupuar në ngritjen e strukturave të partisë…
Lulzim Basha: – Jam vërtet i preokupuar Kaso, sepse nga këto struktura varet fati i partisë për t’u shndërruar në forcën e vërtetë udhëheqëse për të cilën populli ynë ka mbi një vit e gjysëm që vuan dhe po humbet besimin tek e ardhmja e tij evropiane. E gjithë pesha e kësaj pune kolosale që po ngre, bie mbi shpatullat e mia, ndaj po stërmundohem të arrij më të mirën duke zgjedhur në këto komisione njerëzit më të devotshëm e më besnikë të partisë.
– Besoj se në tërë këtë aksion të madh, ju keni edhe ndihmën e Doktorit, që ka shumë eksperiencë…
– Ta themi këtu midis nesh, Berisha, menjëherë pas arrestimit të Fullanit, rreth një muaj e ca më parë, sikur nuk është mirë, sikur ka lajthitur pak. Nuk përqendrohet dot, ka halucinacione, ngrihet natën nga gjumi dhe bredh nëpër shtëpi si somnambul. Edhe në zyrë rri i mbyllur dhe komunikon me të gjithë ne vetëm përmes internetit që këto kohët e fundit e ka mësuar mirë. Duket ka frikë se mundet që ai frikacaku, Fullani, të tregojë ndonjë shkelje të bërë me urdhër të Doktorit. Ka frikë se mos rihapet dosja e Gërdecit dhe mund të arrestojnë Zenin. Edhe ato përgjimet e bëra nga Visho, me urdhërin e tij, ia kanë futur frikën se mund të ndëshkohet bashkë me Vishon. Llalla, gjithashtu, po i del nga fjala që i kishte dhënë se po të ikte Doktori nga pushteti, do ta mbronte me kokë. Siç duket, shëndeti i tij po merr poshtë e më poshtë dhe unë mund të ngelem i vetëm përballë kësaj pozite agresive.
– Pozita deklaroi se i pranon kushtet tuaja për t’u futur në Parlament, mirëpo ju as këtë javë nuk morët pjesë në seancë. Pse?
– Si të futemi ne në atë parlament kur nuk kemi asnjë garanci se do të trajtohemi ashtu siç duhet të trajtohet opozita, me respekt e me dinjitet? Ju e kujtoni fare mirë se si e kemi trajtuar ne opozitën kur ishim në pushtet, gjithë respekt. Në ndonjë rast, me fjalë i kemi quajtur legena, vagabondë e rrugaçë, apo kemi thënë: “kapini për zhelesh”, ama me dorë nuk i kemi prekur kurrë. Nuk u besojmë fjalëve të tyre sepse ata mund të organizojnë prapë rrahjen e deputetëve tanë, siç ka ndodhur qëkur vodhën pushtetin, vitin e kaluar. Deputetëve u ka hyri frika në palcë. Nga ana tjetër, nuk i kam akoma të konsoliduar strukturat, dhe deputetët që nuk më duan, në një ditë të bukur kalojnë me pozitën, siç ndodhi me disa demokratë të pakënaqur në Berat, që iu bashkuan LSI-së për interesa të ngushta e meskine personale. Mos harroni, zoti Kaso, që unë nuk jam brenda sallës që me një shikim t’i frenoja e t’i vija në rresht. Zotin Paloka nuk e dëgjojnë dhe kjo duket që në fjalët që thonë në mediat e ndryshme për vlerësimin e bojkotit tonë konseguent, pa marrë më parë pëlqimin tim si kryetar apo të zotit Paloka. Ndaj pa garanci ndërkombëtare, nuk do të futemi asnjëherë në atë sallë.
– Çfarë kërkoni konkretisht nga ndërkombëtarët, zoti Basha?
– Duam që të vijë në Parlament Obama e Merkeli dhe të firmosin një kontratë ku të thuhet se dalin garant që ne të mos nëpërkëmbemi, domethënë, të kemi të drejtë të vendosim ne e jo pozita. Fjala e opozitës të jetë primare. Opsionet tona të votohen të plota si nga deputetët tanë, si nga maxhoranca. Kështu, vendimet marrin më shumë fuqi dhe ata t’i zbatojnë ato sepse për këtë punë janë në qeverisje. Mos harroni që ne kemi cilësi të lartë intelektuale në këtë parlament, duke nisur me juristin e shquar Ristani e deri tek elokuenti Aldo Bumçi. Kështu, ata japin votat, drejtojnë shtetin, ndërsa ne japim direktivat qeverisëse. Në këtë mënyrë, vendi ynë brenda një viti mund t’ia kalojë në bum ekonomik edhe Amerikës e jo më Gjermanisë apo Suedisë.
– Mendoni se mund të vijnë Obama e Merkeli për hatrin tuaj e të bëhen garant për ju?
– Le të mos vijnë, ama të dërgojnë emisarët që të firmosin në emrin e tyre dhe pastaj këtu mund të instalohet një përfaqësi nga trojka evropiane si mikja e shqiptarëve Doris Pak e të tjerë, me funksion të përhershëm monitorimi të seancave parlamentare deri në vitin 2017, kur ne do të marrim pushtetin dhe vendi do të marrë frymë i lehtësuar.
– Disa deputetë të partisë suaj po vizitojnë ata që janë arrestuar për shkelje të ligjeve, si për ndërtimet pa leje, ashtu edhe për vjedhje energjie. Keni një koment?
– Këtu qëndron edhe ndryshimi i partisë që unë po reformoj. Partia ime është parti e njerëzve të lirë dhe e solidaritetit njerëzor. Nuk ka gjë më të bukur për një të burgosur sesa kur i venë për vizitë miq e dashamirë. Sidomos kur venë deputetët e zgjedhur nga sovrani, rritja e tyre morale bëhet shumë herë me e fuqishme dhe ata janë në gjendje të përballojnë presionin e madh moral që u shkakton ky pushtet, i cili kërkon me çdo kusht të mposhtë njerëzit krenarë.
– A nuk keni frikë se me këto vizita duket sikur mbroni njerëzit që shkelin ligjet e shtetit ligjor për të cilin, kur ju ishit në pushtet, flisnit shumë?
– Perkundrazi i tregojmë këtij pushteti antihuman se me këto arrestime, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shkurtojnë ditët e qeverisjes vetvetes. Në fund të fundit, nëse ndërtojnë, për të mirën e popullit ndërtojnë. Edhe po abuzuan diçka me energjinë elektrike, nuk bëhet hataja se energjia e popullit është pasuri kombëtare. Pikërisht përmes këtyre arrestimeve, kjo qeveri po tregon se është kundër zhvillimit ekonomik dhe se frenon iniciativën e lirë.
– Ju kemi dëgjuar çdo ditë të flisni për protesta mbarëpopullore, por nuk po i shohim ato!
– I gjithë populli është në protestë. Mjafton të hapni Facebookun dhe do të gjeni qindra mijëra të cilët protestojnë kundër shtetit policor që po instalohet nga dyshja Rama-Meta.
– Ato janë protesta virtuale, por fjala është për protesta nëpër rrugë e bulevarde.
– Nuk mund t’i organizojmë se nuk na lejon shteti diktatorial i Ramës. Pardje, kreyedemonstruesin dhe organizatorin e mitingjeve tona, Altin Goxhaj e arrestuan pikërisht se guxoi dhe demonstroi me mbi dhjetë a pesëmbëdhjetë përkrahës të tjerë kundër katastrofës që duan të bëjnë me rritjen e çmimit të energjisë dhe sidomos, me prerjet e lidhjeve që kanë bërë hallexhinjtë. Duke goditur organizatorin e demonstratave dhe mitingjeve të partisë sonë, neodiktatorët paralajmërojnë që ne të mos guxojmë për më shumë.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *