E ka nisur muzikën që i vogël dhe është ndoshta ndër të paktët shembuj që tregon se me punë, mund të arrish aty ku do, pasi ka arritur të ketë një axhendë të stërmbushur me koncerte dhe mbrëmje muzikore ku sallat janë plot, një publik që këndon me të tekstet e të gjitha këngëve të lançuara prej tij, një karrierë të kompletuar dhe imazhin e një humanisti të mirëfilltë për të cilin, më shumë se fjalët, flasin veprat. E pëlqejnë për pamjen, për zemërgjerësinë apo për talentin, pak rëndësi ka. E rëndësishme është se kudo ku afishohet emri i tij, dihet se vendet janë gjithmonë të zëna. Intervista në vazhdim, ju flet më shumë për të…

Arjana Bregu: – Labinot, ka plot komente që ju cilësojnë si “ylli i muzikës” apo më mirë akoma, si “legjenda e muzikës shqiptare”. Opinioni juaj rreth këtyre komenteve…
Labinot Tahiri: – Të them që e ekzagjerojnë, nuk do të doja të ndërhyja në atë që ata mendojnë. Publiku është i vetmi që të pëlqen për atë që i dhuron. Nëse fansat të duan, ata vijnë të të shohin duke i mbushur sallat plot, brohorasin për ty, të komplimentojnë, bëjnë komente të tilla. (Buzëqesh) Meqë më pyesni mua, unë mund të them se e gjitha kjo është pak subjektive nga ana e tyre, por tek e fundit, unë nuk mund të gjykoj një publik i cili e shpreh atë që ka në zemër. Unë di vetëm se gjithë sa jam përpjekur të bëj në këto vite, ka qenë ajo që kam dashur më shumë: Të bëj muzikë dhe të kënaq njerëzit, t’u përcjell atyre emocionin! Kjo është shumë e rëndësishme për një artist.
– Kur flitet për ju, theksohet edhe humanizmi. Flitet ndërkohë se ju keni bërë jo pak bamirësi, shumë prej të cilave janë bërë publike, si rasti i 10.000 eurove të dhuruara gjatë përmbytjeve në Shkodër, dhurimi i një ambulance për spitalin rajonal në Ferizaj apo ndërtimi i shtëpisë për një familje të varfër po në Ferizaj… Çfarë nuk dimë akoma?
– Unë jam me atë se çfarë jep e majta, të mos e shohë e djathta. (Buzëqesh) Edhe ato që janë bërë publike, shpresoj shumë që të kenë shërbyer sadopak që kolegë të tjerë ose kushdo tjetër që ka mundësi, të bëjë çfarë ka në dorë për njerëzit në nevojë. E vërteta është se unë nga natyra jam pak i ndjeshëm dhe, një nga gjërat që më vret, është kur shoh njerëz që vuajnë nga varfëria. Do të doja të mos më shihnin sytë varfëri, por pavarësisht dëshirës, të gjithë e dimë se për nga mënyra si funksionojnë shumë gjëra, varfëria do të vazhdojë të jetë e pranishme. Në fakt, mendoj se vetëm në saje të vullnetit dhe dëshirës së mirë për të bërë diçka të mirë, kushdo mund të angazhohet me sadopak; mjafton të bëjë atë që i vjen nga shpirti. Një njeri mund të bëjë pak, por nëse bëhemi shumë me të njëjtin vullnet dhe dëshirë, atëhere mund të bëhet edhe më shumë. Ndonjëherë, edhe një buzëqeshje është e mjaftueshme për të ta ngrohur zemrën.
– Cili mendoni se ka qenë suksesi më madh që keni arritur deri më tani?
– Ai që do të donte çdo këngëtar, që publiku t’i njihte mirë dhe t’i këndonin njëzëri këngët e tij. Unë këtë e kam arritur fatmirësisht dhe kjo është ajo që ma mbush zemrën, më shtyn e më vë përpara përgjegjësisë për të bërë këngë akoma më të bukura, në mënyrë që të mos e zhgënjej askënd që pret një biletë për të ardhur në koncertet e mia, për të më dëgjuar mua.
– Ju jeni mësuar tashmë me mbrëmjet muzikore, por unë desha t’ju pyes për atë më të rëndësishmen e vitit, që prenotohet që në fillim të tij: Mbrëmjen e Vitit të Ri… Ku e kaluat këtë herë?
– Si çdo herë, në krye të detyrës! (Buzëqesh) Këtë herë, u ndodha në Lozanë të Zvicrës dhe u krijua një atmosferë mjaft e mirë.
– Kënga juaj më e fundit titullohet “E mallkoj” dhe është një këngë e vjetër e huazuar…
– Po, në fakt, bëhet fjalë për një këngë të vjetër, origjinali i së cilës i takon grupit TnT dhe që mua më pëlqen shumë. Me këtë rast, përfitoj t’i falënderoj që ma dhanë të drejtën ta rikëndoj në versionin që është tani. Në fakt, nuk kam preferuar të bëj shumë ndryshime në të, pikërisht për faktin se më pëlqente shumë edhe origjinali, por sidoqoftë, doja ta sillja pak më ndryshe, më alla Labinot (buzëqesh) dhe duke gjykuar nga mënyra si është pritur, qoftë në koncerte apo mbrëmje të ndryshme muzikore ku jam i ftuar, jam i mendimit se kemi bërë një punë të mirë, si me këngën, ashtu edhe me klipin. Besoj se edhe publiku është në një mendje me mua.
– Mendoni se ashtu si ju, edhe publiku është në një mendje me mospërdorimin e fjalëve, le të themi, jo të hijshme, në tekstet e këngëve?
– Nuk di ta them këtë për publikun sepse nuk mund të flas këtu në emër të tij, por unë mund të them cili është mendimi im dhe unë jam kategorikisht kundër këtyre deformimeve në tekstet e këngëve shqip sot. Ndoshta nuk mund të kritikoj askënd apo t’i vë gishtin e t’i drejtohem dikujt sepse është diçka që nuk më përket, por nuk mund ta mohoj se fjalë dhe për më tepër, edhe gjeste të kësaj natyre, më bezdisin dhe nuk më duken të denja për një këngëtar shqiptar. Ju përmendët publikun… Nëse publikut i pëlqejnë këto gjëra, unë e kam thënë edhe më herët që të mos presin nga Labi të këndojë ndonjë këngë banale sepse jam shqiptar me karakter shqiptari, por edhe sepse në koncertet e mia vijnë familjarë dhe nuk dua që të jetë ky mesazhi që të kalojë përmes këngëve të mia. Për të mbetur te publiku, unë e them me bindje se ata që nuk e duan Labin kështu siç është, le të mos vijnë të shpenzojnë paratë e tyre, ndërsa ata që e duan dhe e vlerësojnë për atë që është, le të vijnë; unë jam këtu për ata.
– Kur flasim për publikun, duket se ai femëror është më i përzemërti me ju…
– Normalisht, duke qenë mashkull, femrat janë ato që do të tërhiqen më shumë dhe do të ndihen më të përfshira, por kjo nuk përjashton pjesën tjetër të një publiku të përzier, qofshin femra apo meshkuj, familjarë, persona të moshave të ndryshme që i bashkon një e përbashkët e madhe dhe ajo është dashuria për muzikën që bën Labi, për zërin dhe këngët e tij. (Buzëqesh)
– Çfarë rëndësie i jepni paraqitjes, realisht?
– Jemi njerëz dhe dukja i pëlqen gjithkujt, apo jo? Besoj se asnjë nuk mund të thotë të kundërtën. Zoti na ka dhënë sy për të parë e mendje për të dëgjuar dhe nuk kanë faj sytë që pëlqejnë çfarë shohin, ashtu sikurse më pas, nuk ka faj mendja nëse hedh poshtë atë që kanë parë sytë. (Buzëqesh) Megjithatë, të gjithë biem dakord se paraqitja është ajo që na prezantohet së pari e nëse mandej, na pëqen edhe brendia, ku ka më mirë?! (Buzëqesh) Unë jam për një kombinim të harmonishëm të të dyjave.
– Hobi juaj?
– Futbolli. Pas muzikës, futbolli është ai që më së shumti më jep emocion, adrenalinë. (Buzëqesh)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *